Lutjet e Profetit (s.a.s) kur ngrihej për Tehexhud

muslim_german_bundeswehr_ground_patrol_pray_namaz_1920x1080_46010-2.jpg

Namazin e natës ai e zbukuronte me këtë lutje që e thoshte kur ngrihej:

“O Zoti im, për Ty janë gjithë falënderimet. Ti je “Kajjum”, që mban në këmbë qiejt, tokën e gjithë ç’ka në to. Të gjitha falënderimet janë për Ty. Ti je “Melik”, pronar e sundues i plotfuqishëm, i vërtetë i qiejve, tokës e gjithë ç’ka në ta. Të gjitha falënderimet janë për Ty, Ti je Drita e qiejve, e tokës e gjithë ç’ka në ta510. Leximi i kësaj lutjeje në mes të natës është shumë domethënës. Madhështia marramendëse e qiejve natën duket më së miri, ndërsa yjet vështrojnë drejt tokës, njeriut i lindin në shpirt ndjenja të pashpjegueshme. Po ashtu, edhe toka është një sonatë e kësaj simfonie. Dhe kjo lutje falënderon Allahun, i cili i mban në këmbë me gjithë mrekullinë, madhështinë e ekuilibrin e tyre. Shumë mendojnë se atributi “Kajjum” që përmendet këtu, është nga Emrat e Mëdhenj (Ismi Adham). Shpeshherë, Profeti përdor këtë emër, kuptimet e shfaqjet e tij, në lutjet që i drejtohet Allahut. Edhe pasuria, edhe pushteti janë të Allahut, ndaj Ai është i vetmi “Melik” – i Gjithëpushtetshëm, i vetmi “Malik”, pronar e sundues absolut. Çfarë besnikërie! Çfarë lidhje me besën ka ky profet! Dy-tre orë para, ai rinovoi premtimin e ra në gjumë, duke u zgjuar sërish, më së pari rinovon besën e fjalën e dhënë. Sepse ai është kthyer në botën e dëshmuar, nga ato botëra që ka shëtitur në gjumë dhe më së pari i duhet të rinovojë dëshminë e besën e tij. Pastaj vazhdon lutjen me këto fjalë: “Për Ty janë të gjithë falënderimet, Ti je e Drejta, e Drejtë është fjala e besa Jote! I drejtë, i vërtetë është takimi me Ty, e vërtetë është fjala Jote, të vërteta janë ferri e parajsa! Të vërtetë janë profetët e profeti Muhamed! E vërtetë është Dita e Kijametit! Zoti im, t’u dorëzova Ty, të besova Ty, t’u drejtova Ty, u solla nga Ti. Vetëm me mirësinë Tënde u përpoqa, vetëm vendimin Tënd kërkova! Më fal të gjithë mëkatet e të kaluarës e të së ardhmes, (mos më lejo të hyj në mëkat dhe mbylli portat e mëkatit për mua). Falmë edhe veprat që i bëra haptas edhe ato që i bëra fshehtas. Dhe përtej këtyre, falmë edhe ata mëkate që Ti i di shumë më mirë sesa unë. (Unë mund të di atë që kam në zemër, po mund të mos e di të fshehtën, misterin e ato që kam në botën e padëshmuar. Nëse në bazë të këtyre ndjenjave kam pësuar ndonjë shkëputje pa e ditur, Ti më fal edhe për këtë!) Ti je Ai që të vë para, ti je Ai që të lë mbrapa. Nuk ka zot tjetër veç Teje. Forca, pushteti i përkasin vetëm Allahut”511. Kur thuhet “I Drejtë- i Vërtetë- Hakk”, në bazë të parimit “përmendja absolute tregon sublimen e atributit”, i pari që na vjen ndërmend është Allahu (xh.xh.). Ndaj dhe profeti, me këtë lutje, shpall e brohoret se çdo gjë që vjen nga Allahu, është e drejtë, e vërtetë. Akoma pa u shtrirë, ai i paraqet dorëzimin e tij Allahut, tani, akoma pa u ngritur, shpall sërish dorëzimin e besimin e tij… e shpall dhe rinis jetën me ndërgjegjen e një besimi e të një dorëzimi të shprehur. Dhe këtë lutje e përfundon duke thënë: “Nuk ka asnjë pushtet tjetër veç Allahut”. Sepse njeriu, po të mos strehohet nën forcën e pushtetin e Allahut, nuk mund ta përballojë dot peshën e ngarkesës që ka mbi shpatulla; besimi, dorëzimi te Allahu, përkushtimi, që të gjitha i mundëson vullneti i Zotit. Nëse Ai nuk do, nëse Ai nuk ndihmon, askush nuk mund ta gjejë Atë, askush nuk mund të strehohet te Ai. Ndaj dhe çdokush, në raport me nivelin e pozitën e vet, është i detyruar të strehohet nën pushtetin e forcën e Zotit. Pasi krijon një të tillë atmosferë shpirtërore, i mbushur me këto ndjenja e mendime, profeti nis të falet dhe krelat e zeza të natës bëhen qull prej lotëve të tij. Sidomos gjatë namazeve nafile, të cilat i falte i vetëm, ai lutej shumë dhe e zgjaste faljen sa mundte512. Kur niste faljen, para se të lexonte Fatihan, lexonte rregullisht këtë lutje, së cilës shpesh i shtonte edhe fragmente të tjera:

“O Zoti im! Askush nuk mund ta pengojë mirësinë Tënde dhe askush nuk mund të mundësojë atë që Ti pengon. Askush nuk mundet ta ndryshojë e as ta refuzojë vendimin Tënd. Përballë Teje, asnjëfarë pushteti nuk i vlen askujt”513. Pas kësaj lutjeje, shpesh vazhdonte me këtë:

“O Zot, më largo nga mëkatet, siç ke larguar lindjen nga perëndimi!”

“O Zot, më pastro nga mëkatet, sikur pastrohet rroba e bardhë prej papastërtisë!”514

Pas këtyre, lexon “Subhaneke” dhe më pas gjithë këtyre lutjeve e përmendjeve, nis Fatihan. Në të vërtetë, profeti ka lexuar edhe lutje të tjera gjatë kësaj kohe, duke e drejtuar sërish lexuesin nga përmbledhjet e lutjeve, ku do t’i gjejnë më të detajuara gjithë ato fjalë të arta të profetit.

510 Buhari, Tehexhud, 1. Tevhid, 8, 35: Musned 1/358

511 Buhari, Tehexhud, 1. Tevhid, 8, 35.

512 Buhari, Tehexhud, 16

513 Buhari, Davaat, 18

514 Buhari, Ezan, 89

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali