Ndërtimi i faltores profetike në Medine

profeti-muhamed-42.jpg

Patën ardhur në Medinë, por kishte edhe disa probleme të tjera që duheshin zgjidhur. Fillimisht duheshin bashkuar besimtarët me njëri-tjetrin, por për këtë kishte nevojë që të ndërtohej një vend i përbashkët, ku të mund të ndanin ajetet e Kuranit me njëri-tjetrin, të mund të falnin namazin, të flisnin për problemet nga më të ndryshmet, që mund të lindnin, apo edhe për të formësuar atë që do të quhej vetëdija e bashkësisë. Tanimë nuk kishte më një Qabe, e cila t’i mblidhte të gjithë bashkë, në të njëjtin vend. Namazet faleshin pikërisht nëpër vendet ku i zinte koha e tij.

Në fillim përcaktuan vendin se ku mund t’ia fillonin ndërtimit. Ky ishte vendi ku qëndroi deveja për herë të parë, dhe u përkiste dy djemve, Sehlit dhe Suhejlit, dhe gjendeshin nën kontrollin e Esad ibni Dhurares. Ishte një vend ku gjendeshin disa kasolle dhensh, nja dy ndërtesa të vjetra dhe disa varre.[1]

Profeti ynë i nderuar paqja qoftë mbi Të i thirri pranë bijtë e Nexharit, që ishin njëkohësisht edhe të afërmit e Tij nga nëna. Po ua kërkonte atë tokë në këmbim të vleftës që i jepnin ata.

– Vallahi, që ne nuk duam asnjë para në këmbim të saj. Ne mendojmë vetëm për atë që mund të na japë Allahu.

Donin të ishin në krye të atyre që e përqafonin të parët flamurin e mbarësisë dhe gjithë punëve të mbara. Megjithatë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk donte që t’i bëhej askujt ngarkesë. Për këtë, thirri Ebu Bekrin dhe e bleu tokën kundrejt dhjetë dinarëve.[2]

Sakaq u zgjidh edhe çështja e tokës, dhe radha i erdhi ndërtimit. Të gjithë zjarrmonin prej dëshirës për të punuar. Dikush mbartte gurë, një tjetër qerpiç, ndërsa të tjerët e merrnin atë që sillej dhe e ngjisnin sipër, duke vendosur sakaq një gur në qytetërimin e ri që po ngrihej.

Në mes të atyre që punonin, gjendej edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai nuk hiqte assesi dorë prej punës, duke treguar se do të ishte përherë brenda dhe në krye të çdo pune të bashkësisë së Tij. Kohë pas kohe merrte edhe Ai pjesë në gëzimin e ensarëve dhe muhaxhirëve, duke thënë:

– O Zot! Vetëm ahireti është vendi i shpërblimit! Fali ensarët dhe muhaxhirët siç vepron me mëshirë me ta! Nuk janë hamallët e Hajberit kurrsesi më të mirë dhe më të pastër se këta njerëz!

Përpjekjet e Tij i emociononin akoma më tepër si ensarët ashtu edhe muhaxhirët.

– Si mund të ulemi ne, kur është duke punuar edhe vetë Profeti fisnik! Përkundrazi, ne duhet të tregojmë më tepër përpjekje, madje duhet të punojmë më shumë.

Pas pak kohësh, muret u ngritën prej qerpiçit, tavani prej degësh të pemëve të hurmave, shtylla ishin pemët e hurmave, poshtë qëndronte toka. Këtej e tutje, këtu do të faleshin namazet. Kjo faltore kishte tri porta, me katër qoshe, në trajtën e katrorit me brinjë gjashtëdhjetë metra.

Namazet, që deri më sot ishin falur me nga dy rekate, këtej e tutje do të faleshin nga katër; ishte qartësuar që gjatë udhëtimeve do t’i falnin nga dy, ndërsa kur të ishin në Medinë, do t’i falnin përherë nga katër.


[1] Ibni Sad, Tabakat, 1/239-40
[2] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/211; Ibni Sad, Tabakat, 1/239-40

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali