ORIGJINALITETI I PROFETIT NË ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE: HUDEJBIJE

5_newsdetail.jpg

Le ta kujtojmë edhe një herë tjetër: I Dërguari i Allahut ishte një udhëheqës i pashembullt që, ku t’i arrinte shikimi, i shkelte këmba! Në derdhjen e mendimeve në praktikë, nuk kishte shok! Mund të jepen shembuj të panumërt për këtë. Por ne do të mjaftohemi vetëm me një shembull. Ibni Is’hak tregon:

Në vitin e gjashtë të hixhretit, i Dërguari i Allahut pati dhënë fjalën t’i dërgonte në Mekë për umre sahabet që ndodheshin në një tendosje të plotë metafizike. Ajo umre edhe do të shuante mallin disavjeçar të muhaxhirëve mekas që ishin ndarë nga vatani, edhe të gjithë muslimanëve do t’u përftonte një tendosje shpirtërore të re. Me një mendim dhe vlerësim të tillë, i Dërguari i Allahut mori rreth 1400 shokë dhe u nis për rrugë.

I Dërguari i Allahut kishte dërguar më parë në Mekë si masë parambrojtëse dhe për të marrë informacion, një pjesëtar nga fisi Hudhaa, për të cilin mekasit nuk e dinin se ishte bërë musliman. Sipas informacioneve të tij, kurejshët kishin mbledhur të gjitha fiset dhe së bashku kishin marrë vendim të mos i lejonin muslimanët të futeshin në Mekë.

Kurejshët ishin të vendosur t’i pengonin muslimanët të futeshin në Mekë edhe sikur për këtë t’u duhej të përdornin armët, dhe ashtu vepruan. Ushtria e tyre kishte pushtuar kullotën Beladin. Një njësit prej dyqind vetash nën komandën e Halid b. Velidit dhe Ikrime b. Ebu Xhehlit kishte përparuar gjer në vendin e quajtur Kuraul Gamim, mes Rabig dhe Xhuhfe. I Dërguari i Allahut që ishte i informuar për këtë situatë, dha urdhër për të marshuar në atë drejtim. Sapo pa muslimanët që po vinin, Halidi shkoi menjëherë në Mekë dhe i lajmëroi ata për gjendjen. Në këtë mes, edhe Profeti kishte arritur gjer në Hudejbije.

Hudejbije është emri i një vendi 50-60 km. larg Mekës. Më parë, kish qenë emri i një oazi që ndodhej në atë vend, pastaj këtë emër e kishte marrë edhe fshati afër.

 

  1. Mrekullia e ujit

 

Në vendin ku qëndruan muslimanët kishte vetëm një pus, por në pus nuk kishte ujë. Sapo mungesa e ujit filloi të bëhej shqetësuese, sahabet iu drejtuan Profetit dhe e pyetën se ç’duhej të bënin. I Dërguari i Allahut hoqi një shigjetë nga shigjetorja e vet, e tendosi në hark dhe e gjuajti drejt fundit të pusit duke e ngulur në të. Menjëherë nisi të shpërthejë ujë dhe të mbushet pusi. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një mrekulli. Në një kohë dhe në një vend ku sahabet ishin shumë nevojtarë për ujë, Zoti u kishte treguar besimtarëve edhe një mrekulli tjetër me dorën e Profetit!

Secili piu ujë, mori abdest, mbushi kacekun dhe kështu nuk mbeti më shqetësim uji!

 

  1. Përfaqësuesit

 

Megjithëse nuk e kishin pranuar Islamin, fisi Hudhaa ishin aleatë të muslimanëve. Edhe ata kishin dëgjuar për përgatitjet e mekasve. Te Profeti shkuan disa vetë prej tyre dhe e lajmëruan. Mes tyre ndodhej edhe Budejl b. Verka. Ky person u bë musliman vetëm pas triumfit të Mekës. Meqë kishte besim te ai, Profeti e dërgoi te mekasit duke i thënë t’ua bënte të qartë atyre se qëllimi i muslimanëve ishte vetëm të bëni umre.

Budejli ua përcolli mekasve mesazhin e të Dërguarit të Allahut. Mes mekasve ndodhej edhe Urve b. Mesud es-Sakafi. Thëniet e Budejlit i qenë dukur mjaft me vend. Ai propozoi të shkonte të takohej me të Dërguarin e Allahut dhe mekasit, duke ia pranuar propozimin, e dërguan me detyrën e përfaqësuesit te Profeti.

 

  1. Njerëz që ndërrojnë

 

Urve arriti te Profeti dhe u ul të bisedonte me të. Një çast dhe, ndërsa po bisedonin, deshi t’ia prekte mjekrën e bekuar Profetit. Ky ishte një zakon i vjetër arab. Pikërisht në atë çast, mbi dorën e Urves ra një goditje e fortë. E kishte qëlluar i nipi, Mugire b. Shube! Mugire i tha ashpër: “Mos e prek mjekrën e pastër të të Dërguarit të Allahut me atë dorën tënde të pistë! Po e përsërite edhe një herë, kam për të ta këputur dorën!” Urve ngriu në vend! A nuk e kishte paguar ai vetëm disa muaj më parë dëmshpërblimin e një vrasjeje të Mugires? Sa shumë dhe sa shpejt kishte ndërruar i nipi me t’u bërë musliman! Veçanërisht, Urves nuk i kishte shpëtuar nga shikimi se si i rrinin rrotull sahabet Profetit. Kur u kthye në Mekë, mahnitjen dhe admirimin e tij e shprehu me këto fjalë:

“Sa shumë Kisra, Kajserë dhe Nexhashinj kam parë unë, por te njerëzit e asnjërit prej tyre nuk e pashë atë afërsi dhe besnikëri që pashë te njerëzit që e rrethonin Muhamedin, për të! Ejani, dëgjomani fjalën dhe mos u merrni me këtë njeri!”

Ky takim mbeti pa rezultat. I Dërguari i Allahut dërgoi te kurejshët Hirash b. Umejjen, por kurejshët e sulmuan dhe ia vranë devenë. Edhe atë vetë do ta kishin vrarë, por i shkoi në ndihmë një fis aleat.

  1. Përfaqësuesi Osman (r.a.)

 

Pas kësaj duhej dërguar një përfaqësues tjetër te kurejshët. Iu propozua Hz. Omerit (r.a.). Por në Mekë, Omeri kishte shumë armiq dhe asnjë mik. Dërgimi i tij dyshohej se nuk do t’i sillte asnjë dobi paqes. Kur ai ia tha këto mendime Profetit, u vendos të dërgohej Hz. Osmani (r.a.).

Kurejshët e kapën Osmanin dhe e burgosën. Në këtë mes, u hap edhe fjala se e kanë vrarë. Kur kthimi i tij u vonua, u arrit në konkluzionin se kjo fjalë ishte e vërtetë. Atëherë, i Dërguari i Allahut i thirri muslimanët t’i jepnin besën. Ai rrinte ulur nën një pemë, kurse muslimanët shkonin një nga një dhe i jepnin besën duke ia shtrënguar dorën. Më pas, kjo pemë u mbiquajt “Pema e Ridvanit”[1]. Ajo u pre në kohën e kalifatit të Hz. Omerit (r.a.) sepse Omeri kishte frikë se mos pemës i jepej shenjtëri.[2]

 

  1. Besëlidhje gjer në vdekje

 

Sapo u dëgjua thirrja për besë, secili u hodh nga vendi si shigjetë. Dhe muslimanët dhanë besën për të bërë çdo gjë, për të dhënë edhe jetën për të arritur qëllimin. Në atë çast dhe në ato rrethana mund të lidhej besë vetëm për vdekje. Dhe muslimanët e dhanë besën një nga një. Nuk mbeti njeri pa ia shtrënguar dorën të Dërguarit të Allahut![3]

Kishte mbetur vetëm një njeri, i cili në atë çast nuk ndodhej aty, por në Mekë, madje nuk dihej në ishte gjallë apo jo! I Dërguari i Allahut sikur po jetonte përsëri çaste të kapërcimit të dimensioneve të kohës dhe vendit. Kishte marrë një pamje sikur e kishte para Osmanin dhe po përgatitej të shtrëngonte duart me të. I Dërguari i Allahut zgjati dorën e djathtë dhe tha: “Kjo është dora ime!” Pastaj ngriti dorën e majtë dhe tha: “Kjo është dora e Osmanit!” Pastaj, duke e vënë të majtën mbi të djathtën, u tha muslimanëve: “Dëshmoni se unë po e jap besën në vend të Osmanit!”[4]

Ç’besëlidhje e shenjtë kjo ku i Dërguari i Allahut jepte besën në vend të dikujt tjetër!

Çështja ishte tejet serioze dhe secili ishte i ngazëllyer. Nervat ishin tendosur shumë, sahabet dukej sikur ishin gati të shpërthenin. Vetëm i Dërguari i Allahut nuk e kishte prishur aspak ekuilibrin dhe maturinë. Ç’është e vërteta, nga brenda ai digjej e vlonte si vullkan, por, me vullnetin e tij mbinjerëzor, ai mundej t’u bëhej pengesë edhe flakëve dhe lavës së vullkanit që ishte gati të shpërthente! Aman, o Zot, ç’vullnet i palëkundur!

 

  1. “Puna u bë e lehtë”

 

Mu në këtë situatë tendosjeje, i Dërguari i Allahut vërejti se larg u duk një pluhur. Pas pak, nga mesi i pluhurit doli Suhejli. Ai e njihte shumë mirë Suhejlin. I Dërguari i Allahut u tha të pranishmëve: “Më në fund, puna u bë e lehtë! Kurejshët nuk mund të bëjnë gjë tjetër veç paqes!” Është një çështje më vete lidhja që bënte në këtë rast Profeti me kuptimin e butësisë dhe lehtësisë që shprehte fjala suhejl. Shihni se sa i njihte Profeti njerëzit, që me ta parë Suhejlin, e dha konkluzionin! Edhe kur e pa Urven ai tha se kurejshët kishin për qëllim të merreshin vesh, por me Suhejlin kjo punë do të merrte formë të prerë. Sapo arriti, Suhejli tha hapur se kishte ardhur për marrëveshje. Edhe i Dërguari i Allahut donte marrëveshje!

 

  1. Marrëveshja

 

Në pamje të parë, aktet e marrëveshjes dukeshin krejt në dëm të muslimanëve, por, duke u nisur nga përfundimi, Kur’ani e përshkruante këtë si një fitore.

Suhejli do ta quante sukses të madh të vetin çdo lëshim që do të shkëpuste nga i Dërguari i Allahut, prandaj nuk druhej të ngrinte edhe çështjet më të vogla.

Për shembull, ai qysh në fillim e kundërshtoi fjalinë me të cilën fillonte marrëveshja: “Bismil’lahi’r-Rahmani’r-Rahim” (me emrin e Allahut Mëshirues e Shpërblyes). Ai nguli këmbë të shkruhej: “Bismike’ll-llahumme” (me emrin e Zotit tonë). I Dërguari i Allahut pranoi.

Kundërshtimi i dytë i Suhejles ishte për atributin “Resulullah” (i dërguari i Allahut). Ai tha: “Po të kishim pranuar ne se ti je i dërguari i Allahut, s’do të ishte nevoja për një marrëveshje të tillë!” Profeti i tha Hz. Aliut (r.a.) që po bënte punën e sekretarit, ta fshinte fjalën “resulullah” dhe të shkruante “Muhamed bin Abdillah” (Muhamedi i Abdullahut). Pas një ngurrimi, Hz. Aliu e bëri ndryshimin.

Pothuaj të gjitha aktet e marrëveshjes u bënë shkak për debate të gjata. Suhejli thoshte se, po të mos shkruhej siç donte ai, nuk do të hidhte firmën në marrëveshje, kurse Profeti, duke u nisur nga rezultatet e mëdha që do të sillte ajo marrëveshje, me gjithë frikën në fytyrë, për shumicën e kërkesave të Suhejles thoshte “po”!

Sipas marrëveshjes,

  1. Muslimanët këtë radhë do të ktheheshin pa e vizituar Mekën.
  2. Vizita e tyre do të bëhej vetëm një vit më pas dhe do të zgjaste vetëm tri ditë.
  3. Muslimanët s’do të merrnin me vete asnjë armë tjetër veç shpatës së brezit të futur në mill, që ishte bërë zakon i veshjes.
  4. Po qe se dikush do të kërkonte të largohej nga Meka për në Medinë, nuk do të lejohej, kurse, po qe se dikush do të kërkonte të largohej nga Medina për në Mekë, nuk do të pengohej. (Kjo do të thoshte që mekasit muslimanë apo jo që do iknin në Medine, do t’u ktheheshin prapë kurejshve.)
  5. Fiset arabe liheshin të lirë për t’u bashkuar me cilën anë që të donin.

 

  1. Tronditja e Hz. Omerit nga Hudejbija

 

Siç shihet, në pamje të parë, të gjitha aktet e marrëveshjes dukeshin në dëm të muslimanëve. Sidomos akti që parashikonte ekstradimin e muslimanëve te kurejshët, i bënte shokët e Profetit të luanin mendsh! Kështu, i zemëruar rëndë, Hz. Omeri (r.a.) i doli para Profetit dhe i tha: “A nuk je ti i dërguari i Allahut?” Profeti nuk e prishi qetësinë dhe iu përgjigj kështu pyetjeve të Omerit:

– Po, unë jam i dërguari i Allahut!

– A nuk jemi ne në rrugë të drejtë?

– Po, ne jemi në rrugë të drejtë!

– Atëherë, përse po e pranojmë këtë poshtërim?

– Unë jam i dërguari i Allahut dhe nuk mund t’i dal kundër Allahut!

– A nuk na the ti se do ta vizitojmë Qaben?

– Po, ju thashë! Por nuk ju thashë “këtë vit”!

Omeri nuk e nxori dot zemërimin dhe shkoi te Hz. Ebu Bekri (r.a.), të cilit i bëri të njëjtat pyetje. Edhe Ebu Bekri i dha të njëjtat përgjigje si të Profetit.

Më vonë, sa herë që e kujtonte këtë ngjarje, Hz. Omeri përthyhej në mes nga ankthi dhe pendimi. Kush e di sa sadaka pati dhënë ai, sa agjërime pati mbajtur si pendesë! Ai ishte penduar më vonë një mijë herë për ato fjalë!

 

  1. Ebu Xhendeli (r.a.)

 

Po kthehemi në thelb të çështjes. Kur ende nuk ishte nënshkruar marrëveshja, ia behu aty Ebu Xhendeli, biri i Suhejlit. Ardhja e tij aty me pranga nëpër këmbë u bë pika e ujit që e derdh gotën. Ebu Xhendeli arriti aty me shpirt ndër dhëmbë dhe e lëshoi veten nën këmbë të të Dërguarit të Allahut. Sahabet nuk e duruan dot pamjen dhe nisën të qajnë. Suhejli tha: “Që marrëveshja jonë të bëhet e vlefshme, kushti i parë është kthimi i tim biri!” Sahabet iu lutën Suhejlit: “Akoma nuk e kemi nënshkruar marrëveshjen! Ebu Xhendeli mund të bëhet përjashtim!..” Por Suhejli këmbënguli në të vetën. Me lot në sy, Profeti ia dorëzoi Ebu Xhendelin, por duke i pëshpëritur disa fjalë për të ardhmen e gëzuar: “Ty dhe të tjerëve si ti, shumë shpejt Allahu ka për t’ju mundësuar një shpëtim!..” Dhe ashtu ndodhi![5]

 

  1. Ebu Basiri dhe shokët e tij

 

Utbe b. Esid i njohur me pseudonimin Ebu Basir, që iku nga Meka menjëherë pas marrëveshjes së Hudejbijes, shkoi te Profeti në Medinë dhe i kërkoi strehim. Ndërkaq, kurejshët dërguan dy njerëz dhe kërkuan kthimin (ekstradimin) e Ebu Basirit. I Dërguari i Allahut e ktheu edhe atë. Por rrugës, Ebu Basiri vrau njërin nga rojet shoqëruese, kurse tjetri mezi shpëtoi duke ia mbathur.

Ebu Basiri u kthye sërish te i Dërguari i Allahut. Por ai nuk e pranoi Ebu Basirin në Medinë duke iu justifikuar kështu: “Profeti nuk mund të luajë nga fjala e dhënë!” Atëherë, Ebu Basiri u vendos jashtë Medinës në vendin e quajtur Iss pranë Dhulmerves. Ndërkaq, muslimanët e keqtrajtuar të Mekës e morën vesh punën e Ebu Basirit dhe një nga një ikën prej Meke dhe u bashkuan me Ebu Basirin duke krijuar një bazë strehimi të re të muslimanëve që u bë shpejt një kokëçarje e rëndë dhe një ëndërr e frikshme për kurejshët! Tashmë, Ebu Basir dhe shokët e tij përbënin një rrezik shumë të madh për karvanët tregtare të mekasve që ishin të detyruar të kalonin aty pari.

Mekasit iu drejtuan personalisht Profetit me lutjen që t’i pranonte në Medinë muslimanët e ikur. Kështu, akti më shqetësues i marrëveshjes së Hudejbijes për muslimanët abrogohej nga vetë ata që kishin ngulur këmbë me forcë për pranimin e tij! Dhe kjo donte të thoshte një fitore e hapur![6]

Në fakt, gjatë kthimit nga Hudejbija, kishte filluar të zbriste surja “Fet’h” (Fitorja) e cila e cilësonte hapur atë marrëveshje si fitore.[7]

I Dërguari i Allahut ishte shumë i kënaqur! Çdo gjë që kishte menduar, kishte filluar të zgjidhej siç zgjidhen nyjet, sapo i vinte koha! Në të vërtetë, ai e kishte zbritur shpatën e tij të fitores në kokë të armikut qysh në Hudejbije dhe nyja ishte zgjidhur që atje, por, për kushtet e kësaj bote, zgjidhej tani. Populli i Medinës i priste tani djemtë që porsa u kishte dirsur mustaqja te Maja e Lamtumirës me këngë, ashtu siç kishte pritur më parë të Dërguarin e Allahut me të emigruarit e parë! Miopët e mohimit i kishin prishur me dorën e vet kushtet e marrëveshjes! Pastaj do të vinte një ditë që ata të shkonin më tej duke sulmuar një fis që merrte pjesë në paktin e të Dërguarit të Allahut dhe, duke e vrarë mësuesin e dërguar prej tij, duke e hedhur poshtë krejt marrëveshjen.[8] Edhe i Dërguari i Allahut, fitoren e madhe të nisur në Hudejbije do ta vinte në jetë personalisht, duke hyrë triumfues në Mekë!

[1] Pema e Pëlqimit. U mbiquajt kështu pasi zbriti ajeti kur’anor që shprehte pëlqimin e Allahut për këtë besëlidhje.

[2] Ibni Sa’d, Tabakat, 2/100.

[3] Ibni Hisham, Sire, 3/330.

[4] Po aty.

[5] Ibni Hisham, Sire, 3/321-333; Ibni Kethir, el-Bidaje, 4/188-193.

[6] Ibni Hisham, Sire, 3/337-338.

[7] Ibni Hisham, Sire, 3/334.

[8] Ibni Hisham, Sire, 4/32-37.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali