Namazi, urdhër i ardhur pa ndërmjetës

namazi.jpg

Ky ishte vendi ku revelata po vinte pa ndihmën e asnjë ndërmjetësi. Detyra më e rëndësishme, pikërisht në një vend të këtillë mund të urdhërohej. Namazi, i cili duhet të falej gjithsej pesëdhjetë herë gjatë një dite. Kjo ishte formula, që edhe besimtarët e tjerë të mund të arrinin diçka si miraxhi.

Sakaq kishte ardhur koha e kthimit për Profetin tonë të dashur (s.a.s.). Kur erdhi pranë Musait të nderuar (a.s.), ai i tha:

– Çfarë të bëri Allahu të detyrueshme për umetin Tënd?

– Pesëdhjetë vakte namazi, – iu përgjigj Ai.

– Shko e fole edhe njëherë me Allahun, – e këshilloi Musai, i cili e dinte më së miri se ç’kishte hequr me izraelitët. – Shko dhe kërkoji Allahut (xh.xh.) që t’ua lehtësojë këtë ngarkesë, pasi unë kam përjetuar shumë gjëra të ngjashme me hebrenjtë, dhe e di mirë se sa mund të përballohet.

Pa kaluar aspak kohë, duart e bekuara u ngritën për t’u lutur:

– O Zot, lehtësoja këtë ngarkesë umetit Tim!

Një i vyer, që ishte nderuar me tërë ato përgëzime, nuk mund të lihej pa një përgjigje pozitive. Përgjigja e ardhur, thoshte se ua kishte zbritur me pesë numrin e kohëve, gjatë të cilave do të faleshin. Musai i nderuar thoshte se edhe kjo do të ishte e tepërt, andaj Ai u lut edhe njëherë asimënyre, dhe përsëri përgjigja ishte se po u ulej edhe me pesë kohë të tjera. Në fund, çështja shkoi deri në pesë kohë të ndryshme. Musai i nderuar edhe për këtë mendonte se do të ishte tepër, mirëpo Krenaria e Njerëzimit mendoi se nuk duhet ta tepronte me kërkesat e Tij përballë portës së Mëshiruesit. Ja, pikërisht në këto çaste, u ngrit një zë buçitës:

– O Muhamed! Këto janë pesë kohë të detyruara brenda një dite të vetme, nga agimi deri në mbrëmje. Vendimi im nuk ndryshon më! Vetëm se çdo kohë prej tyre do të jetë si dhjetë kohë. Kësodore, shpërblimi i tyre do të jetë i barabartë me pesëdhjetë kohë. Kushdo që të kërkojë të bëjë një të mirë, por që nuk do ta arrijë ta bëjë dot, ka për të marrë një shpërblim, por nëse orvatet që ta bëjë, dhe ia del mbanë, atëherë atij do t’i shkruhet me dhjetëfishin e saj. Njëkohësisht, kushdo që rrëshqet drejt kryerjes së një vepre të keqe, por që nuk e kryen dot, atij nuk i shkruhet dënimi i asaj të keqeje, mirëpo nëse e kryen, atëherë do t’i shkruhet vetëm njëfishi i së keqes që do të ketë kryer.[1]


[1] Muslim, Sahih, 1/145

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali