Kërkesa e Fatimes (r.a) për shërbyes

shutterstock_567451750.jpg

Një fragment tjetër nga sistemi i tij i edukimit të profetit na e japin Buhariu dhe Muslimi. Ngjarjen e tregon Hz. Aliu, i cili thotë:
“Ne nuk kishim shërbëtor në shtëpi. Të gjitha punët i bënte Fatimja vetë. E gjithë shtëpia jonë përbëhej nga një dhomë e vogël. Aty Fatimja ndizte zjarrin dhe përpiqej të gatuante diçka. Shpesh detyrohej të ulej për ta fryrë zjarrin që të merrte flakë dhe shkëndijat që i binin mbi trup ia kishin bërë rrobën vrima-vrima. Ajo gatuante bukën, mbante ujë dhe bluante me mokrën e dorës. Nga rrotullimi i gurit të mokrës i kishin zënë kallo duart, kurse nga mbajtja e ujit, i kishte zënë kallo kurrizi! Një ditë, në kthim nga një fushatë, ushtria solli me vete në Medine robër lufte. Profeti ua ndante robërit banorëve të Medinës që i bënin kërkesë. Unë i thashë Fatimes të shkonte te i ati për t’i kërkuar një shërbëtor që ta ndihmojë në punët e shtëpisë…”
Dhe tani le ta dëgjojmë vazhdimin e ngjarjes nga vetë Hz. Fatimja. “Shkova te im atë por s’e gjeta në shtëpi. Aishja më tha se, sapo të vinte, do të më lajmëronte. Ne kishim rënë në shtrat kur i Dërguari i Allahut hyri papritmas. Unë dhe Aliu u përpoqëm të ngriheshim shpejt, por ai s’na la dhe u ul pranë nesh. Freskinë e këmbës së tij që më prekte në kraharor, e ndjeja thellë. I Dërguari i Allahut na pyeti se ç’kërkonim. Unë ia përshkrova gjendjen dhe ia tregova kërkesën. Ai u bë serioz menjëherë dhe më tha kështu: “O Fatime, frikësohu nga Allahu dhe mos lër asnjë të metë në detyrën tënde ndaj Allahut. Dhe kryeji siç duhet detyrat që të ka ngarkuar Allahu mbi supe. Dhe ji gjithmonë besnike dhe e bindur ndaj tët shoqi! (Ti ke dy detyra: adhurimin ndaj Allahut dhe bindjen ndaj burrit) Po të them ty edhe diçka të veçantë. Kur dëshiron të biesh në shtrat, të thuash tridhjetë e tri herë Subhanallah, tridhjetë e tri herë Elhamdulil’lah dhe tridhjetë e tri herë Allahu Ekber! Ja, kjo është më e dobishme e më e bekuar për ty se shërbëtori!”
Kuptimi i kësaj ishte kështu: Unë e drejtoj shikimin tënd nga botët e larta dhe ti ke dy rrugë për t’u takuar dhe bashkuar me mua atje: e para, ta kryesh pa asnjë të metë dhe mangësi detyrën e robit ndaj Zotit; e dyta, ta kryesh plotësisht detyrën dhe përgjegjësinë tënde ndaj burrit. Po qe se shërbëtori apo shërbëtorja zënë vendin tënd në detyrat e tua ndaj burrit dhe bëjnë ato gjëra që duhet t’i bësh ti, kjo mund të bëhet shkak që ti të mbetesh në një farë mase e mangët. Kurse ti duhet të jesh e përkushtuar e dyanshme, edhe ndaj burrit, edhe ndaj Zotit. Si mund të bëhet njeriu një rob i përsosur i Allahut dhe t’i kryejë detyrat ndaj Tij në mënyrë të përsosur? Si mund të bëhet njeriu një njeri i përsosur dhe t’i kryejë në mënyrë të plotë e të përsosur detyrat dhe përgjegjësitë që i bien sipër? Ja ç’të takon ty: të kërkosh t’i mësosh e t’i dish këto!
Ti më parë plotësoje në mënyrën më të përsosur detyrën e robit ndaj Zotit tënd dhe bëhu adhuruesja më e përsosur. Pastaj çoje në vend përgjegjësinë tënde ndaj një njeriu të madh si Aliu që bart në esencën e tij njerëzit e shquar e të shenjtë që do të vijnë gjer në kiamet, dhe bëhu një njeri i përsosur, në mënyrë që të takohesh e të bashkohesh me mua në xhenet që është vendi ku mblidhen të gjitha përsosmëritë dhe të përsosurit!
Këtu nuk ma bën zemra të kaloj pa parashtruar një specifikë të ndërmjetme lidhur me Hz. Aliun. I Dërguari i Allahut ia kishte dhënë vajzën Aliut pa u lëkundur aspak, sepse ai ishte i pajisur me dinjitetin për të qenë burri i një vajze profeti dhe dhëndër profeti, sepse ai ishte kryeshenjtor dhe i krijuar për t’u bërë baba shenjtorësh. Një ditë, i Dërguari i Allahut i pati thënë kështu atij: “O Ali! Brezi i çdo profeti ka vazhduar duke u nisur prej tij, kurse brezin tim do ta vazhdosh ti!” Pra, pati dashur t’i thoshte kështu: “Ti do ta ujisësh drurin tim gjenealogjik, ti do ta rritësh dhe ti do ta zhvillosh e rregullosh. Si rezultat, ata që do të mbledhin frytet, bashkë me mua do të përmendin edhe ty si pjesëtar të shtëpisë profetike!” Për rrjedhojë, po ta shohim çështjen nga kjo anë, bindja ndaj Hz. Aliut është e njëjtë me bindjen ndaj të Dërguarit të Allahut. Dhe bindja ndaj të Dërguarit të Allahut do të thotë bindje ndaj Allahut!
Në lidhje me të drejtën e burrit në kuptim të përgjithshëm, Profeti porosit kështu: “Po qe se do të bëhej fjalë për sexhde ndaj tjetërkujt veç Allahut, do t’i urdhëroja gratë t’u bëjnë sexhde burrave!” Po të ishte e lejueshme kjo gjë, Aliu e kishte merituar këtë prej kohësh. Sigurisht, po të bëhej fjalë për sexhde të grave ndaj burrave, Aliu ishte i pari që e meritonte këtë gjë. Dhe tani, kur shërbimi ndaj Aliut merrte kaq shumë rëndësi në çështjen e përkushtueshmërisë së saj të dyanshme, përdorimi i shërbëtorit nga Hz. Fatimja do të thoshte për të t’i thyhej njëri krah i kësaj përkushtueshmërie. Kurse një grua e tillë me një krah nuk mund të bëhej nëna e Hasanit, Hysenit, Gejlanit dhe sa e sa njerëzve të shquar që do të vinin pas tyre gjer në kiamet! Për ta bërë të bijën Fatime një nënë kaq të madhe, i Dërguari i Allahut ia priste pothuaj të gjitha lidhjet dhe interesimet për këtë botë dhe ia kthente në drejtim të botës tjetër të përjetësisë. Sepse edhe Allahu kështu e pati rritur dhe edukuar atë vetë. Kur Profeti pati hapur sytë në këtë botë, nuk e pati gjetur të atin dhe kur qe bërë gjashtë vjeç, ia kishte marrë edhe mbështetjen tjetër, nënën. Dhe kur ishte ende në fillimet e jetës, ia kishte hapur rrugët që shkonin për te drita e teuhidit, besimit monoteist te Allahu si Zoti i vetëm i gjithësisë, për te e fshehta e unitetit të Zotit. Në fakt, për një farë kohe, për të ishte kujdesur i gjyshi Abdulmuttalib, një eveniment, ky, ndoshta, për ta fshehur dinjitetin dhe madhështinë si dhe për ta nderuar mbrojtësin dhe kujdestarin, megjithëse, në fund të fundit, kjo përbënte vetëm një vlerë shkakësore e jo esenciale, kurse kujdesi i Ebu Talibit nuk e pati kapërcyer dot kujdesin dhe mbrojtjen e një ungji, ndërkaq që fakti që Ebu Talibi ishte babai i Hz. Aliut, ishte për të një dhunti e rëndë dhe me përgjegjësi të përjetshme. Në sajë të kësaj afërsie, do të vinte një ditë që edhe Profeti do ta merrte pranë Aliun, do ta rriste e do ta bënte njeri të shquar. Kështu e pati trajtuar Allahu atë duke e shkëputur nga të gjitha shkaqet, dhe e pati kthyer nga vetja me të gjitha ndjenjat e tij. Profeti i ardhshëm, Muhamedi, duhej të bëhej përfaqësues i të vërtetës: “Zoti ynë, ne t’u dorëzuam vetëm Ty dhe i kthyem shikimet vetëm nga Ti!” (Mutmehine, 60:4). Ai duhet t’i besonte Allahut dhe të mbështetej te Ai!
Fatimja ishte bija e tij. Ai nuk mund t’ia kursente të bijës gjërat që ia pati favorizuar dhe dhuruar Zoti në lidhje me edukatën, të bijës që do të bëhej nëna e shumë njerëzve të shquar e shenjtorëve që nga Hasani e Hyseni. Prandaj ajo duhej rritur dhe përgatitur për t’iu bërë embrion atyre fryteve të bekuar. Pikërisht për këtë arsye ndodhte që, krahas dhembshurisë, mëshirës e dashurisë, Profeti e kthente dhe e mbante vazhdimisht vështrimin e Fatimes nga botërat e larta.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali