ORIGJINALITETI I PROFETIT NË ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE (2): Xhulejbibi (r.a.)

shutterstock_567451750-1.jpg
  1. Xhulejbib (r.a.)

 

Për Xhulejbibin kemi folur edhe më parë. Thuhet se ky i ri 15-16-vjeçar nuk e përmbante dot veten pa iu vardisur femrave. I Dërguari i Allahut, me atë shprehjen e tij prej eliksiri, e bindi të riun të hiqte dorë nga ajo sjellje dhe pastaj iu lut Allahut për të.[1]

Tashmë Xhulejbibi është shndërruar e bërë ndër njerëzit më të ndershëm e më të virtytshëm të Medinës. Një ditë, i Dërguari i Allahut e dërgon atë në një familje që kishte vajzë për martesë. Familja ishte e ndershme dhe fisnike. Ata prisnin çdo çast kërkesë për dorën e vajzës së tyre.

Xhulejbibi troket, hyn brenda dhe u jep atyre të falat e të Dërguarit të Allahut. Familja emocionohet. Pastaj, pa e zgjatur, ua paraqet propozimin me fjalët e të Dërguarit të Allahut. Ai i kishte thënë: “Jepu të falat e mia dhe thuaju të ta japin vajzën!”

Burrë e grua shohin njëri-tjetrin dhe, me shikimet e tyre, duket sikur po bëjnë që të dy të njëjtën pyetje: “Xhulejbibit?” Mirëpo urdhrin e ka dhënë i Dërguari i Allahut dhe çështja nuk mban! Ndërsa ata, sidoqoftë lëkunden, vajza që e ndjek bisedimin pas perdes, u bën zë prindërve që aty ku ndodhet: “Pse lëkundeni para njeriut që po çon në vend fjalën e të Dërguarit të Allahut?”[2]

Xhulejbibi është martuar. Katër-pesë javë pas martesës merr pjesë në një luftë dhe bie dëshmor. Pas përfundimit të betejës, njerëzit kërkojnë të afërmit e vrarë. I Dërguari i Allahut i pyet: “A keni humbje?” “Jo” – i thonë disa. “Por unë kam!” – ia kthen i Dërguari i Allahut dhe, si një baba i dëshpëruar që e ka humbur të birin, zemërplagosur, e kërkon Xhulejbibin. E kërkon, e kërkon dhe e gjen diku. E gjen mes shtatë mohuesve, me shumë plagë, të përgjakur nga koka te këmbët, por me shpatën në dorë! I Dërguari i Allahut dekreton: “Vrau shtatë vetë dhe u bë gazi, fitimtar! Pastaj ra dëshmor!” I Dërguari i Allahut vë kokën te gjuri dhe thotë: “Allahu im! Ky është një prej të mijve dhe unë jam një prej të tijve!” Ja, pra, se si u dilte për zot i Dërguari i Allahut shokëve![3]

 

  1. Ali b. Ebi Talib (r.a.)

 

Hajberi duhej të fitohej. Rrethimi për ditë të tëra nuk kishte dhënë rezultat, kalaja nuk ishte mposhtur dot. Një ditë, i Dërguari i Allahut tha: “Nesër këtë flamur do t’ia jap njërit që e do Allahun dhe Allahu e do atë!” Të nesërmen, kur ushtria u rreshtua për të rinisur sulmin, secili pothuaj bënte garë me të tjerët për të zënë vend në radhën e parë. I Dërguari i Allahut drejtoi faljen e namazit dhe pastaj u kthye nga ushtria. Sytë e secilit ishin ngulur në sytë e të Dërguarit të Allahut. Kurse sytë e tij kërkonin dikë që s’ndodhej aty.

Sahabet me kujdesin e njeriut që nuk do ta trembë zogun që i ka qëndruar mbi kokë, prisnin fjalët që do të derdheshin nga çasti në çast nga buzët e të Dërguarit të Allahut dhe, secili dëshironte që nderi t’i takonte atij vetë. E kush nuk dëshironte të dëgjonte për vete se ishte njeri i dashur prej Allahut (xh.xh.)? Njeriu mund ta sakrifikojë xhenetin për shokun dhe të thotë: “Në vend tim, le të hyjë ai vëllai im!” Por në këtë rast, nuk mund të bëhej fjalë për sakrificë!

I Dërguari i Allahut po përgatitej të fliste. Më në fund, ai pyeti: “Ku është Aliu?”

Hz. Aliut i dhimbnin sytë shumë rëndë. Prandaj, duke mos menduar aspak se mund t’i jepej atij vetë flamuri, kishte mbetur në radhët e pasme. Shokët u përgjigjën: “I dhembin sytë, o i Dërguari i Allahut!”

Profeti e thirri pranë. Ia fërkoi sytë me pështymën e vet të bekuar. Hz. Aliu betohet: “Kurrë më nuk më dhembën sytë!”

Pastaj ia dorëzoi flamurin. Mirëpo, mes sahabeve, atë ditë aty ndodheshin njerëz të tillë si Hz. Ebu Bekri, si Hz. Omeri, si Hz. Mikdadi… Por flamuri do t’i dorëzohej të riut Ali![4]

Dhe Hajberi ra! Triumfi i tij e tregoi aty për aty vendimin e qëlluar të të Dërguarit të Allahut. Në fakt, kështu kishte ndodhur gjithmonë: ai kishte bërë gjithmonë zgjedhje të qëlluar dhe kishte dhënë detyrë të qëlluar! Edhe ky fakt është argument dhe provë e profetësisë së tij. I Dërguari i Allahut zotëronte zgjuarsinë e lartë!

Kushdo që qe ngarkuar me një detyrë nga i Dërguari i Allahut, qe shquar në atë detyrë!

Për shembull, ai i pati thënë Halidit (r.a.), “Sejfullah”, “Shpata e Allahut”![5] Halidi qe bërë kudo shpata e Allahut dhe nga asnjë fushë beteje s’qe larguar i mundur! Vite më pas, me shumë të drejtë, Hz. Omeri (r.a.) do të thoshte: “Nëna s’ka lindur Halid të dytë!”[6] Në këtë shprehje të Hz. Omerit është edhe pohimi dhe miratimi i vendimit të qëlluar të të Dërguarit të Allahut!

I Dërguari i Allahut edhe Ka’ka-së (r.a.) i pati dhënë detyra të rëndësishme. Edhe Ka’ka pati arritur të njëjtin sukses dhe e pati bërë Hz. Ebu Bekrin të thoshte për të: “Ushtria ku ndodhet Ka’ka kurrë nuk del e mundur!..”[7]

Po kështu, Usamen 17-18-vjeçar, i Dërguari i Allahut e pati caktuar komandant në krye të një ushtrie dhe e pati dërguar në anët e Mu’te-s. Pastaj, sa qe gjallë, Usame e pati treguar se kishte qenë i denjë për një pozitë të tillë![8]

 

  1. Bashkëshortet profetike (r.a.)

 

Edhe saktësia e zgjedhjes që pati bërë Profeti në bashkëshortet mes qindra kandidateve është një nga specifikat që ia vlen të shënohet. I Dërguari i Allahut pati zgjedhur gratë që do të bëheshin nëna për besimtarët dhe që do ta përballonin siç duhej këtë barrë të rëndë, dhe pati bërë zgjedhjen më të qëlluar. Të gjitha ato patën dalë ar i kulluar. Sidomos në veprimtarinë për orientimin e njerëzve në rrugën e drejtë, të gjitha ato qenë përgatitur si mësuese dhe prijëse shpirtërore dhe, pastaj, me njerëzit e mëdhenj që patën përgatitur në dyert e tyre, i patën bërë Islamit shërbimin më të madh! Shumë e shumë njerëz gjeni e të përkushtuar, si Mesruk, Tavus b. Kejsan, Ata b. Ebi Rabah, etj., patën qenë që të gjithë nxënës të rretheve mësimore të nënave të besimtarëve.

Siç u pa, i Dërguari i Allahut zgjidhte gratë që do të bëheshin në të ardhmen prijëse të mëdha, u përgatiste në banesën e tij të lumtur mundësi për t’u përgatitur vetë e për të përgatitur të tjerët dhe këto kapacitete të mëdha i shndërronte në trashëgimtare të kauzës profetike. Mes atyre grave të bekuara nuk kishte asnjë që të mos i shërbente qëllimit dhe synimit bazë të të Dërguarit të Allahut. Ashtu siç pati ndodhur në fillimet e profetësisë, kur gruaja e parë, Hz. Hatixheja, e pati shpenzuar tërë pasurinë e saj në rrugën e tij, edhe gratë e tjera të tij patën treguar të njëjtën bujari për përhapjen e diturisë dhe Islamit. Edhe nga kjo kuptohet se, duke filluar që me zgjedhjen e Hz. Hatixhes, kur Profeti Muhamed s’ishte dërguar si profet, megjithëse shenjat ishin, të gjitha gratë ai i pati zgjedhur me dritën dhe parashikimin profetik. Fundja një saktësi të tillë zgjedhjeje është e pamundur ta shpjegojmë ndryshe!

[1] Musned, 5/256, 257.

[2] Musned, 4/422.

[3] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 131.

[4] Buhari, Fedailu’l-As’hab, 9; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 34.

[5] Buhari, Fedailu’l-As’hab, 25.

[6] Halid M. Halid, Rixhalun Haule’r-Resul, f. 386.

[7] Ibni Haxher, Isabe, 3/240.

[8] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 63; Ibni Haxher, Isabe, 1/31.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali