Atributet e Profetëve – Besnikëri dhe Drejtësi

profeti-muhamed-36.jpg

Drejtësia është boshti qëndror i profetësisë. Profetësia lëviz në orbitën e drejtësisë. Çdo fjalë e dalë nga goja e profetit ka pamjen e diçkaje të vërtetuar për drejtësinë e saj, sepse profetët nuk bëjnë kurrë ndonjë deklaratë kontradiktore. Kur’ani bën fjalë për këto karakteristika të profetëve duke na folur neve për madhështinë e tyre.

“Përkujto në libër edhe Ibrahimin. Vërtet ai ishte një profet i drejtë!” (Merjem: 41).

Me fjalë të tjera, i thuhet Hz. Muhamedit (sav) të kujtojë në Levhi Mahfudh ose në Kur’an që është e vërteta e palëkundshme ose kopja e tij, Ibrahimin si një profet me fjalë, sjellje e mendime të drejta.

“Përkujtoju në këtë libër edhe Ismailin. Ai ishte njeri që e mbante fjalën, ishte i dërguar dhe profet.” (Merjem: 54).

“Kujto në libër edhe Idrisin. Ai ishte një profet shumë i drejtë. Ne e lartësuam atë në një pozitë të lartë.” (Merjem: 56-57).

Duke përcjellë fjalët e shokut të burgut të Jusufit, Kur’ani bën fjalë përsëri për të njëjtat karakteristika: “O Jusuf, o ti i drejti…” (Jusuf:46)

E si të mos jenë të përgatitur me drejtësi ata, kur Allahu edhe njerëzit e zakonshëm i do që të jenë të drejtë dhe në Kuran i ngre lart të drejtët:

“O ju që besuat! Kinie frikë Allahun dhe bëhuni bashkë me të drejtët!” (Tevbe: 119).

“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që i besuan Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që nuk dyshuan dhe që luftuan në rrugën e Allahut me pasurinë dhe shpirtrat e tyre. Vetëm ata janë të drejtë!”(Huxhurat: 15).

Besnikët janë të denjë për lavdërim

Besnikët që janë burra të fjalës, ngrihen lart në Kuran: “Mes besimtarëve ka sa e sa burra që e mbajtën fjalën e dhënë, nga të cilët dikush dha jetën duke e çuar premtimin në vend e dikush pret atë ditë. Ata në asnjë rast nuk e ndryshuan qëndrimin.” (Ahzab: 23).

Dua të ndalem pak në këtë ajetin e fundit.

Enes b. Maliku ishte shërbyesi i të Dërguarit të Allahut. Kur Profeti e nderoi Medinen me vajtjen atje, e ëma e pati marrë për dore Enesin dhjetëvjeçar, e pati çuar te Profeti, të cilit i pati thënë: “O i Dërguari i Allahut! Le të të shërbejë im bir sa të jetë gjallë!”. Dhe Enes b. Maliku thotë se personat për të cilët aludohet në këtë ajet, janë i ungji Enes b. Nadr dhe shokët e tij.

Kur Enes b. Nadr e pati parë Profetin në Akabe, qe lidhur pas tij i mrekulluar dhe e pati dashur si i marrë. Mirëpo, megjithatë, nuk pati mundur të ndodhej në luftën e Bedrit. Ndërkaq, Bedri kishte një vend të veçantë në kauzën e Islamit. Për më tepër, ashtu siç konsideroheshin të zgjedhur midis sahabeve, pasuesve profetikë, ata që kishin marrë pjesë në Bedër, ashtu shiheshin si të zgjedhur edhe engjëjt pjesëmarrës të Bedrit. Kjo ishte fjala e Engjëllit Xhebrail që kishte komanduar engjëjt në Bedër. Shihni, tani, se Enes b. Nadri që e pati humbur këtë rast, di-gjej në vetvete e s’i hynte gjumë në sy. E, kështu, pati shkuar te Profeti e ia pati qarë hallin: “O i Dërguari i Allahut! Po qe se edhe një herë do të na mundësohet të përballemi me ta, atëherë do ta shohin qafirët se ç’ka-në për të hequr prej meje!” Kjo lutje e brendshme e Enesit qe pranuar dhe ai qe vënë në Uhud ballëpërballë me mohuesit…

Uhud… Kur përmendet kjo fjalë, njeriu rrënqethet. Sepse atje patën rënë dëshmorë shtatëdhjetë sahabe. Ndoshta me mendimin se mos Uhudi mbetet si një kujtim i keq për shkak të kësaj humbjeje të hidhur, një ditë, duke kaluar andej, Profeti pati thënë: “Uhudi është një mal i tillë që edhe ai na do, dhe ne e duam.”

Uhudi është një mal i rrëpirë. Edhe vetë lufta e Uhudit pati pasur një të rrëpirë. Gjithsesi, sahabet nuk e patën ruajtur përkohësisht, ashtu siç u ishte kërkuar, pozicionin, madje e patën braktisur atë duke dalë, kësh-tu, jashtë taktikës së treguar nga Profeti. Në fakt, ajo ishte një kërkim strategjie dhe taktike. Nisur nga kjo, nuk është e drejtë që rasti të quhet disfatë. Në këtë vijë qëndron kuptimi i respektit që kemi ne për sahabet.

Në këtë luftë edhe i Dërguari i Allahut qe plagosur, dhëmbi i bekuar i qe thyer, trupi i qe larë me gjak. Por, pavarësisht nga çdo gjë, ai Profeti i mëshirës dhe faljes pati ngritur duart drejt qiellit e qe lutur gjatë e gjatë: “Allahu im! Fali njerëzit e mi se nuk dinë..!”

Enes b. Nadri vraponte andej-këtej dhe përpiqej të çonte në vend fjalën që i kishte dhënë të Dërguarit të Allahut qysh një vit më parë. Përpiqej, por si shumë të tjerë edhe ai vërtitej drejt një pike fundore. Trupi i ishte bërë copë e çikë dhe po jetonte çastet e fundit. Me buzëqeshjen e fundit në buzë, po i thoshte kështu Sa’d b. Muazit që i kishte shkuar pranë: “I bëj të fala prej meje të Dërguarit të Allahut! Për Zotin, këtë çast po ndiej pas Uhudit aromën e xhenetit…”

Sa e sa dëshmorë nuk pat qenë e mundur të njiheshin për shkak të plagëve të rënda atë ditë! Nuk qenë njohur Hamzai e Mus’ab b. Umejri. Vetëm kur ishin bashkuar copat e trupit të Abdullah b. Xhahshit, ishte bërë e mundur të thuhej “ai është”! Po në atë gjendje ndodhej edhe Enes b. Nadri. Kishte ardhur e motra, e kishte vërejtur në dorën ku mbante këllëçin – siç duket, i vetmi vend i paplagosur i trupit të tij – dhe me sytë e mbushur plot kishte mundur të thoshte: “Ky është Enes b. Nadri, o i Dërguari i Allahut!”

Ja, pra, ajeti për këtë trim të madh tregonte. Ai e mbajti fjalën e dhënë! “Do të luftoj gjer në vdekje!” – tha dhe vdiq. As vdekja nuk mundi ta luante atë nga fjala e ta nxirrte gënjeshtar!

Ajeti ka për qëllim ta bëjë atë një shembull për besimtarët. Pasi të thuhet “Lailaheillallah” , çdo individ duhet t’i mbetet besnik përmbajtjes sublime të kësaj fjale në mënyrë që feja të mos shkatërrohet, besimi të mos bëhet diçka iluzore dhe traditat e mira të mos merren nëpër këmbë…

Enes b. Nadri dhe Enesët e tjerë i qëndruan fjalës. Ata e vërtetuan se ishin të drejtë dhe burra të fjalës. Sepse mësimet i patën marrë prej Muhamed Eminit, zotërisë së gjithësisë. Ashtu siç ishte ai vetë i drejtë e i besueshëm, ashtu edhe miqtë e tij e patën treguar veten të drejtë e të besueshëm!

Injoranca e pati njohur atë si të besueshëm

Mekasit i drejtoheshin atij jo me ndonjë fjalë abstrakte, por me atributin konkret “Emin”, “I besueshëm”. Me këtë atribut ishte bërë i njohur ai.

Ishte meremetuar Qabeja dhe vendosja sërish në vend e Gurit të Zi ishte shndërruar në një çështje të madhe. Fiset kishin zhveshur shpatat dhe secili prej tyre kërkonte të kishte nderin për ta vendosur atë në vend. Më në fund vendosën kështu: do të pranonin gjykimin e të parit njeri që do të hynte, pas atij çasti, në Qabe. Çdo njeri priste me kureshtje se kush do të hynte dhe, në këtë mes, i Dërguari i Allahut s’dinte gjë. Me t’u dukur fytyra e tij e ndritshme që rrezatonte besueshmëri si për mikun, ashtu edhe për armikun, njerëzit që pritnin u hodhën përpjetë nga gëzimi duke thirrur: “Emini po vjen!” Dhe i thanë se do t’i nënshtroheshin pa kushte vendimit të tij… Ata i besonin atij plotësisht. Atë ditë ai ende nuk ishte ngarkuar me detyrën e profetësisë, por ishte një njeri të cilit i bindej çdokush dhe bartte mbi vete të gjitha atributet për-katëse të një profeti.

Po, virtyt është ai që ta pranojnë dhe vërtetojnë edhe armiqtë! Ja, pra, vërtetimi i drejtësisë së tij nga dushmani më i tërbuar i tij i asaj dite!

Ishte koha kur Profeti po u bënte thirrje sunduesve përreth. Një letër i kishte dërguar edhe perandorit të Romës, Heraklitit. Perandori e lexoi letrën gjer në fund. Pastaj thirri Ebu Sufjanin që ndodhej atë radhë në Damask dhe midis tyre u zhvillua kjo bisedë:

– Cilët e respektojnë atë më shumë, të pasurit apo të varfrit?

– Të varfrit.

– A ndodhi që të kthehet pas ndonjëri prej atyre që e kanë besuar?

– Deri tani, jo.

– Ata që e ndjekin, shtohen apo pakësohen?

– Çdo ditë shtohen nga pak.

– A keni dëgjuar ndonjëherë që të ketë gënjyer?

– Jo, asnjëri prej nesh s’e kemi dëgjuar ndonjëherë që të ketë gënjyer! Ja, pra, Herakliti i tronditur nga ndikimi i letrës pas përgjigjeve të ma-rra nga Ebu Sufjani, armiku më i pamëshirshëm i muslimanëve, tha kështu:

– Nuk mund të mendohet që njeriu që nuk ka thënë kurrë gënjeshtër për njerëzit, të gënjejë për Zotin!

Në këtë ndodhi që e prekëm shumë shkurt vetëm për të përcjellur thelbin e saj lidhur me çështjen që po diskutojmë, ka dy argumente mbi drejtësinë e të Dërguarit të Allahut. I pari është fjala e thënë nga perandori romak dhe e dyta, përgjigjja e dhënë nga Ebu Sufjani i panderuar ende atë ditë me Islamin, me anë të së cilës ai e pranon dhe e vërteton drejtësinë e të Dërguarit të Allahut. Ç’e do që Herakliti nuk pati mundur të kapërcente lidhjet me pozitën, nuk pati përfituar nga një “pasuri” e vërtetë dhe e amshuar që i pati ardhur gjer te këmbët dhe nuk pati mundur të bëhej musliman e të hynte në bashkësinë e fatlumturve. Pavarësisht nga kjo, fakti që e pati pranuar kumtesën e të Dërguarit të Allahut duke u sjellur me respekt, pati qenë një gjest mençurie nga ana e tij, kurse për ne, një pohim i gëzueshëm, pohimi i besnikërisë së të Dërguarit të Allahut!

Në fakt, thëniet e Heraklitit janë shumë të thella. Një njeri i cili gjer në moshën dyzet vjeç nuk ka gënjyer edhe para njerëzve më të zakonshëm qoftë edhe për shaka, a mund të mendohet se ka gënjyer para Zotit dhe në një periudhë kur qe rrethuar nga vdekja?

Jasiri ende nuk ishte bërë musliman. Një ditë e pyeti të birin, Ammarin se ku po shkonte.

– Te Muhamedi, – iu përgjigj Ammari.

Kjo përgjigje i kishte mjaftuar Jasirit:

– Ai është një njeri i besueshëm. Kështu e njohin mekasit atë. Në se thotë se është profet, e drejtë, ashtu është. Sepse askush nuk ka dëgjuar që ai të thotë ndonjë gënjeshtër!

Këto fjalë, këto miratime nuk u përkisnin vetëm disa vetëve. Njerëzit që e patën njohur atë para profetësisë si dhe në periudhën e pasme të dritës, të gjithë dhe unanimisht e patën vërtetuar drejtësinë e tij.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali