Profeti Muhamed (s.a.s) ishte njeriu i dimensioneve të veçanta

profeti-muhamed-20.jpg

Ashtu si njeriu i sotëm i mjerë ka humbur gjithato kritere vlerash, ashtu edhe qëndrimi, vështrimi dhe mendimi i tij për profetët dhe veçanërisht për mbretin e profetëve, Hz. Muhamedin (sav) ndodhen sot në një gjendje krejtësisht të përmbysur. Ndërkaq, është kategorikisht e pa-drejtë ta vlerësojmë atë me kritere njerëzore sikur të ishte një njeri i zakonshëm. Madje, kjo nuk është as e mundur. Sepse ai është një njeri i dërguar për ta rishikuar konfiguracionin e tokës dhe për t’i hapur njerëzimit horizonte të reja duke u pajisur, për këtë qëllim, me një shpirt të posaçëm dhe me kapacitete të posaçme, kështu që vlerësimi i tij i kapër-cen kriteret tona. Duke u nisur nga kjo, kushdo që të përpiqet për të treguar për të, le të tregojë sa të dojë; ashtu siç duhet dhe plotësisht nuk mundet të tregojë! Njëri prej atyre që e kanë kuptuar më mirë atë, është Hasan b. Thabiti që thotë:

Me fjalët e mia Muhamedin nuk e lavdërova;
Fjalëve të mia me të lavdi u përftova…

Sipas kësaj thënieje, ajo çka u përfton bukuri fjalëve, është përmendja e bukur e tij midis atyre fjalëve, sepse shprehjet tona nuk kanë asgjë që mund t’i përftojnë atij! Në mënyrë po kaq lakonike janë shprehur edhe për Kuranin mendimtarët e mëdhenj të këtij shekulli.

Të gjitha këto, në një masë, janë rezultati i përjetimit të të njëjtave ndjenja e mendime. Kush është shprehur, frymëzimin nga i njëjti burim e ka marrë dhe të njëjtat gjëra i ka shprehur me të njëjtën formë. Dikush ka zgjeruar dhe qartësuar shprehjen e shkurtër të dikujt, kurse dikush tjetër është shquar për një frymë poetike më të avancuar, megjithatë, të gjithë janë vërtitur rreth po të njëjtit bosht.

Në të njëjtën formë edhe ne jetojmë të veçantën e të qenit umet, bashkësi e Tij, dhe e deklarojmë me zë të lartë harenë tonë gjë që është, në të gjitha aspektet, “e mira, dhuntia e mundësisë për të falenderuar”. Sado që ta falenderojmë dhe lavdërojmë Zotin tonë që na ka bërë kryelartë me të mirën më të madhe dhe na ka bërë umet të Hz. Muhamedit (sav), është pak. Ky është një Favor Hyjnor. Favorin Ai ia jep kujt të dojë dhe në masën që të dojë. Vetëm se është i gjerë sa nuk mund të matet me asnjë kriter dhe masë nga tonat. Po, ajo që na është dhuruar neve në krahasim me të tjerët, është një det favori që s’i gjendet bregu…

Ai është njeriu i dimensioneve krejt të veçanta. Ajo çka na takon neve të bëjmë, është zelli për ta akorduar veten në vijën dhe frekuencën e tij. Kur sigurohet kjo, në mes fillojnë biseda të hapura e të shifruara. Urdhrat i jep vetë i Dërguari i Allahut. Drejtimin ai e merr në dorë. Kurse cilësia e xhemaatit, bashkësisë, dhe shoqërisë që do të drejtojë, do të administrojë Ai, është e lartë në atë nivel sa t’i bëjë engjëjt të dëshiruar dhe të përjashtuar prej çfarëdo shpjegimi e përshkrimi.

Ndoshta disave këto thëniet tona mund të mos u duken objektive. Punë e madhe! Sidomos pasi që çdo ditë katër-pesë të rinj fytyrëdritë të kenë marrë shpirtërisht nga i Dërguari i Allahut ca përgëzime! Dhe sidomos pasi që disa prej tyre të thonë se kanë hyrë në lidhje me Të fare pa pengesë, drejtpërsëdrejti, madje në botën konkrete!

Ai është vazhdimisht midis nesh me konstitucionin e Tij shpirtëror dhe, sipas disave, me trajtën e Tij materiale të transformuar në dritë. Imam Sujutiu thotë se mbi shtatëdhjetë herë është parë me të Dërgua-rin e Allahut. Po, ai nuk ka vdekur në atë kuptim siç e themi ne, ai vetëm dimension ka ndryshuar. Do të ishte gabim të mendohej vdekja e tij si vdekja e një njeriu të zakonshëm. Sepse Kur’ani thotë se nuk kanë vdekur edhe për dëshmorët, pozita e të cilëve është dy shkallë më e ulët se pozita e profetëve. E në se është kështu, si është e mundur të themi për të “vdiq” me kuptimin që i japim ne kësaj fjale? Ne mund të themi vetëm këtë që ai ka kaluar në një dimension tjetër. Është për këtë arsye që e kanë parë atë njerëzit, shikimi i të cilëve zotëron mundësinë për të kapur ato dimensione. Këta njerëz e shohin atë personalisht atje…

Ata që shpëtojnë prej errësirës së trupit dhe të të qenit lëndë e që arrijnë nivelin jetësor të shpirtit, munden ta jetojnë në të njëjtin çast të shkuarën dhe të ardhmen. Ja, pra, njerëzit e këtij dimensioni edhe rrinë, në këtë çast, pranë e pranë me ju, edhe ndodhen gju më gju me të Dërguarin e Allahut katërmbëdhjetë shekuj më parë, në Shekullin e Lumtur. Personat prej kastës së njerëzve të Zotit të cilët thirren “ebdall”, mund të gjenden në të njëjtin çast në disa vende. E pse të mos ndodhet ai Mbreti i Profetëve edhe në botën e pastajme, edhe në botën tonë, edhe në praninë tonë, edhe në praninë e profetëve? Ndodhet e do të ndodhet!

Kam për qëllim që të gjitha ç’po them, t’i bëj themelin e atyre që do të them këtej e tutje. Kur shohim kah profetët dhe Profeti ynë, merr rëndësi të madhe këndi dhe qëllimi i vështrimit. T’i lemë mënjanë profetët e mëdhenj; në se parandjerja dhe njohja e shenjtorëve, e të urtëve dhe e mirëbërësve të mëdhenj kërkon një puritet shpirtëror të posaçëm dhe kthjelltësi ndiesore, si mund të njihen e të kuptohen profetët në klimën mjegullore të natyrës lëndësore? Atëherë, duke u përpjekur për t’i kuptuar ata, do të duhet të tregohemi tepër të kujdesshëm e të pozicionohemi me të gjithë delikatesën dhe etiketën e mundshme. Ky kujdes duhet të shtohet disa herë sidomos në përpjekjet për të njohur personalitetin e Profeti Muhamedit (sav). Por ç’e do që prapëseprapë, çdo njeri do të ndiejë e do të kuptojë për aq sa ia lejon fuqia e shikimit të syut të zemrës së vet dhe, ndërkaq, askush nuk do të mundet ta konceptojë atë tërësisht me plot kuptimin e fjalës.

Po, Busajriu thotë kështu:

Njerëzit e përgjumur që jetojnë në ëndërra e qetësi,
Si munden ta kuptojnë të vërtetën e Tij?..

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali