Dhembshuria dhe mëshira e Profetit (s.a.s.)

shutterstock_776264908.jpg

Mëshira dhe dhembshuria e të Dërguarit të Zotit përbën një dimension të virtytit të tij. Në mëshirën dhe dhembshurinë e Tij njëherazi, fshihej një thellësi e veçantë e një mendimi perfekt. Profeti ynë paqja qoftë mbi të!, si përfaqësuesi i vetëmth në tokë i mëshirës dhe bamirësisë së Zotit të Madhëruar, ka përdorur ndikimin e këtyre dy cilësive të bekuara si një ilaç dhe ka zënë vend në të gjithë zemrat. Nuk ekziston një arsye e dytë për pranimin e një njeriu në shoqëri më shumë sesa dhembshuria, mëshira, butësia dhe sinqeriteti. Ja, pra, i Dërguari i Zotit, me finesën e brendshme, kapacitetin e mrekullueshëm dhe virtytin e tij, ka vlerësuar mëshirën dhe dhembshurinë në një dimension tjetër të virtytit dhe kjo përbën një argument tjetër të profetësisë së Tij.

Zoti i Madhëruar e ka dërguar Atë si mëshirë për botët. Kur i drejtohet atij, Zoti (xh.sh.) thotë: “TaHa. (O i Dërguari im) Ne nuk e zbritëm këtë Kuran të të sjellë vështirësi.”[1] Në fakt, Ai transmeton Mëshirën e shndritshme të Zotit. Ai është si një burim uji në mes të shkretëtirës, si hauzi keuther, nga i cili kanë mbushur të gjithë gotën dhe kanë pirë sa kanë mundur. Ja, me dimensionin e tij të mëshirës, Ai është si një burim i hapur keutheri për të gjithë… Çdokush që dëshiron, mund të përfitojë.

Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! ka përqafur njerëzimin me një dashuri që përfshin si një mesazh gjithë njerëzimin dhe krijesat.

Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit![2] Në këtë ajet Zoti i Madhëruar thekson se Ai duhet të përdorë rrugën e faljes dhe të bashkëpunimit. Sipas transmetimit, kur ka zbritur ky ajet, erdhi Xhebraili (a.s) dhe i Dërguari e pyeti:

“O Xhebrail cili është kuptimi, interpretimi i këtij ajeti?”

“Po pyes dhe unë”, tha ai dhe iku. Erdhi pas pak dhe iu përgjigj:

“O Muhamed. Zoti i Lartësuar të urdhëron të vizitosh ata që i kanë prerë lidhjet farefisnore, t’i japësh atij që të privon dhe të falësh atë që të bën padrejtësi.”[3]

Vetëm se dhembshuria e madhe dhe mëshira e Tij e thellë nuk mbeti vetëm në mendjet apo në faqet e një libri si dashuria dhe mëshira e përfituesve, keqpërdoruesve, përkundrazi, u praktikua brenda një kohe të shkurtër dhe u pasqyrua me të gjitha hollësitë. Në të vërtetë, Profeti ynë nuk ka asnjë mendim të papraktikuar. Ai, me qenien e tij, është një njeri aksioni dhe veprimi.

Qëndrimi i Tij brenda umetit është një arsye e Zotit të Madhëruar për të mos e sprovuar me zhdukjen e përbashkët. Në Kuran thuhet: “Në qoftë se Ti i ndëshkon ato, ata janë robtë e tu.”[4] Ky ajet është argument i mëshirës dhe i dhembshurisë së Profetit tonë universal. Ai thotë: “Unë nuk jam dërguar si shkatërrues, por si mëshirë për ju.”[5]

Nëse shihte një fëmijë duke qarë, Ai ulej dhe qante me të. E ndjente vuajtjen e rënkimit të një nëne. Ja një hadith i transmetuar nga Ebu Hurejre i cili tregon mëshirën e jashtëzakonshme të Tij: “Kur prij në namaz, dua ta zgjas faljen. Pastaj dëgjoj një të qarë fëmije. Duke e ditur shqetësimin që ndjen nëna e tij, e mbaroj sa më shpejt namazin.”[6]

Sidomos dhembshuria ndaj fëmijëve të Tij ishte krejt e veçantë. Shumë herë ka shkuar tek familja e mëndeshës së birit të tij, Ibrahimit, e ka marrë në prehër dhe e ka përkëdhelur për një kohë të gjatë. Pas vdekjes së Ibrahimit ka derdhur lot.[7]

Në një hadith thotë: “Ju mëshironi krijesat në tokë që t’ju mëshirojnë ata të qiellit.”[8]

I Dërguari i Zotit shfaqte dashuri dhe dhembshuri jo vetëm ndaj familjes së Tij, por edhe ndaj miqve të afërt e të largët.

Dhembshuria e Tij nuk përfshinte vetëm njerëzit, por edhe kafshët. Kishte lajmëruar për hyrjen në xhehenem të një gruaje e cila nuk kishte ushqyer një mace,[9] nga ana tjetër kishte përgëzuar me xhenet një grua imorale e cila i kishte dhënë të pinte ujë një qeni të lodhur dhe të etur.[10]

Një herë po ktheheshin nga një luftë. Gjatë kohës së pushimit, disa nga sahabet kishin gjetur një fole zogu, kishin marrë të vegjlit dhe po i përkëdhelnin. Ndërkohë erdhi nëna e tyre dhe kur pa se të vegjlit e saj ndodheshin në duart e tyre, filloi të përpëlitej dhe të fluturonte hutueshëm. Kur i Dërguari i Zotit mori vesh ç’kishte ndodhur, u zemërua shumë dhe urdhëroi që t’i shpinin zogjtë në folenë e tyre.[11] Vërtet, mëshira e Tij përfshinte dhe kafshët. A nuk është qortuar nga Zoti një nga Profetët e kaluar për shkak të folesë së një milingone?

Ky profet, kishte djegur milingonat pa dashje. Pas kësaj ishte qortuar nga Zoti.[12] Tani, a është e mundur të sillet ndryshe Profeti i cili na transmeton këtë dhe raste të ngjashme? Pastaj, brenda umetit të Tij do të edukohen breza të tillë të cilët do kenë parimin: “milingona nuk shtypet zotëri”. Sepse ata do të vendosnin zile në këmbë dhe ashtu do të vazhdonin të ecnin, në mënyrë të tillë që insektet të largoheshin nga zhurma e ziles dhe të mos shtypeshin. O Zot! Çfarë shembulli i lartë e universal i dhembshurisë dhe i mëshirës! Edhe milingonat nuk kanë mbetur jashtë rrethit të Tij mëshirues. A mund të shtypin të tjerët këta njerëz të cilët nuk mund të shtypin qoftë një milingonë. Jo, nuk është e mundur që ata të bëjnë padrejtësi me dijeni ose me qëllim.

Ibn Abasi tregon: “Po shkonim në një vend bashkë me të Dërguarin e Zotit. Njëri kishte lidhur dashin për ta prerë dhe po mprehte thikën para syve të tij. I Dërguari i Zotit i tha: “Mos do ta therësh disa herë atë?”[13] Ky ishte një qortim ndaj atij njeriu.

Abdullah ibn Xhaferi (r.a.) tregon: I Dërguari i Zotit hyri në një kopsht bashkë me disa sahabe. Në një qoshe të kopshtit ishte një deve shumë e dobët. Deveja filloi të qante sapo pa të Dërguarin e Zotit. Zotëria i dy botëve iu afrua menjëherë. Qëndroi për pak kohë afër saj, pastaj thirri të zotin e devesë dhe ia tërhoqi vëmendjen për ta trajtuar sa më mirë atë.[14]

Në të vërtetë, Profeti paqja qoftë mbi të! sfilitej shumë për hir të dashurisë ndaj njerëzve. Përpjekja e tij për të ndryshuar njerëzit shihet si argument dhe në Kuran: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?”[15]

A nuk e kishte burgosur veten brenda një shpelle sapo atmosfera profetike kishte filluar ta mbështillte? Edhe shpallja i kishte ardhur aty për herë të parë. Domethënë, Ai i donte njerëzit dhe kishte dhënë shpirtin në këtë rrugë.

Kryesisht, kuptimi i xhihadit i të Dërguarit të Zotit rridhte nga ana mëshiruese. Njerëzit mund të kishin humbje të ndryshme në këtë botë për shkak të xhihadit, por në botën e përtejme, do të fitonin aq shumë, saqë humbjet e mëparshme do t’i dukeshin asgjë. I Dërguari i Zotit me majën e shpatës që mbante hapte rrugët që të çonin në xhenet. Ky ishte një dimension tjetër i dërgimit të tij si mëshirë për botët…

 

[1]Ta Ha, 20/1-2.

[2]A’raf, 7/ 191.

[3]Taberi, 6/154.

[4]Maide, 5/118.

[5]Muslimi, 4/2006.

[6]Buhari, 1/250; Muslimi, 1/ 342; Ebu Davudi, 1/269.

[7]Muslim, 22/ 630.

[8]Tirmidhiu, 4/323.

[9]Muslimi, 4/2023; Ahmed b. Hanbel, 2/ 317.

[10]Buhari, 3/ 1206, Ahmed b. Hanbel, 2/510.

[11]Ebu Davudi 2/61; Hakim, Mustedrek, 4/267.

[12]Buhari, 3/1099, 1206; Muslimi, 4/1759.

[13]Hakim, Mustedrek, 4/ 231, 233.

[14]Taberani, Muxhemul-Evsat, 9/81.

[15]Kehf, 18/6.

 

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali