Dhembshuria e Profetit Muhamed (s.a.s) ndaj fëmijëve dhe nipërve

dashuria-e-profetit-per-femije.jpg

Në një hadith të rrëfyer nga Muslimi, Enes b. Maliku i cili pati nderin e lartë t’i shërbejë të Dërguarit të Allahut dhe ta kryejë këtë punë me besnikëri të lartë për dhjetë vjet me radhë pa ndërprerje, thotë: “Nuk kam parë njeri më të dhembshur ndaj pjesëtarëve të familjes se Hz. Muhamedi!”[1]

Me të vërtetë, aq i dhembshur ishte Profeti, aq sinqerisht sillej dhe aq hapur vepronte, saqë është e pamundur të tregohet një kryetar familjeje dhe baba i dytë si ai!

Ndërkaq, po qe se ky pohim do të ishte vetëm i yni, rëndësia e tij ndoshta do të mbetej e kufizuar. Mirëpo janë me miliona njerëz të thelluar në dhembshuri sa të druhen të ngacmojnë edhe një milingonë, të cilët e pohojnë dhe e shpallin se nuk ka pasur njeri tjetër si i Dërguari i Allahut që të ndjente dhembshuri si ai për tërë qenien!

Si çdokush tjetër, edhe ai ishte krijuar si njeri, por Allahu kishte vënë në zemrën e tij një interesim të thellë për të gjithë qenien me qëllim që të krijonte lidhje me njerëzit. Prandaj ndodhte që i Dërguari i Allahut ishte plot interesim të paparë edhe ndaj pjesëtarëve të familjes, edhe ndaj njerëzve të tjerë.

Të gjithë fëmijët meshkuj i kishin vdekur herët.[2] Më në fund, i kishte lindur një djalë prej të shoqes Marie, por edhe ai nuk i kishte jetuar. Mes dhjetëra punëve të rëndësishme, Profeti shkonte shpesh te djali që ndodhej te taja, mëndesha, e merrte në krahë, në prehër, e përkëdhelte, e puthte dhe pastaj kthehej në shtëpi.[3] Edhe kur djali pati vdekur, e pati marrë në krahë duke shprehur me sytë plot lot hidhërimin e tij. Dhe atyre që e shihnin me mahnitje, u pati thënë: “Zemra dëshpërohet, sytë qajnë, por, inshallah, në dashtë Allahu, nuk do të themi gjë tjetër veç asaj që thotë Allahu e që i pëlqen Allahut!” Dhe, duke bërë me shenjë gjuhën e vet, u pati thënë: “Allahu të dënon për këtë!”[4]

Le ta përsërisim edhe një herë se Profeti ishte më i mëshirshmi e më i dhembshuri i njerëzve!

Ai i merrte nipërit Hasan dhe Hysen në krahë a në shpinë dhe shëtiste andej-këtej. A mund ta merrte fëmijën në shpinë një njeri i shkallës së tij e të dilte me të në rrugë a mes njerëzve? Ai e merrte dhe dilte! Dhe, duke vepruar kështu, përcaktonte të ardhmen e tyre dhe nderin që kishin për të fituar ata! Një ditë, kur përsëri Profeti po i shëtiste nipërit e tij hipur mbi shpinë brenda në shtëpi, hyri Hz. Omeri dhe, me t’i parë Hasanin dhe Hysenin në shpinë të Profetit, u tha: “Ç’kalë të bukur që keni!” Kurse Profeti iu përgjigj aty për aty: “Ç’kalorës të bukur këta!”[5] Pavarësisht nëse të nipërit ishin të vetëdijshëm për këtë apo jo, Profeti i nderonte me këtë mënyrë. Edhe një radhë tjetër, kur dikush i pati thënë Hasanit se ç’kalë të mirë kishte, Profeti i qe përgjigjur aty për aty se edhe ai ishte një kalorës i mirë![6] Profeti ishte ati i të gjithë njerëzve të shenjtë gjer në kiamet dhe, duke iu përkushtuar në mënyrë të veçantë këtyre dy imamëve të rëndësishëm të familjes profetike që bartnin në identitetin e tyre embrionet e nderit dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve të shquar e të shenjtë, i bartte ata herë pas here në supe ose në shpinë. Në këtë interesim të veçantë të Profetit për ta, pa dyshim që kishte pjesë familja profetike që do ta përfaqësonin, si dhe të gjithë njerëzit e shquar e të shenjtë. Prandaj, Abdulkadir Gejlani, një pjesëtar me rëndësi i familjes profetike, duke u nisur nga fakti që etërit e tij qenë bartur në supet e Profetit, thotë me të drejtë kështu: “Këmbët e bekuara të të Dërguarit të Allahut janë mbi supet e mia, kurse këmbët e mia, mbi supet e të gjithë njerëzve të shquar e të shenjtë!” Gjithsesi, kështu do të vazhdojë të mbetet gjer në kiamet!

Një radhë tjetër, Profeti pati dalë përsëri me nipërit në supe dhe u pati thënë atyre kështu: “Ç’kalë i mirë ky nën ju dhe ç’ngarkesë e mirë ju mbi të!”[7] Kështu i pati çmuar ai të bijtë e të nipërit, pati ngritur fron në zemrat e tyre dhe qe bërë i merituari i një dashurie mbi dashurinë e etërve dhe gjyshërve!

Si në çdo çështje tjetër, edhe në edukimin e fëmijëve, i Dërguari i Allahut pati ndjekur gjithmonë rrugën e mesme. Ai i donte me shpirt fëmijët dhe nipërit, ua shfaqte dhe i bënte ta ndjejnë këtë dashuri. Por ai kurrë nuk lejonte që ndjenja e tij e dashurisë të përdorej për keq, megjithëse nuk ndodhi kurrë që dikush nga bijtë apo nipërit e tij të prireshin apo niseshin për të bërë një gjë të tillë. Por kur ata bënin ndonjë gabim pa e ditur ose pa dashje, Profeti e vishte dashurinë e tij me seriozitet dhe, me një ashpërsi të matur, i pengonte ata të bënin veprime të dyshimta. Për shembull, një radhë, Hasani apo Hyseni, ende mjaft të vegjël për ta njohur çështjen përkatëse si dhe gabimin, zgjat dorën dhe merr një hurma nga ato të caktuara për sadaka, lëmoshë. Profeti kundërvepron menjëherë, ia merr hurmën nga dora djalit duke i thënë: “Hurma sadaka është haram (e ndaluar) për ne!”[8] Përgatitja e tyre qysh në atë moshë për të qenë të ndjeshëm ndaj haramit, gjërave jolegjitime, pra, të pabekuara e të ndaluara, është një nga shembujt e bukur të ekuilibrit në edukim!

Sa herë që Profeti të hynte në Medine kaluar, mund të shihje disa fëmijë të hipur bashkë me të e të kapur pas tij.[9] Kjo do të thotë se Profeti nuk tregonte dashuri dhe dhembshuri vetëm ndaj fëmijëve dhe nipërve të vet, por edhe ndaj fëmijëve të shtëpive fqinje që banonin edhe më larg. Ai i merrte pranë ata me shumë dhembshuri dhe sinqeritet duke ua fituar zemrat me dashurinë që u tregonte.

Por dashuria e tij nuk u përkiste vetëm djemve e nipërve, por edhe vajzave dhe mbesave. Ashtu siç i donte Hasanin dhe Hysenin, ai e donte edhe të mbesën Umame. Dhe e donte aq shumë, saqë e patën parë edhe në rrugë me të mbesën në krahë ose në sup. Pati ndodhur edhe që ta merrte në shpinë Umamen kur falte namaz. Kur do të binte në sexhde, e ulte mbesën në tokë dhe, kur ngrihej, e merrte përsëri në shpinë.[10]

Dashurinë për të mbesën Umame, Profeti e shfaqte para njerëzve dhe një shoqërie të tillë që gjer një ditë më parë i groposnin vajzat e vogla përsëgjalli. Kështu, interesimi dhe dashuria që tregonte hapur Profeti ndaj të mbesës, ishte diçka krejt e re, një mënyrë sjelljeje krejt origjinale e paparë ndonjëherë gjer në atë kohë!


[1] Muslim, Fedail, 63; Musned, 3/112.
[2] Ibni Kethir, el-Bidaje, 5/328.
[3] Mexhmau’z-Zevaid, 9/161; Muslim, Fedail, 62.
[4] Buhari, Xhenaiz, 44; Muslim, Fedail, 62, 63; Xhenaiz, 12; Ibni Maxhe, Xhenaiz, 53; Musned, 3/194; Ebu Davud, Xhenaiz, 24.
[5] Mexhmau’z-Zevaid, 9/181.
[6] Kenzu’l-Ummal, 13/650.
[7] Mexhmau’z-Zevaid, 2/297; Kenzu’l-Ummal, 13/663.
[8] Musned, 2/279; Muslim, Zekat, 161.
[9] Hajatu’s-Sahabe, 3/182.
[10] Buhari, Edeb, 18; Ibni Sa’d, Tabakat, 8/39.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali