LUTJET E MENGJESIT

LUTJET E MENGJESIT

PAS NAMAZIT TE MENGJESIT (SABAHUT)

 

Pas faljes së namazit të mëngjesit, këndohen me radhë këto lutje:

  1. Allahu im, paqja je Ti, paqja dhe shpëtimi janë tek Ti! Shumë i lartë je; dobia dhe begatia Jote janë të pambarim, o i Madh e Dhurues!
  2. Allahu është i pastër nga të gjitha cilësitë që tregojnë mangësi! Të gjitha lavdet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve! Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Allahu është më i madhi; fuqia dhe forca janë të Allahut që është i lartë e i fuqishëm!

 

(6)

 

  1. Pastaj këndohet Ajeti Kursi.[1] Kuptimi i Ajetit Kursi është kështu: “Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Ai është vazhdimisht i gjallë e në veprim! Ai i mban gjallë, i mbron dhe i drejton krijesat e Tij! Ai nuk dremit e nuk fle! Çdo gjë që ndodhet në qiej e çdo gjë që ndodhet në tokë është e Tij! E kush mund të ndërhyjë për falje te Ai pa lejen e Tij? Ai di për gjithçka që ata (njerëzit) e nxjerrin para e për gjithçka që e fshehin pas! Dhe ata nuk kuptojnë dot gjë tjetër veçse aq sa ç’u mundëson Ai nga dituria e Tij! Kursija e Tij mbulon qiejt dhe tokën dhe Ai nuk e ka të vështirë t’i mbrojë e të kujdeset për to! Ai është i lartë e madhështor!”
  2. Pas kësaj këndohen duke u përsëritur nga 33 herë, “Subhanallah”,[2] “Elhamdulil’lah”,[3] Allahu Ekber”.[4]
  3. Pastaj bëhet lutje. Pas lutjes thuhet 100 herë “La ilahe il’lallah”.[5]

 

(7)

 

  1. Pastaj thuhet Besmele duke filluar me Istihadhe: “Eudhu bil’lahi mine’sh-shejtani’r-raxhim, bismi’l-lahi’r-rahmani’r-rahim”, “Mbështetem te Allahu nga shejtani i përzënë (nga mëshira e Allahut)! Me emrin e Allahut Mëshirues e Mëshirëbërës!”
  2. Dhe këndohen këto lutje:

Allahu im, Ti je Zoti im, zot tjetër përveç Teje s’ka! Ti më krijove mua, unë jam robi Yt dhe besnik me të gjitha forcat e mia pas zotimit dhe premtimit që të kam dhënë Ty! Te Ti mbështetem nga e keqja e të këqijave që kam punuar! I pohoj të mirat e Tua për mua dhe i pranoj mëkatet që kam bërë! Falmë mua, sepse vetëm Ti je ai që i fal mëkatet! (3 herë)

  1. Me emrin e Allahut, nga përmendja e të Cilit asgjë në qiej e në tokë nuk mund të bëjë të keqe! Ai është Semi dhe Alim![6] (3 herë)

 

(8)

 

  1. Mbështetem në të gjithë Fjalën e Allahut nga e keqja e krijesave të Tij! (1 herë)
  2. Mbështetem te Allahu që dëgjon dhe di çdo gjë, nga e keqja e shejtanit të përzënë (nga mëshira e Allahut)! (3 herë)
  3. Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Ai e njeh edhe atë që duket, edhe atë që s’duket! Ai është Mëshirues dhe Shpërblyes![7] Allahu është Ai që nuk ka zot tjetër veç Tij! Ai është Melik (pronar dhe sundimtar mbi çdo gjë), Kuddus (përsosmërisht i shenjtë në vetvete dhe në aktet e Tij), Selam (që jep paqe e shëndet), Mumin (që jep garanci), Muhejmin (që e vëzhgon çdo gjë, që kujdeset për çdo gjë dhe që e mbron çdo gjë), Aziz (i vyer, epror dhe i shenjtë), Xhebbar (drejtues i robve sipas vullnetit të Vet), Mutekebbir (më i madhi e më madhështori). Allahu s’ka të bëjë me ndonjë lloj partneriteti, as me ata që i veshin partneritet! Allahu është Ai që e ka krijuar çdo gjë dhe që u jep krijesave të Tij ekzistencë, harmoni dhe formën më të bukur duke i kaluar nëpër nivele dhe filtrime të caktuara! Emrat më të bukur janë të Tij! Çdo gjë që ndodhet në qiej e në tokë e përmend Atë me madhërim! Ai është Aziz (i shenjtë) dhe Hakim (i urtë)!

 

(9)

 

  1. Thuaj: Allahu është një i vetëm! Allahu është vetekzistent dhe i vetëmjaftueshëm.[8] Nuk ka lindur kënd dhe nuk është i lindur. Dhe asgjë s’është identike me Të![9] (3 herë)
  2. Thuaj: Mbështetem te Zoti i agimit nga e keqja e krijesave të Tij, nga e keqja e natës kur bie errësira, nga e keqja e atyre që lidhin nyje dhe nga e keqja e ziliqarit kur bën zili! (3 herë)
  3. Thuaj: Mbështetem te Zoti i njerëzve, te sunduesi i njerëzve, te i adhuruari i njerëzve nga e keqja e atyre që i lëkundin njerëzit, që fusin lëkundje në gjokset e njerëzve, cilëtdo qofshin ata, prej xhindëve ose prej njerëzve! (3 herë)

 

(10)

 

  1. Madhërojeni Allahun kur hyni në mbrëmje dhe kur dilni në mëngjes! Falenderimi është për Allahun në qiej e në tokë, kur bie nata dhe kur arrin mesdita! Ai e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla dhe rikrijon pas vdekjes. Edhe ju kështu do të nxirreni (nga toka)!
  2. Allahu im, me bujarinë Tënde u ngritëm në mëngjes, me bujarinë Tënde arritëm në mbrëmje, me bujarinë Tënde jetojmë, me lejen Tënde vdesim dhe përsëri te Ti do të kthehemi!
  3. Lavdërimi i përket Allahut që na ringjall pas vdekjes! Dhe kthimi ynë është te Ai!
  4. Allahu im, s’ka zot tjetër veç Teje dhe Ti s’ke shok!

 

(11)

 

  1. Të quaj Ty të pastër nga çdo gjë që s’të përshtatet Ty! Allahu im, të lutem të m’i falësh mëkatet dhe lus mëshirën Tënde!
  2. Allahu im, shtoma diturinë dhe, pasi të më kesh vënë në rrugë të drejtë, mos ma lër zemrën të më rrëshqasë! Falmë mëshirë nga lartësia Jote! Pa dyshim, Ti je falës dhe favorizues i madh!
  3. Allahu im, fale zotërinë tonë Muhammedin dhe familjen e tij, siç e fale Ibrahimin dhe familjen e tij! Pa dyshim, Ti je i lartë e i denjë për çdo famë dhe lavdërim! (10 herë)
  4. Allahu im, begatoje zotërinë tonë Muhammedin dhe familjen e tij, siç e begatove Ibrahimin dhe familjen e tij. Pa dyshim, Ti je i lartë e i denjë për çdo famë dhe lavdërim! (10 herë)

 

(12)

 

  1. Allahu im, u ngrita në mëngjes duke mbajtur për dëshmitarë Ty, engjëjt që bartin Arshin, engjëjt e tjerë dhe të gjitha krijesat e Tua se nuk ka zot tjetër veç Teje dhe se Muhammedi (sav) është robi dhe i dërguari Yt! (3 herë)
  2. Urdhëro, Allahu im, urdhëro, nën urdhrin Tënd të erdha! E mira është në dorën Tënde, prej Teje vjen dhe tek Ti kthehet!
  3. Allahu im, nuk ka fjalë që të kem thënë, nuk ka betim që të kem bërë, nuk ka kushtim që ta kem kushtuar dhe nuk ka punë që të kem bërë që Ti të mos i kesh dëshiruar që më parë! Ç’të kesh dëshiruar Ti për t’u bërë, ajo është bërë dhe ç’të kesh dëshiruar Ti për të mos u bërë, ajo s’është bërë! Fuqia dhe forca janë vetëm tek Ti! Pa dyshim, Ti ke mundësi për çdo gjë!

 

(13)

 

  1. Allahu im, çdo lutje që të kem bërë, qoftë për atë që Ti e ke mëshiruar, dhe çdo mallkim që të kem bërë, rëntë mbi atë që ti e ke mallkuar! Ti je miku dhe kujdestari im në këtë botë dhe në jetën tjetër (ahiret); bëmë të vdes si musliman dhe jepmë të drejtë për të hyrë mes robve të Tu të mirë!
  2. Allahu im, kërkoj prej Teje që, pa pësuar ndonjë gjë të dëmshme dhe ndonjë intrigë që të më shmangë nga rruga e drejtë, dhe duke e pranuar çdo gjë që ke vendosur për mua, që, pas vdekjes të kaloj një jetë të qetë, të shijoj shikimin e bukurisë Tënde dhe të ndjej kënaqësinë e bashkimit me Ty; dhe tek Ti mbështetem nga bërja e ndonjë padrejtësie ose nga pësimi i ndonjë padrejtësie, nga bërja e ndonjë armiqësie ose nga pësimi i ndonjë armiqësie, nga bërja e ndonjë gabimi ose nga hyrja në ndonjë mëkat të pafalshëm!

 

(14)

 

  1. Allahu im që ke krijuar qiejt dhe tokën, që njeh botën e fshehtë e të dukshme, që je madhështor dhe bujar, të jap fjalën në jetën e kësaj bote dhe të mbaj për dëshmitar. Ti mjafton për dëshmitar!
  2. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje, se Ti je një dhe i pashok! Pasuria dhe pushteti janë të Tuat dhe fama e lavdërimi të përkasin vetëm Ty! Dhe Ti ke mundësi për çdo gjë!
  3. Dhe gjithashtu dëshmoj se Muhammedi (sav) është robi dhe i dërguari Yt! Dëshmoj se premtimi Yt është i drejtë dhe se dalja para Teje është e drejtë, se s’ka dyshim se ora e kiametit ka për të ardhur dhe ata që shtrihen në varre kanë për t’u ringjallur! Po të më lësh vetëm për vetëm me veten time, do të thotë të më shtysh në dobësi, në nevojtari, në gabim dhe në mëkat!

 

(15)

 

  1. Unë vetëm mëshirës Tënde i besoj, pra, falmi të gjitha mëkatet, sepse vetëm Ti i fal mëkatet! Pranoma pendimin, sepse Ti i pranon pendimet dhe je shumë i mëshirshëm!
  2. Lavdi Allahut që ka krijuar gjumin dhe zgjimin!
  3. Lavdi Allahut që më ringjall mua të shëndoshë dhe me të gjitha organet dhe gjymtyrët pa të metë!
  4. Dëshmoj se Allahu i ringjall të vdekurit dhe se Ai ka mundësi për çdo gjë![10]
  5. Edhe ne, edhe e gjithë qenia dolëm në mëngjes si krijesa që i përkasim Allahut që është i shenjtë e madhështor! Lavdia dhe lavdërimi janë të posaçme për Allahun, madhëria dhe madhështia janë të Allahut! Edhe krijimi, dhe urdhri, edhe nata dhe dita, edhe çdo gjë tjetër që zë vend në natë dhe ditë i përkasin vetëm Allahut!
  6. Allahu im, bëje fillimin e kësaj dite paqe e qetësi, mesin e kësaj dite, kënaqësi, kurse fundin, nga të gjitha anët, sukses e mirësi!

 

(16)

 

  1. Dobinë edhe të kësaj bote, edhe të jetës tjetër (Ahiretit) nga Ti e kërkoj, o më mëshiruesi i mëshiruesve!
  2. Allahu im, tek Ti mbështetem nga shqetësimi dhe dëshpërimi, tek Ti mbështetem nga dobësia dhe përtacia, tek Ti mbështetem nga frikacakëria dhe kurrnacëria dhe tek Ti mbështetem nga rënia i mundur nën peshën e borxheve dhe nga persekutimi i armiqve! (3 herë)
  3. Edhe ne, edhe e tërë qenia dolëm në këtë mëngjes si krijesa të Allahut! Ai s’ka ortak e s’ka shok, nuk ka zot tjetër veç Tij, kurse kthimi ynë është prapë tek Ai! Allahu im, Zoti dhe Zotëruesi i çdo gjëje, që i krijon qiejt dhe tokën me një sistem të caktuar, që e njeh botën e fshehtë dhe botën e dukshme, dëshmoj se zot tjetër veç Teje s’ka! Mbështetem tek Ti nga e keqja e vetvetes dhe e djallit, nga rrjeta e tij, që djalli të mos m’i ngarkojë vetes ndonjë të keqe ose që të mos më shtyjë për t’i bërë të keqe ndonjë muslimani! (4 herë)

 

(17)

 

  1. O Ti që je i gjallë, o Ti që ekziston në vetvete![11] Kërkoj ndihmë prej Teje për hir të mëshirës Tënde. Përmirësoma çdo gjendje timen dhe gjersa të hap e mbyll sytë mos më lër për asnjë çast vetëm për vetëm me veten time!
  2. Allahu im, Ti je më i denji që të të përmendet emri, vetëm Ti je i denjë për t’u adhuruar! Ti je ndër ata që ndihmojnë, Ai që ndihmon më shumë, Ti je më i dhembshuri i atyre që kanë pasuri e pushtet, Ti je më bujari dhe më dorëhapuri ndër ata, në portën e të cilëve të tjerët lypin diçka! Ti je zotëruesi dhe gjykuesi i çdo gjëje! Ti nuk ke ortak e nuk ke shok! Ti je qenia e vetme që s’ka shok e s’ka të ngjarë! Çdo gjë tjetër veç Teje është e dënuar të shkatërrohet. Bindja ndaj Teje bëhet vetëm me lejen Tënde dhe kundërshtimi ndaj Teje bëhet vetëm me dijen Tënde!
  3. Ndaj Teje tregohet bindje dhe Ti e shpërblen atë! Ndaj Teje ngrihet krye dhe Ti e fal atë! Dëshmuesi më i afërt i çdo gjëje je Ti dhe mbrojtësi më i afërt je prapë Ti! Ti ua pret rrugën egove (dëshirave) duke i mbërthyer për fyti! Ti i shkrove bëmat e njerëzve dhe çastin e fundit ua caktove!

 

(18)

 

  1. Zemrat[12] rrjedhin për tek Ti, e fshehta është e zbuluar dhe e dukshme pranë Teje! Hallall është ajo që Ti e ke bërë hallall dhe haram është ajo që Ti e ke bërë haram. Fe është ajo që Ti e ke ligjëruar, urdhër është ai që Ti e ke dhënë, krijesë është ajo që Ti e ke krijuar, rob është robi Yt! Ti je Rauf dhe Rahim, Allahu im!
  2. Po lyp prej Teje këtë mëngjes e këtë mbrëmje të më falësh e të më mbrosh nga zjarri me fuqinë Tënde për hir të atij me të cilin qiejt dhe toka u përshndritën, për hir të bukurisë së syve të tij, për hir të çdo të drejte Tënden dhe për hir të robve të Tu që lypin prej Teje!
  3. Allahu më mjafton mua, zot tjetër veç Tij nuk ka! Unë iu dorëzova Atij! Ai është Zoti i Arshit të Madh! (7 herë)

 

(19)

 

  1. Ne e pranuam dhe e pëlqyem Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Hz. Muhammedin (sav) si profet! Edhe unë e pranova dhe e pëlqeva Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Hz. Muhammedin (sav) si profet! (3 herë)
  2. Allahu im, çdo mirësi dhe dhunti mbi mua ose mbi ndonjë krijesë Tënden cilado qoftë që del në këtë mëngjes, është vetëm prej Teje! Ti nuk ke ortak dhe shok, lavdia të përket Ty, edhe falenderimi është posaçërisht për Ty!
  3. Allahu im, të mira të papritura prej Teje lus dhe nga të këqijat e papritura mbështetem tek Ti!
  4. Allahu im, u ngrita këtë mëngjes me një dhunti të ardhur prej Teje, me kënaqësi dhe me mëkatet të mbuluara. Plotësomi, pra, dhuntitë dhe kënaqësitë e Tua për mua dhe mbulomi mëkatet në këtë botë dhe në jetën tjetër (Ahiret)!
  5. Zoti im është Allahu, edhe dorëzimi im është te Allahu. Nuk ka zot tjetër veç Tij. Unë iu nënshtrova Atij. Ai është Zoti i Arshit të Madh!

 

(20)

 

  1. Nuk ka zot tjetër veç Allahut që është i Lartë e Madhështor! Eshtë bërë ç’ka dëshiruar Ai dhe nuk është bërë ç’nuk ka dëshiruar Ai! E di se Allahu ka mundësi për çdo gjë dhe se Ai e ka rrethuar gjithçka me diturinë e Tij!
  2. Allahu im, Ti je Zoti im, zot tjetër veç Teje s’ka! Unë t’u dorëzova Ty! Ti je Zoti i Arshit të Madh! Ç’të ketë dëshiruar Allahu, ajo është bërë dhe ç’të mos ketë dëshiruar Ai, s’është bërë! Fuqia dhe forca janë të Allahut që është i Lartë e Madhështor!
  3. Allahu im, mbështetem tek Ti nga vetja ime dhe nga çdo gjallesë që ke krijuar! “Pa dyshim, Zoti im është në një rrugë krejt të drejtë!”
  4. Edhe ne, edhe e tërë qenia u gdhimë sot si krijesa që i përkasim Allahut! Lavdia dhe lavdërimi janë vetëm për Allahun! S’ka zot tjetër, vetëm Allahu ekziston si Zot! Ai nuk ka ortak e nuk ka shok! Pasuria, pushteti dhe lavdia i përkasin vetëm Allahut! Ai ka mundësi për çdo gjë!

(21)

 

  1. Zoti im, të mirën e ditës së sotme dhe të ditëve që do të vijnë e dua prej Teje; tek Ti mbështetem nga e keqja e ditës së sotme dhe e ditëve që do të vijnë!
  2. Zoti im, tek Ti mbështetem nga përtacia dhe nga vuajtjet e pleqërisë!
  3. Zoti im, tek Ti mbështetem nga vuajtja e varrit dhe e Xhehennemit!
  4. Allahu im, jepi trupit tim shëndet e kënaqësi; Allahu im, jepi veshit tim shëndet e kënaqësi; Allahu im, jepi syrit tim shëndet e kënaqësi! Zot tjetër veç Teje s’ka! (3 herë)
  5. Allahu im, tek Ti mbështetem nga mohimi dhe varfëria! Allahu im, tek Ti mbështetem nga vuajtja e varrit! Zot tjetër veç Teje s’ka! (3 herë)

 

(22)

 

  1. E madhëroj Allahun duke e lavdëruar dhe duke e falenderuar! Fuqia është vetëm e Allahut! Eshtë bërë ajo që ka dashur Allahu dhe nuk është bërë ajo që s’ka dashur Allahu! E di se Allahu ka mundësi për çdo gjë dhe se Allahu e ka mbështjellë çdo gjë me diturinë e Tij!
  2. U gdhimë këtë mëngjes me natyrë islame, me fjalën e besimit të sinqertë dhe në fenë e profetit tonë, Hz. Muhammed dhe u gdhimë këtë mëngjes si pjesëtarë të popullit të atit tonë Ibrahim (as) i cili s’ishte nga politeistët, por i drejtohej Zotit të Vërtetë dhe ishte musliman!
  3. Allahu im, mbështetem tek Ti nga dembelizmi, nga plakja nga mjerimet e pleqërisë, nga intrigat e kësaj bote dhe nga vuajtja e jetës tjetër (Ahiretit)! Edhe ne, edhe të gjitha qeniet u gdhimë sot si krijesa të Allahut!

 

(23)

 

  1. Allahu im, sot kërkoj nga Ti të mirën, fitimin, ndihmën, dritën, begatinë dhe drejtësinë e ditës së sotme dhe mbështetem tek Ti nga e keqja e ditës së sotme dhe e ditëve të tjera që do të vijnë!
  2. Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Allahu është i madh, nuk ka zot tjetër veç Tij, vetëm Allahu është Zot! Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Lavdia, pasuria dhe pushteti janë vetëm të Tij! Ai nuk ka ortak e nuk ka shok! Nuk mund të gjendet ortak dhe shok për Të! Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut! Lavdia, pasuria dhe pushteti janë vetëm të Tij! Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut! Fuqia dhe forca janë vetëm në dorë të Allahut!
  3. Allahu im, kërkoj prej Teje shëndet e kënaqësi në këtë botë dhe në jetën tjetër (Ahiret)!
  4. Allahu im, kërkoj prej Teje falje dhe shëndet në fenë dhe në botën time, në familjen dhe në pasurinë time!
  5. Allahu im, mbulomi të metat dhe më jep siguri në ato gjëra nga të cilat kam frikë!

 

(24)

 

  1. Allahu im, mbromë nga rreziqet që mund të më vijnë nga para e nga pas, nga e djathta, nga e majta dhe nga sipër! Mbështetem në madhështinë Tënde që të mos më rrëshqasin këmbët!
  2. E quaj të pastër Allahun nga çdo lloj mangësish dhe e falenderoj Atë! Allahu që është i madh e madhështor, është i pastër nga të gjitha llojet e mangësive! (100 herë)
  3. Allahu është i pastër prej çdo lloj mangësie! Lavdia dhe lavdërimi janë të posaçëm vetëm për Allahun! Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Allahu është më i madhi! (100 herë)
  4. Allahu im, kërkoj prej Teje shëndet në besim, besim të stolisur me moral të bukur, sukses pas të cilit të vijë kënaqësia, mëshirë dhe shëndet nga lartësia jote, falje dhe pëlqim prej Teje!

 

(25)

 

  1. Allahu im, na e bëj besimin të dashur dhe na e zbukuro atë për zemrat tona; mohimin, mëkatin dhe kundërshtimin na i trego të shëmtuar dhe na bëj nga ata që kanë arritur pjekurinë!
  2. Allahu im, kërkoj prej Teje që vetja ime të jetë e ngopur me Ty, të ketë besuar se do të takohet me Ty, ta ketë pranuar atë që ke caktuar për të dhe të mjaftohet me atë që i jep Ti!

[1] Eshtë ajeti 255 i sures Bakara të Kur’anit dhe që fillon me fjalët “Allahu la ilahe il’la huvel hajjul kajjum…”

[2] Madhëruar qoftë Allahu!

[3] Lavdëruar qoftë Allahu!

[4] Allahu është më i madhi!

[5] Nuk ka zot tjetër veç Allahut!

[6] Origjinali i fjalisë së fundit është kështu: “Ve Huve’s-semiu’l-alim”, “Dhe Ai është dëgjues dhe i ditur”. Pra, Allahu dëgjon dhe di (gjithçka).

[7] Këto janë dy atributet kryesore me të cilat përmendet Allahu: Rrahman (Mëshirues) dhe Rrahim (Mëshirëbërës). Sipas konsideratës më të pranuar, atributi Rrahman e karakterizon Allahun si mëshirues të përgjithshëm që u jep të gjithë njerëzve vullnet të lirë dhe mundësi në këtë botë për të shfaqur aftësitë e tyre, kurse atributi Rrahim, si gjykatësin suprem në botën tjetër, pas ringjalljes, duke i shpërblyer me drejtësi njerëzit për të mirat që kanë bërë dhe duke i dënuar për të këqijat, duke vendosur, kështu, drejtësinë e instancës së fundit

[8] Në suren Ihlas (Sinqeriteti), Allahu cilësohet si Samed, vetekzistent dhe i vetëmjaftueshëm, në ndryshim nga çdo qenie dhe gjë tjetër, ekzistenca e të cilave varet nga Allahu, pra dhe që janë të pamjaftueshme në vetvete.

[9] Këto janë tri suret e fundit të Kur’anit, përkatësisht, 112. el-Ihlas (Sinqeriteti ), 113. el-Felek (Zbardhja, Agimi), 114. en-Nas (Njerëzit).

[10] Në pikat 2, 3, 4 lutja mbështetet mbi idenë se gjumi i ngjet vdekjes, kurse zgjimi i ngjet ringjalljes në jetën tjetër. Çdo natë kur bie në gjumë njeriu përjeton një vdekje tjetër, kurse kur ngrihet nga gjumi në mëngjes, përjeton një tjetër ringjallje dhe ngritje nga varri.

[11] Në origjinal: Hajj, Kajjum.

[12] Zemrat: ndjenjat.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali