Një hap më afër

karvan.jpg

Hatixhja nuk kishte të ngjashme përsa i përket pasurisë dhe ishte një thesar i rrallë përsa i përket nderit dhe fisnikërisë. Gjatë muajve të verës dhe dimrit, ajo drejtonte karvanët për në Damask dhe Jemen, duke bërë tregti me njerëz të besueshëm. Në atë kohë injorance, kur gratë ishin të përçmuara dhe shikoheshin si plaçkë, duhej shumë kurajë për një grua, të organizonte karvanët dhe të drejtonte një tregti me vende të largëta, pasi ishte një punë e vështirë. Ishte nëpërmjet kësaj tregtie që ajo do të gjente mundësinë të takohej personalisht me Profetin e Fundit, imazhin e të cilit, tashmë e kishte të formuar në mendje.

Ajo ishte në kërkim të personave për të drejtuar karvanin për në Damask dhe për një njeri të besueshëm i cili mund të bënte tregti në vend të saj. Për këtë ajo dërgoi njerëz për të filluar kërkimin. Ajo do të zgjidhte midis kandidatëve dhe do t’i besonte karvanin e saj.

Ebu Talibi ishte ndër ata që dëgjoi këtë lajm. Kështu, ngjarjet që do të bashkonin rrugët e Hatixhes dhe të Profetit po viheshin në lëvizje. Ebu Talibi shkoi te nipi i tij për t’i treguar për këtë mundësi:

“O nipi im! Unë nuk jam shumë i pasur. Siç e ke parë, koha ka qenë kundër nesh dhe këto vite nuk kanë qenë frytdhënëse për ne. Nuk na ka mbetur shumë pasuri ose tregti për të bërë, por është një karvan gati për të shkuar në Damask dhe Hatixhja po kërkon dikë që të drejtojë tregtinë. Me gjithë merakun tim për të të dërguar në një udhëtim të tillë, nga frika se mos dikush të bën keq, nuk më mbetet mundësi tjetër. Nëse shkon te ajo, jam i sigurt që do të të zgjedhë ty për shkak të karakterit tënd të pastër.”

Ishte e lehtë për ta thënë këtë, por për ta vënë në jetë do të ishte akoma më e vështirë. Për këtë arsye kjo gjë nuk mund t’i lihej rastësisë. Në këtë pikë, Atika binti Abdulmutalib, halla e Profetit, doli në skenë duke thënë se ai nuk duhet të vihej në një pozitë ku t’i duhej të shpjegonte vetveten. Në fakt, halla e tij ishte e martuar me vëllain e Hatixhes (i cili ishte babai i Zubejr ibn Avamit), Avam ibn Huvejlidin. Ajo ishte në një pozitë ku i njihte të dyja palët dhe donte që çështja të përfundonte me sukses.

Kështu që pjesa më e madhe e punës u krye nga Ebu Talibi, por përpara se të hidhte një hap konkret, ai duhet të merrte miratimin e Muhamed Eminit. Me të marrë miratimin e tij, Ebu Talibi shkoi të takonte Hatixhen. Ai ndjeu nevojën që t’i tregonte personalisht asaj për të nipin. Muhamedi paqja qoftë mbi Të ishte njeriu më i besueshëm në Mekë. Ndaj, Ebu Talibi mendoi se kjo duhej të merrej parasysh kur Hatixhja ta punësonte atë dhe pagesa e tij duhej të ishte më e lartë se zakonisht. Ai e dinte sa paguante Hatixhja për këtë punë dhe do t’i kërkonte dyfishin e asaj që ajo paguante normalisht.

Nuk zgjati shumë dhe Ebu Talibi u takua me Hatixhen. Pas përshëndetjeve zakonore, ai ngriti çështjen e karvanit dhe filloi të fliste rreth virtyteve të nipit të tij.

Çfarë bekimi ishte ky! Hatixhja po përjetonte gëzimin e një njeriu që ka gjetur atë që po kërkonte prej shumë kohësh. Ajo e ndjeu këtë lumturi në shpirt dhe e dinte që përpara se karvani të nisej, se kishte fituar një çmim të vyer. Ajo ishte dehur nga gëzimi sepse çasti për të cilin kishte pritur kaq gjatë, po ndodhte mu përpara syve të saj. Ajo u shkund nga këto mendime dhe fjalët e Ebu Talibit që i tha: “O Hatixhe! Kam dëgjuar se do të japësh 2 deve si pagesë për këtë punë. Nipi im është Muhamedi dhe unë kërkoj dyfishin për të.”

Për një çast, ajo u mendua për këtë propozim. Por, a mund të bëhej pazar për një fitim të tillë? Si mund të flisje për deve, kur dyert e lumturisë në të dyja botët ishin të hapura për të? Kështu që ajo tha: “O Ebu Talib! Me të vërtetë ti po më kërkon një shumë të pëlqyeshme. Por, edhe nëse do të më kërkoje shumë më tepër se kaq, betohem se do të kisha pranuar.”

Ajo i dha më të mirin e shërbëtorëve, Mejseren, për ta shoqëruar gjatë udhëtimit. Ajo e porositi dhe u sigurua se Mejsere do të bënte atë çfarë do t’i thoshte ajo. Ai do të ishte në shërbimin e saj dhe do të raportonte ekzaktësisht çdo gjë që do t’i ndodhte Muhamedit. Ajo e dinte se duhet të përfitonte në maksimum nga të qenit kaq afër me Muhamedin paqja qoftë mbi Të dhe për këtë ia bëri të qartë Mejseres sa i rëndësishëm ishte ky rol. Ai i premtoi se do të raportonte çdo gjë që do të shikonte, pa lënë mangët asnjë detaj.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali