ISRA DHE MIRAXHI

profeti-muhamed-6.jpg

Që nga malli i përjetuar në Hira kishin kaluar gjithsej dhjetë vite. Koha tregonte ditën e njëzet e shtatë të muajit Regaib. Gjatë kësaj kohe, ata ishin përpjekur jashtëzakonisht shumë, por Meka prapë ishte treguar kokëmushkë për të mos e pranuar atë që i ofrohej prej të Dërguarit të Allahut. Në fakt, kishte edhe nga ata që nuk mohonin, por pas gjithë atyre përpjekjeve, jo të mohonin, apo thjesht pohonin me fjalë, por duhet të vinin duke rendur kah besimi dhe bukuritë e tij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk jetonte vetëm për vete. Ai përdorte çdo mundësi që i vinte doresh, duke trokitur çdo ditë nga porta në portë.

Edhe përgjigja që merrte gjithë kjo rropatje përpjekjesh ishte e dukshme. Reagimi që treguan kurejshët pas vdekjes së Ebu Talibit dhe nënës sonë, Hatixhes së nderuar (r.a.), ato që përjetoi në Taif, ia kishin shqetësuar tej mase shpirtin, duke e bërë tani që të ndjente paqe vetëm duke u strukur në mëshirën e ngrohtë hyjnore. Zaten, po të mos ishin edhe këto frymë mëshire, ashpërsia e mekasve ishte e papërballueshme.

Sakaq, një mbrëmje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi në shtëpinë e vajzës së Ebu Talibit, Umu Hamisë, e ç’të shihte, tavani u hap krejt, e së andejmi erdhi sërish miku i Tij më besnik, Xhebraili (a.s.). Ardhja kësaj here ishte ndryshe nga radhët e tjera. Me vete kishte një kafshë, mbi të cilën kishin hipur edhe profetët e tjerë më parë, por që kësaj here ishte pak më e madhe, diku në përmasa më të vogla se një mushkë, me emrin e veçantë “Burak”. Dukej qartë se bëhej fjalë për një ftesë, e për ta marrë kishte ardhur pikërisht miku i Tij më i mirë, Xhebraili. Mbreti i profetëve, Ahmed Mahmud Muhamedi (s.a.s.) ishte kësaj here i ftuari i veçantë i Allahut, të cilin po e ftonte në lartësitë qiellore.

Me një fjalë, gjithë ai pikëllim i përjetuar gjer më sot, do të shpërblehej me një qerasje të një natyre krejt të veçantë… Të vërtetat që Ai kishte kohë që i ndjente në thellësi të shpirtit të vet, tanimë Allahu po e ftonte që t’i dëshmonte me vetë sytë e Tij. Do ta merrte që nga Meka për ta gjezdisur në s’dihet se ç’vise të veçanta qiellore.

Vetëm se, para këtij udhëtimi, duhej kryer një procedurë si ajo që kishin ndjekur njëherë, teksa Muhamedi i vogël gjendej në shtëpinë e mëndeshës së Tij. Andaj, Xhebraili besnik i hapi Atij gjoksin, dhe ia pastroi me ujin e pastër të Zemzemit. Ia mbushi mirë e mirë edhe me xhevahiret e besimit dhe urtësisë, e pastaj ia mbylli. Sakaq, i besuari i qiellit, Xhebraili, do t’i printe të besuarit të tokës, Muhamedit (s.a.s.) drejt një udhëtimi të pashoq e të parrëfyeshëm në viset më të qashtra qiellore.

 

Isra

Buraku, të cilit i kishte hipur sipër lëvizte aq shpejt, sa në çdo hap që hidhte, dukej sikur e hidhte hapin pikërisht në pikën e fundme të horizontit, duke kaluar sakaq distanca marramendëse. Me të hipur në të zaten hapësira pati ndryshuar krejt, derisa Ai e kishte parë veten në Faltoren në Jerusalem. Shkoi dhe e lidhi Burakun pikërisht në vendin ku e patën lidhur edhe profetët e tjerë. Sakaq u nis për brenda faltores ku do të falte namaz.

Këtu ishin mbledhur robërit më të devotshëm të Allahut, të zgjedhur po nga vetë Ai, të cilët po prisnin të vinte vula e profetësisë, e cila ishte vetë Muhamedi (s.a.s.). Me ta parë që po vinte, ata e pritën me mijëra përshëndoshje, duke filluar një e nga një për t’u rreshtuar që të kryenin detyrën më të rëndësishme të botës. Të gjithë profetët ishin mbledhur në një saf të përbashkët për të falur dy rekatëshin e namazit. Tanimë u kishte ngelur të prisnin vetëm për të Dërguarin e Allahut. Dukej që linja e Ibrahimit (a.s.) do të finalizohej me emrin e Muhamedit, i Cili do ta ndiqte këtë çështje deri në ditën e Kiametit. Zaten ky ishte kuptimi i zgjedhjes posaçërisht të këtij, e jo ndonjë vendi tjetër. Duhej që kryerja e kësaj detyre të bëhej në një vend të përbashkët për shumicën e profetëve, por që më pas do ta kthente vëmendjen kah Meka. Nëse do të shihej nga këndi i takimit me disa prej profetëve paraardhës më tej, gjatë këtij rrugëtimi, do të vërehej vëmendja tek e njëjta temë, e cila theksonte medoemos bashkësinë e nevojshme të shpresës për të ardhmen.

Sakaq, Më i Dashuri Famëlartë zuri vend në krye të xhematit… Ky ishte simboli që krijesat do të mblidheshin edhe njëherë tjetër, të gjitha, aty, përballë Krijuesit të tyre. Fëmijët e Ademit, pamja e ritakimit të tyre edhe njëherë, dhe personi me emrin e të cilit ai kishte kërkuar falje para portës së Allahut… Derisa profetët u lidhën të gjithë në namaz pikërisht prapa Tij, kjo tregonte se edhe bashkësitë e tyre, do të vinte një ditë, që do të lidheshin po pas fesë së Tij.

Në fund të faljes, përpara iu vendosën tri enë; njëra me qumësht, njëra me ujë dhe njëra me pije. Duhet të zgjidhte njërën syresh. Pa kurrfarë ngurrimi, zgjodhi atë me qumësht. Kjo zgjedhje e Profetit tonë të dashur e emocionoi jashtë mase edhe Xhebrailin e bekuar (a.s.).

– Duke zgjedhur qumështin, Ti zgjodhe rrugën e së vërtetës, dhe umeti Yt ka për të qenë përherë udhëtar i rrugës së drejtë. Sepse ky ishte rezultati i leximit siç duhet të realitetit, dhe zgjedhja e bërë duhet të shprehte pikërisht natyrën njerëzore. Edhe zëri që jehonte aty këtë thoshte:

– Nëse do të kishe zgjedhur ujin, atëherë umeti Yt do të ishte mbytur. Po të kishte zgjedhur pijen, atëherë bashkësia e Tij do të dehej, e do të nxirrte çdofarë ngatërresash rrethendanë. Por, derisa kishte zgjedhur pikërisht qumështin, edhe Ai, edhe bashkësia e Tij, do të ishin përherë në udhë të drejtë.[2]

 

Miraxhi

Surprizat nuk kufizoheshin vetëm me Jerusalemin. Xhebraili (a.s.) e ftoi Atë që ta vazhdonin më tej udhëtimin e tyre qiellor. Për një çast krejt hapësira rreth e qark u shndërrua me njëmend, duke bërë që të niste një udhëtim gjithë të fshehta, dhe surpriza. Ngjiteshin kat më kat në qiell, dhe sapo prekën në portën e parë, u përballën me një zë që i priti:

– Kush je ti?
– Xhebraili.
– Me kë ke ardhur?
– Muhamedin!
– Profet është Ai?
– Po, profet!

Kodet ishin thënë siç duhej, kështu që qielli tokësor tashmë ishte shumë larg. Përballë profetit të nderuar po qëndronte njeriu i parë, Ademi (a.s.) Në fillim e priti dhe e përshëndoshi me një përgëzim, e mandej filloi të lutej për Të. Vetëm se në qëndrimin e tij vërehej diçka tejet e çuditshme. Kur shihte në anën e djathtë të tij, buzëqeshte, ndërsa kur shihte në të majtën, e kaplonte një e qarë e pandalshme. E pa edhe njëherë me vëmendje, dhe në të dyja anët nga shihte ai kishte grumbuj të mëdhenj njerëzish. Pa e lënë të pyeste, ishte Xhebraili (a.s.) ai që filloi t’ia shpjegonte:

– Ky është Ademi. Ndërsa retë e njerëzve që i rrinë në të dyja anët janë pasardhësit e tij. Ata që janë në të djathtë, janë njerëzit e Xhenetit, ndërsa ata që rrinin në të majtë, ishin njerëzit e Xhehenemit, të cilët, sapo i shihte, e kaplonte një ndjesi dëshpërimi, pas së cilës nuk e mbante dot të qarën.

Tanimë në çdo portë të qiellit kishte nga një ceremoni më vete, dhe për më tepër edhe takohej me nga një profet të veçantë. Përshëndoshej me ta, e pasi merrte përgëzimet e secilit prej tyre nisej në drejtim të portës tjetër. Në të dytin Ai u pa me dy profetë, të cilët ishin djem tezesh me njëri-tjetrin, Jahjanë (a.s.) dhe Isain (a.s.), në të tretin pa Jusufin (a.s.), në të katërtin pa Idrisin (a.s.), në të pestin pa Harunin (a.s.), ndërsa në të gjashtin pa Musanë (a.s.), deri në të shtatin, ku u takua personalisht me Ibrahimin (a.s.). Secili nga ata i thurte lavde dhe përgëzime këtij njeriu, i cili do të ishte vula e profetësisë së Allahut. Gjatë këtij udhëtimi, Ai pati parë Musain (a.s.) që po qante, dhe e pati pyetur se ç’kishte:

– Qaj, sepse ky djalosh është nisur si profet kohë pas meje. Numri i atyre që do të hyjnë në Xhenet prej bashkësisë së Tij është shumë më i madh se i atyre që do të hyjnë në Xhenet prej bashkësisë sime.

Miraxhi ishte emri i një udhëtimi tërë të papritura, e kryekrejet surprizues. Kishte edhe shumë gjëra të tjera që do t’i shihte gjatë këtij udhëtimi. Muri i Bejti Mamurit, ku ishte mbështetur Ibrahimi (a.s.), po qëndronte tani përballë Tij me të gjitha zbukurimet dhe gurët e tij të çmuar dhe ngjyrat laryshane që të verbonin bukurie. Një mur, në të cilin hynin nga shtatëdhjetëmijë engjëj njëherësh, e që nuk dilnin më, duke qenë se ky vend ishte pikërisht projektimi i Qabes së nderuar me rrethrrotullime, në qiell.


[1] Isra dhe Miraxhi janë një mrekulli e verifikueshme me transmetimin e qëndrueshëm e të njënjëshëm të Kuranit dhe Sunetit.
[2] Ibni Hisham, Sire, 2/242-3

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali