NJERIU I INTUITËS SË LARTË ME DIMENSIONE REVELATIVE: Përpjesëtimi i presë së Hunejnit

images-5.jpg

Plaçkën e luftës të zënë në luftën e Hunejnit, i Dërguari i Allahut e ndau mes disa personave, zemrat e të cilëve kishte dashur t’i ngrohte ndaj Islamit. Ndërkaq, kjo ndarje u bë pretekst thashethemesh mes të rinjve ensarë (medinas). Po, sidomos të rinjtë medinas nuk e kishin honepsur këtë lloj ndarjeje dhe kishin thënë: “Shpatat tona ende kullojnë gjak, kurse plaçka e luftës u jepet atyre!” Ubade b. Samit shkoi te Profeti dhe e lajmëroi për gjendjen ashtu siç ishte. I Dërguari i Allahut e pyeti: “Po ti, ç’thua?” “Edhe unë jam njëri prej tyre!” – iu përgjigj Ubade. Gjendja ishte mjaft kritike. Duhej gjetur menjëherë një zgjidhje! Çështja nuk priste!

Dhe i Dërguari i Allahut, me anë të zgjuarsisë së tij që shpërthente dritë, e zgjidhi edhe këtë çështje mjaft lehtë. Këtë ngjarje e kemi përcjellë edhe më parë dhe patëm kujtuar që është një argument dhe provë për profetësinë e Muhamedit (s.a.s.). Edhe këtu mundemi të themi të njëjtat gjëra!

I Dërguari i Allahut organizoi një mbledhje ku do të merrnin pjesë vetëm ensarët, muslimanët medinas. Askush përveç ensarëve nuk u mor në atë mbledhje. Në mënyrë të veçantë, cilësia e zhvillimit të kësaj mbledhjeje dhe fjalët e thëna aty ushtruan një ndikim të tillë pozitiv mbi ensarët, saqë kur i Dërguari i Allahut u tha atyre, “a s’do të dëshironit që, ndërsa të tjerët të ktheheshin në shtëpi me dhi e me deve, ju të ktheheshit me të Dërguarin e Allahut?”, të gjithë ensarët s’i mbajtën dot lotët dhe qanë![1] Përballimi prej tij me lehtësi i këtyre vështirësive të rënda nuk u duhet lënë disa konsideratave enigmatike, burimeve të forcave të ndryshme. Sepse ai ishte vetëm një profet. Me lejen tuaj, këtu dua të përsëris edhe një herë një specifikë: ai kishte dalë mes një shoqërie të hapur ndaj hipokrizisë dhe intrigës, shoqëria ishte problematike dhe atij i vinin para çdo ditë një sërë problemesh të vështira për t’u zgjidhur. Dhe ai, ashtu siç pranon dhe shprehet Bernard Shou, i zgjidhte të gjitha vështirësitë me lehtësinë e pirjes së një filxhani kafeje këmbë përmbi këmbë! Dhe shihni këto fjalë të matura të një shpirti të pamatur, të thëna për të: “Në këtë periudhë kur problemet janë grumbulluar një mbi një, njerëzimi ka më shumë se kurrë nevojë për Muhamedin!” Me këto shprehje, Bernard Shou tregon se sa është magjepsur nga mënyra se si i Dërguari i Allahut i zgjidhte me lehtësi problemet! Me këto fjalë ai e pohonte dhe e pranonte një të vërtetë. Do të dëshiroja shumë që qoftë edhe ky pohim i vogël t’ia hapte sytë atij; do të dëshiroja, sepse ai ka shprehur ndjenja vlerësimi për profetin tim dhe, meqë të njëjtën gjë kemi menduar edhe për Ebu Talibin, shpresoj se kjo butësi e imja do të shihet e justifikuar!

[1] Muslim, Zekat, 132-135; Ibn Hisham, Sire, 4/141-142.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali