Humori i Profetit Muhamed (s.a.s.)

enderra.jpg

Humori është po aq i vjetër sa edhe historia e njerëzimit. Për nga natyra, njeriu nuk shfaq përherë të njëjtat vepra. Ndonjëherë, kur është shumë i zënë, shfaq disa sjellje çlodhëse. Humori është një nga këto sjellje. Dallimi i humorit nga ironia, apo tallja, është te shakaja e cila nuk i nëpërkëmb të tjerët dhe as nuk ua thyen zemrat. Vetë Profeti paqja qoftë mbi të! duke bërë shaka, ka dëshmuar se humori është i nevojshëm. Nëse Ai do të ishte turivarur dhe të sillej gjithmonë serioz, atëherë njerëzit nuk do kishin mundur t’i afroheshin.

Aishja (r.a.) pasi thekson se Profeti vetë bënte shaka, transmeton se Ai ka thënë: “Pa dyshim që Zoti i Madhëruar nuk qorton askënd për arsye të një shakaje në të cilën nuk ka gënjeshtra.”[1]

Madje Handhale ibn Rebisë, i cili u pendua për një shaka që kishte bërë, i thotë: “O Handhale! Njeriu nganjëherë është ashtu, e nganjëherë kështu.”[2]

Një ditë Ebu Hurejre duke mos e kuptuar atë që kishte bërë Profeti, i drejtohet:

“O i Dërguari i Zotit! Mos është ndonjë shaka?”

“Po, unë bëj shaka, por them vetëm të vërtetën”, i ishte përgjigjur Profeti. ‘[3]

Madje Ai ka bërë shaka edhe me nipërit e tij, Hasanin dhe Hysenin, i ka hipur në shpinë dhe u ka thënë: “Sa deve të mirë paskeni dhe sa kalorës të mirë jeni ju.”[4] Profeti ndonjëherë vizitonte edhe familjen e Enesit. Në një nga këto vizita, vëllai i Enesit mbante një zog. Quhej Nugajr. Duke pyetur: “Ebu Umejr! Ç’thotë Nugajri?”, kishte fituar zemrën e djaloshit.[5] Në këto dy raste mësojmë shembujt e shakave të Profetit me fëmijët. Madje Enesit i ka thënë: “O ti me dy veshë.”[6]

Qëllimi i humorit të Profetit ishte të paralajmëronte diçka, për të fituar pëlqimin e Zotit, për të forcuar lidhjet me njëri-tjetrin ose për të larguar hidhërimin, mërzinë dhe pikëllimin. Një ditë i ishte drejtuar një sahabe që nuk dëshironte të hipte mbi deve:

“A të të hipi tek i vogli i devesë?” Sahabi ishte çuditur nga pyetja. Më pas i kishte thënë:

“A nuk janë të gjitha devetë vogëlushë të një deveje.” Me këtë përgjigje i kujton se po bënte shaka[7]. Në kthimin nga haxhi i lamtumirës, Profeti i është drejtuar një sahabe të quajtur Enxheshe, i cili duke bërtitur i hovte devetë të cilat mbanin gratë e Profetit:

“O Enxheshe! Ngite ngadalë se mos na thyhen kristalet.”[8]

Kur një grua e moshuar nga ensarët kërkoi nga Profeti që t’i lutej për të hyrë në xhenet, Ai i tha:

“Të moshuarit nuk mund të hyjnë në xhenet.” Gruaja u mërzit shumë nga këto fjalë dhe Ai vazhdoi:

“A nuk e di ti se në xhenet nuk do të hysh e moshuar.”[9]

Dhahiri ishte një njeri që vinte nga provinca. Ndonjëherë vizitonte Profetin dhe i sillte dhurata nga vendi i tij. Dhe Profeti i nderuar, në fund të vizitës, e përshëndeste Dhahirin dhe pranonte dhuratat. Bënte shaka me të duke i thënë: “Dhahiri është provinca jonë ndërsa ne jemi qendra e tij.” Profeti e donte Dhahirin. Nga pamja e jashtme, Dhahiri ishte i shëmtuar, por ishte njeri i mirë. Një ditë, Profeti ia afrua kur ai po shiste në treg. E përqafoi nga mbrapa. Dhahiri nuk mund ta shihte Profetin. “Kush je ti, më lër të qetë!” tha Dhahiri. Ndërkohë përpiqej të kthehej mbrapa dhe të shihte se kush ishte. U kthye pak dhe arriti të shihte se njeriu mbrapa tij ishte i Dërguari i Zotit. Kur u kuptoi se ishte Ai, nuk bëri më rezistencë. Ndërkohë i Dërguari i Zotit tha: “Kush do ta blejë këtë skllav?” Dhahiri ia ktheu: “O i Dërguari i Zotit! Nëse do më shesësh, më shit lirë, sepse askush nuk dëshiron të më blejë.”

Pas këtyre fjalëve, Profeti i tha: “Veçse para Zotit nuk je i pavlerë, je shumë i shtrenjtë.”

Ai donte të theksonte se tek njerëzit nuk është e rëndësishme pamja e jashtme, por morali dhe bukuria e qëllimit.

Ndonjëherë Profeti luante me nipërit. I merrte mbi shpinë, ndonjëherë mbi shpatulla dhe i shëtiste. Ndonjëherë i përkundte në këmbë, ndonjëherë i bënte për të qeshur me mimikën e fytyrës.[10]

[1]Ibn Asakir, Tarih, 4/37.

[2]Muslimi, 4/2106; Tirmidhiu, 4/666; Ahmed b. Hanbel, 4/ 178.

[3]Tirmidhiu, 4/357; Ahmed b. Hanbel, 2/ 340, 360.

[4]Tirmidhiu, 5/661.

[5]Buhari, 5/2291; Muslimi, 3/1692; Ebu Davudi, 2/711; Tirmidhiu, 2/154, 357.

[6] Ebu Davudi, 2/ 719; Tirmidhiu, 5/681; Ahmed b. Hanbel, 3/117.

[7] Ebu Davudi, 2/712; Ahmed b. Hanbel, 3/267.

[8]Buhari, 5/2281, 2291; Muslimi 4/1811; Ahmed b. Hanbel, 3/107.

[9]Tirmidhiu, Shemail, 1/199; Hejsemi, Mexhmeuz-Zevaid, 10/776.

[10]Tirmidhiu, 5/661; El-Hindi, Kenzul-Ummal, 13/625.

 

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali