Thirrja e ezanit të parë në xhaminë e Profetit

profeti-muhamed-43.jpg

Meka ishte e mbushur me njerëz që villnin vetëm dhunë, andaj ta falje aty namazin bashkërisht, bëhej e mundur vetëm nëpër vende të mbyllura e tejet të fshehta. Mirëpo Medina, jo vetëm që ishte më miqësore, por edhe më e përshtatshme për sa i përket kësaj ane. Për më tepër, këtu u ndërtua edhe faltorja profetike, që i priste krahëhapur për t’i falur namazet vetëm bashkërisht.

Edhe kohët e namazeve ishin të qarta. Megjithatë nuk kishte ende një mënyrë se si t’i thërrisnin njerëzit që të mblidheshin për t’u falur. Kështu, e para që përmendën ishte mënyra e borisë, e cila kishte qenë edhe te hebrenjtë. U fol edhe për një mjet si ai që kishin përdorur të krishterët, por edhe kjo nuk ishte e përshtatshme, kështu që e refuzuan. Me sa duket po vinte një mënyrë e re e thirrjes.

Pikërisht një prej këtyre ditëve, që të gjithë flisnin posaçërisht për këtë çështje, Abdullah ibni Zejdi kishte parë një ëndërr, andaj po shkonte që ta ndante me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):

– O i Dërguari i Allahut! Sonte, pashë në ëndërr një burrë të veshur në të gjelbërta, i ndarë në dy pjesë, i cili m’u afrua pranë. Në duar kishte një instrument si ai i të krishterëve. Unë e pyeta:

– O robi i Allahut! A ma shet mua këtë?

– Çfarë do të bësh me të? – më pyeti.

– Do të thërras njerëzit që të mblidhen për të falur namazin.

– A të të mësoj unë një më të hairit?

– Hë? – e pyeta, dhe sakaq ai m’u përgjigj:

Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber

Eshhedu en la ilahe il’lallah! Eshhedu en la ilahe il’lallah!

Eshhedu enne Muhammeden Resulullah! Eshhedu enne Muhammeden Resulullah!

Haje ales salah Haje ales salah

Haje alel felah Haje alel felah

Allahu Ekber Allahu Ekber

La ilahe il’lallah.

I Dërguari i Allahut, me të dëgjuar këto fjalë, tha:

– Padyshim që kjo është një ëndërr e vërtetë dhe besnike!

Dukej që ato që dëgjoi i dukeshin mjaft të ëmbla. Sakaq, filloi të ndjehej atmosfera e ardhjes së Xhebrailit. Me sa duket po vinte një lajm i ri. Mori edhe Abdullahun me vete dhe i tha këto fjalë:

– Shko dhe mësoja këto edhe Bilalit! Le t’u thërrasë me këto fjalë njerëzve, meqë ka zërin edhe më të fortë prej të gjithëve.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Bilali filloi të këndonte ezanin, që t’i ftonte të gjithë për të falur namazin.

Omeri i nderuar sapo kishte dalë prej shtëpisë për të shkuar që të falte namazin. Mezi po priste që ta ndante me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) ëndrrën që kishte parë. Kjo ëndërr ishte e atillë, që megjithëse kishin folur me ditë të tëra për të, nuk po i gjenin dot zgjidhje thirrjes për në namaz. Kur… U dëgjua zëri i Bilalit tek po thërriste ezanin. U habit krejt. Sepse zëri po përsëriste ato fjali, të cilat ai i kishte parë në ëndërr. Mos ato nuk kishin qenë në ëndërr, por në zhgjëndërr? Apo ishte ende duke parë ëndërr?

Mblodhi rrobat dhe filloi të vraponte në drejtim të faltores profetike. Kur mbërriti mezi po merrte frymë.

– O i Dërguari i Allahut! Të betohem për Atë që të ngarkoi Ty me të drejtën, se unë i kam parë këto fjalë në ëndërr.

Profeti i Allahut në pamje dukej sikur të ishte duke i thënë, se Ai kishte parë edhe më shumë se kaq, andaj u kthye nga Omeri i nderuar dhe i tha tërë përgëzim:

– Lëvduar qoftë Allahu prej kësaj dhe ëndrrës së Omerit![1]

Këndej e tutje, mënyra se si do t’i thërrisnin besimtarët për të falur namazin u zgjidh, dhe pesë herë në ditë, qielli do të kumbonte emrat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Kjo mandej u quajt “ezan”.


[1] Shih: Ebu Daud, Sunen, 1/189; Ibni Hiban, Sahih, 4/573; Bejheki, Sunen, 1/390; Ibni Hisham, Sire, 3/40-42

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali