Bujaria e Profetit Muhamed (s.a.s.)

hands-4086542_960_720.jpg

‘Kerram’ do të thotë bujari, bamirësi dhe gostitje. Në arabisht kerram është një virtyt i pëlqyer. Madje kur analizojmë poezitë e periudhës para Islamit, mund të shihni se arabët e asaj periudhe janë lavdëruar në këto pika: Ne premë kaq dele, kaq lopë dhe kaq deve / dhe ia servirëm mysafirëve. Gostitja me bujari e mysafirit ishte shkak për t’u lavdëruar dhe në këtë pikë fiset bënin gara me njëri-tjetrin. Sigurisht që ata e bënin çdo gjë në emër të egoizmit të tyre. Në një kohë kur mes tyre vlerësohej bujaria dhe bamirësia, u shfaq një njeri, më bujari mes bujarëve. Të gjithë shtangën kur panë bujarinë e tij. Ky njeri bujar, gjithçka e bënte për hir të Zotit dhe nëse i dhuronte dikujt botën, nuk fliste as dhe një fjalë për të. Madje dhe poezitë e poetëve që tregonin për bujarinë e Tij, nuk i pranonte në asnjë mënyrë dhe fjalët e tyre ia dedikonte Zotit, “Ekremul Ekremin”- Më Bujari i Bujarëve.

Ai ishte një pasqyrë e ndritshme në të cilën pasqyrohej dhe dëshmonte veten emri i Zotit ‘Kerim’. Ashtu si në çdo fushë tjetër, edhe në këtë fushë, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! ishte përfaqësuesi më i lartë Zotit të Madhëruar. Dhe nuk mund të kishte njeri më bujar se Ai mbi tokë.

Nëse bujaria merret si një normë morale që të afron me Zotin, si të mos ishte bujar i Dërguari i Zotit? Ai kishte lënë mbrapa dhe Xhebrailin, madje në udhën drejt tek Zoti. Dhe pikërisht Ai shprehet me këto fjalë: “Bujari është afër njerëzve, afër xhenetit dhe larg xhehenemit. Ndërsa koprraci është larg njerëzve, larg xhenetit dhe afër xhehenemit.”[1]

Në jetën e tij personale Ai kishte zgjedhur varfërinë. Kjo nuk do të thotë se ai dëshironte që të gjithë të ishin të varfër. Por në të njëjtën kohë nuk i pëlqente njerëzit e fryrë dhe përherë me mendjen tek stomaku. Me mësimet e Tij, myslimanët u bënë populli më i pasur në botë për një kohë të shkurtër. Nuk gjenin njerëz mes tyre të cilëve t’u jepnin sadakanë dhe zekatin. Aq të larta ishin të ardhurat personale të një personi! Por mes tyre kishte dhe aq njerëz modestë, saqë në shtëpi mbanin ushqimet ditore dhe nuk pranonin diçka tjetër që mund t’u jepej. Ky është një altruizëm dhe çështje e lartësimit shpirtëror. Është dashuria për të dhuruar jetë. Ideali i braktisjes së dëshirës për të jetuar. Nuk është i mundur kuptimi i këtyre gjërave nga njerëz të cilët s’janë mbushur me këto ndjenja.

Në një hadith të transmetuar nga Ibn Abasi (r.a.), ai tregon për bujarinë e Profetit: “I Dërguari i Zotit ishte njeriu më bujar ndër njerëz. Kur vinte muaji i Ramazanit dhe takohej me Xhebrailin, bëhej edhe më bujar. Xhebraili vinte çdo natë dhe përsëriste Kuranin bashkë me të. I Dërguari i Zotit ishte dhe më bujar se era që fryn.”[2]

Profeti ynë, me urdhrin e Zotit, mbante një të pestën e të gjithë pasurive. Domethënë një e pesta e pasurive mbaheshin nën administrimin personal të Profetit. Autorizimin për ta përdorur pasurinë sipas dëshirës ia kishte dhënë drejtpërdrejtë Zoti i Madhëruar. Megjithatë, Omeri (r.a.) do të hynte një ditë në dhomën e tij të lumturisë dhe do të qante me dënesë. Kur Profeti e kishte pyetur se çfarë kishte, Omeri i madh ishte përgjigjur kështu:

“O i Dërguari i Zotit! Mbretërit e botës po notojnë në mes të pasurisë. Ndërsa Ti nuk ke as dhe një shtrojë për t’u ulur… shtratin e ke prej rrogozi dhe në fytyrë shenjat e tij. Megjithëse gjithësia u krijua për ty.

I Dërguari i Zotit i përgjigjet kështu:

“A nuk dëshiron, o Omer, që ahireti të jetë i yni dhe kjo bota e tyre?”[3]

Kur Profeti fliste kështu, nuk fliste me fjalët e një të varfri i cili nuk ka mundësi të jetojë ndryshe, apo me fjalë që pasqyrojnë dëshpërim, vuajtje të një njeriu. Siç e theksuam më sipër, po të dëshironte, mund të ishte njeriu më i pasur. Për ta kuptuar dhe më mirë, le të shohim një të pestën e pasurisë së Tij të mbledhur në luftën e Hunejnit: 40.000 dele, 24.000 deve, 6.000 robër, 4.000 oka me argjend, ku një okë është 4 kg.”[4]

Butësia dhe çelësat e ndjenjave të tjera hyjnore të Profetit paqja qoftë mbi të! kanë hapur shumë zemra të mbyllura dhe Safvan bin Umeje është një nga ato. Hz. Enesi (r.a.) tregon: “Kur i Dërguari i Zotit po shkonte në Hunejn, kishte marrë borxh armën nga një person. Safvan e sheh i habitur pasuritë e përfituara në Hunejn. Mirëpo kjo gjë kishte tërhequr vëmendjen e Profetit. Ai iu drejtua me këto fjalë: “Le të jenë të tuat ato deve të cilat po i sheh me ëndje.” Pas kësaj i dha shumë gjëra. Safvani u çudit përballë bujarisë së Tij. Ky njeri që e kishte zemrën të mbushur me urrejtje dhe zili për Profetin, papritmas ndryshoi. Bujaria e Profetit e kishte larguar nga zilia e urrejtja dhe për të, Profeti i nderuar ishte bërë më i dashuri ndër njerëz. Fitimi i Safvanit ishte më i rëndësishëm se mijëra deve dhe dhen. Safvani kishte shkuar shpejt tek fisi i tij dhe i kishte thënë: “O fisi im! Vraponi dhe hyni në Islam. Sepse Muhamedi dhuron jashtëzakonisht shumë dhe këtë mund ta bëjë një njeri që nuk frikësohet nga varfëria dhe beson verbërisht Zotin.”[5]

Pavarësisht nevojave të tij, ai jepte gjithçka që i kërkohej. Sehl bin Sa’d transmeton: Një ditë, një grua i solli Profetit një triko të punuar vetë.

– O i Dërguari i Zotit! Këtë triko e kam punuar me duart e mia dhe desha t’jua dhuroj, – iu drejtua gruaja. Profeti kishte nevojë për një triko. Dhe e ka veshur trikon në vend të këmishës.

Njëri mes të pranishmëve i thotë:

– O i Dërguari i Zotit! A po ma dhuron mua atë triko?

– Po, sigurisht, – i përgjigjet Profeti.

Vazhdoi edhe pak bisedën. Pastaj u kthye në dhomën e Tij. Palosi trikon. Më vonë ia dërgoi atij që ia kishte kërkuar. Ata që ndodheshin aty thanë:

  • Sa me fat je! Profetit i duhej ajo triko. Pastaj ia kërkove ti. Ti e di që ai nuk kthen mbrapsht dëshirën e dikujt.

Dhe ai person u përgjigj kështu:

  • Ju betohem për Zotin që unë nuk e mora për ta veshur. E mora ta kem qefin për vete.

Sehli thotë që ajo triko u bë vërtet qefini i tij.[6]

Në një rast tjetër, kishte ardhur një nomad dhe kishte kërkuar diçka nga ai. Dhe Profeti ia kishte dhënë çfarë kishte dashur. Personi në fjalë kishte kërkuar përsëri diçka dhe ai ia kishte dhënë përsëri. Në kërkesën e tretë, Profeti, duke mos pasur ç’t’i jepte, i kishte premtuar për më vonë. Pra, do t’ia jepte sapo të kishte diçka në dorë. Kjo gjë e kishte mërzitur pa masë Hz. Omerin dhe ishte mërzitur për shqetësimin e Profetit në mënyrë të tillë. U ngrit mbi gjunjë dhe tha: “Kërkuan, ti, ia dhe. Përsëri kërkuan, përsëri ia dhe. Përsëri kërkuan, ia premtove. Mos e lodh veten kaq shumë, o i Dërguari i Zotit!”

Por këto fjalë nuk i kishin pëlqyer fare Profetit. Abdullah b. Hudhafetu Sehmi, pasi kishte parë ngrysjen e vetullave të Tij, u ngrit në këmbë dhe tha: “Dhuro, o i Dërguari i Zotit, mos mendo asnjëherë se Zoti do të lërë të varfër dhe të ndërpresë mirësitë e Tij.”

I vetmi i botëve, qëndroi pak i heshtur dhe pastaj foli: “Ja, unë për këtë jam urdhëruar.”[7]

Sa bukur thotë Ferazdaku:

Përveç shehadetit, ai kurrë nuk ka thënë jo.

Po të mos ishte shehadeti, ‘Jo’-ja e tij do të ishte ‘Po’.

Ai ishte plotësuar aq shumë me po-në. Brenda rrethit të së lejuarës ai i përgjigjej menjëherë dëshirës së një personi dhe i jepte çfarë të donte.

Mbreti i Profetëve ishte i vetëm në bujari dhe me Të nuk kishte të ngjashëm. Një bujari e përmasave të tilla mund të vërehet vetëm tek profetët.

[1]Tirmidhiu, 4/342.

[2]Buhari 2/672, 3/1177; Muslimi 4/1803; Nesai 4/125.

 

[3]Buhari, 4/1866; Bezar, 1/303.

[4]Ibn Hisham, Siret, 4/135-136.

[5]Ibn Kethir, el-Bidaje ven-Nihaje, 4/359.

[6]Buhari, 1/429, 2/737; Ibn Maxhe, 2/1177; Ahmed b. Hanbel, 5/333.

 

[7]Bezzar, 1/396.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali