Lutjet e Profetit (s.a.s) gjatë namazit

silhouette-man-doing-prayer-namaz-front-mosque_1302-18379.jpg

Pas tekbirit fillestar:

“E drejtova fytyrën nga Ai që ka krijuar qiejt e tokën, duke i kthyer shpinën gjithçkaje, veç Tij dhe duke u dorëzuar te Ai. Unë kurrë nuk jam nga mushrikët. Padyshim që namazi im, adhurimi im, jeta e vdekja ime, janë për Zotin e botërave, Allahun. Ai nuk ka ortakë. Mua, kjo më është urdhëruar dhe unë jam prej myslimanëve. Zoti im, Ti je i gjithëpushtetshmi “Melik”! Nuk ka zot tjetër veç Teje. Ti je Zoti im dhe unë jam robi yt. Unë i bëra keq vetes, i pohoj mëkatet e mia, veç Ti m’i fal të gjitha mëkatet, se s’ka tjetër veç Teje që të mund të falë”520.

Një nga lutjet që lexohen në ruku:

“O Zoti im, para Teje u përkula në ruku’, Ty të besova, Ty t’u dorëzova. Veshi im, syri im, palca e kockat e mia, sistemi im nervor e gjithë ç’mbajnë këmbët e mia, janë përkulur e i janë bindur Zotit të botërave, Allahut!”521

Kur drejtohet nga rukuja:

“O Zoti im! Të gjitha falënderimet të përkasin vetëm Ty, për Ty janë lavdërimet e falënderimet sa përfshijnë qiejt, tokën e gjithçka mes tyre. Për Ty janë falënderimet, aq sa do të dëshirosh e krijosh paskëtaj”522.

Në sexhde:

“O Zoti im! Për Ty rashë në sexhde, Ty të besova, Ty t’u dorëzova. Fytyra ime ra në sexhde para Atij që e krijoi, i dha formë, i dha sy e veshë. Sa i lartë është Allahu, Ai që ka krijuar gjithçka në vlerën optimale! O Zoti im, fali të gjithë mëkatet e mia, të vogla, të mëdha, të hershme, të vona, të hapura e të fshehta!”523

Çfarë tjetër bën njeriu në jetë, përveç adhurimit? Ha e pi, shtrihet e ngrihet, qesh e qan, gëzohet e hidhërohet, martohet, bëhet me fëmijë… vesh rroba të reja, niset për udhëtim ose kthehet nga udhëtimi, lufton, përpiqet, kthehet nga beteja, merr një lajm të mirë a të hidhur… takon një mik të dashur, sëmuret, shërohet… fle, shikon një ëndërr të bukur ose një ëndërr të frikshme, bashkë me këto bën edhe qindra gjëra të tjera, gjendet edhe në sa e sa situata të tjera. Ja, profeti, në të gjitha këto situata, gjatë gjithë këtyre veprimeve, thotë nga një lutje të posaçme për atë situatë, duke lartësuar qenien e tij njerëzore dhe duke e bërë thuajse një me engjëj. Përveç këtyre, ka edhe plot ngjarje që përjetohen jashtë njeriut, që i interesojnë atij në mënyrë indirekte. Për shembull thatësira, eklipset, zjarri, përmbytjet, stuhitë e fatkeqësitë e tjera natyrore, të cilat edhe nëse nuk e dëmtojnë njeriun drejtpërsëdrejti, në një farë mënyre e ndikojnë atë. Edhe në këto raste, profeti lexon lutjet e posaçme, që edhe të formohet shpirti i përbashkët i shoqërisë, edhe njerëzit t’i drejtohen Zotit në çdo situatë. Përveç këtyre, është Xhevsheni. Po, Xhevsheni, i cili përcjellë nga imamët e ehli bejtit, ndaj ndoshta për këtë arsye nuk ka marrë shumë famë mes dijetarëve suni, po që ka qenë gjithmonë një lutje e praktikuar pa ndërprerje e pa u lënë pas dore nga të mëdhenjtë. Një njeri që shfleton Xhevshenin, mund të konceptojë aty më së miri thellësinë e profetit e të lutjes së tij. Shumë herë e theksuam edhe në krye të fjalës, se nuk ishte qëllimi ynë këtu të përcillnim lutjet e profetit. Ne kërkuam të tregonim se edhe në lutje, ai nuk ka shok, është i paarritshëm dhe se lutja është shoqëruese në çdo moment të jetës së tij. Natyrisht që ky përfundim nuk mund të arrihet e nuk mund të konceptohet drejt, pa i parë të gjithë ato lutje. Ne thjesht u munduam të jepnim një ide të përciptë, duke paraqitur këtu disa prej tyre. Kjo puna e jonë mund të krahasohet me atë që tregon një rrëke uji, për të faktuar një ujëvarë të tërë. Po, ne e pohojmë, e besojmë dhe e vërtetojmë se ai nuk ka shok, as të ngjashëm, në çdo aspekt të virtytit. Ai është një kulm në kulmin e të gjithë mirësive, ndaj dhe ne, në krye të kësaj vepre, gjer këtu i përpoqëm të rinovonim ë te provonim besimin që kemi për këtë. Nëse ka ndonjë të metë, ajo rrjedh nga mangësia jonë e të konceptuarit, ose e të shpjeguarit, sepse Ai është larg të metave, i pastër nga gabimet, Ai është i përzgjedhuri Muhamed (s.a.s.). Në gjithë jetën e këtij personi, që çdo çast të Tijin e ka ndriçuar duke parë nga Zoti, është e pamundur të gjendet qoftë edhe një çast i vetëm errësire a zymtësie. E gjithë jeta e tij është lutje, përgjërim. Që ditën që ka lindur, ka thënë: “Ummeti, ummeti!” Edhe ditën e ringjalljes, ashtu do të thotë!524 Po, i gjithë halli i tij ishte populli i vet. Nuk më bën zemra ta mbyll këtë temë në lidhje me profetin. Ndërsa flisja për të, isha në një të tillë atmosferë, sa më duket se ndodhesha bashkë me të, ndaj dhe nuk më bëhet ta lë një mjedis të tillë të bekuar. Tani, erdhëm e prekën fundin. Tani jam i detyruar të lidh nyjën e heshtjes. Ndaj dhe dua ta mbyll fjalën me këto shprehje të mbushura me dritë e me kuptim të një Sulltani të Fjalës, me qëllim që të përfundojë bukur e të kundërmojë bukur.

“Po, po… Shikoni personin shpirtëror të Atij simboli hyjnor. Gjithë bota është mesxhid, Meka një mihrab*, Medina një minber**, Ai, profeti ynë (a.s), që është argumenti i Zotit të Tij dhe tregon Zotin e Tij, është udhëheqës i të gjithë besimtarëve, ligjërues përballë gjithë njerëzve, prijës i gjithë profetëve, zotëri i gjithë miqve të Zotit dhe kreu i përmendësve të gjithë hallkave të përmendjes e të falënderimit, të formuar nga profetët e të zgjedhurit. Aq pemë e ndritshme që është Ai, sa profetët janë rrënjët e saj, që e mbushin me jetë; të përzgjedhurit janë frutat e saj të freskëta. Të gjithë të dërguarit, me kauzat e tyre të mbështetura në mrekulli profetike dhe të gjithë të përzgjedhurit, me misionet e tyre të ndihmuara me keramet – mrekulli të dhuruara nga bujaria hyjnore – hedhin firmën e tyre nën dëshminë e tij dhe e vërtetojnë atë. Sepse ai thotë “la ilahe il’lallah!”, brohoret… E majta dhe e djathta, domethënë ata përmendës të ndritshëm që rreshtohen në të shkuarën e në të ardhmen e tij, të gjithë së bashku pohojnë me shpirt: “Fole saktë, the të drejtën!” E kush është ai që guxonndërhyjë në një thirrje të tillë, në një kauzë të vërtetuar e të dëshmuar me gjithë këto firma të panumërta?

Ai fakt i ndritshëm i tevhidit (besimit në një Zot të vetëm), ashtu sikur përforcohet e vërtetohet unanimisht nga dy anët, ashtu vërtetohet e faktohet edhe nga qindra shenja treguese që zënë vend në librat hyjnorë, si Ungjilli e Tevrati, nga gjithë ata njerëz e ngjarje para profetësisë, nga dëshmi e parathënie të panumërta, të thëna nga parathënësit e orakujt, e nga mrekullitë që mund të shprehen veç me mijëra…Bashkë me këtë është edhe drejtësia e vërtetësia e fesë që ai solli, e cila e vërteton atë. Përveç tyre, morali optimal i tij, që meriton t’i thuren lavde, karakteri e natyra e tij e përsosur, në përshtatje me misionin e tij dhe të gjitha këto bashkë me besimin e tij të patundur, dëshirën e përpjekjet e tij për të ftuar këdo në besim, ruajtjen e largimin e tij nga çdo lloj mëkati, që paraqet besnikërinë e sigurinë e tij; adhurimi e përkushtimi i tij i paparë, serioziteti i tij i pashok, qëndrueshmëria e vendosmëria e tij e rrallë, tregojnë më së miri besnikërinë e tij ndaj kauzës së vet dhe e qartësojnë atë si dritë dielli. Po deshe, eja shkojmë në gadishullin arabik, në periudhën e Shekullit të Lumturisë. Le të imagjinojmë sikur e vizitojmë në krye të misionit të tij. Ja, shiko! Do të shohësh një person të zgjedhur, në kulmin e bukurisë fizike e shpirtërore, me një mënyrë jetese të përkryer, i cili në dorë ka një libër të mrekullueshëm, në gjuhë një ligjëratë që tregon të vërtetat dhe është duke i kumtuar gjithë njerëzimit, ndoshta edhe xhindeve, engjëjve e të tjerëve, ndoshta gjithë ekzistencës, një kumtesë pa kufi kohe… Ai hap e zbulon enigmën që fsheh misterin e krijimit të botës, hap magjinë e sofistikuar të sekretit të gjithësisë, e zbërthen atë dhe u jep përgjigje të pranueshme atyre pyetjeve që i janë bërë gjithkujt dhe kanë pushtuar çdo mendje, duke e bërë të mahnitet: Çfarë je? Nga vjen? Ku shkon?

Ja, shih! Gjithë ato tribu të ndryshme e inatçore, të egra e fanatike në traditën e tyre. Për shumë pak kohë, Ai shkuli nga bota e tyre traditat e këqija, karakteret e egra, i pajisi ato me gjithçka në emër të moralit të pastër e të virtytit dhe i bëri mësues e mjeshtra për kombet e qytetëruara e për gjithë botën. Shiko, nuk është thjesht një entuziazëm i përkohshëm e ndikim sipërfaqësor! Ai ndikon, pushton e triumfon mendjet, zemrat e egot e tyre. Ai u bë i dashuri i zemrave, mësuesi i mendjeve, mbreti i shpirtrave dhe udhëzuesi i arsyeve”.

O mbret i shpirtrave tanë! Ti u bëre mbret në shpirtrat tanë, e shpirti ynë të qoftë falë! Na ndero, e pranoje…!

520 Muslim, Musafirin, 201; Tirmidhi, Davaat, 32.

521 Muslim, Musafirin, 201

522 Muslim, Salat, 202-203

523 Muslim, Musafirin, 201

524 Buhari, Tevhid, 36

*  Vendi ku rri imami në xhami kur drejton faljen

**  Vendi ku nga ku predikohet kumtesa të premten (hutbeja e xhumasë)

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali