MBI DIJEN DHE SHKENCEN

unnamed.jpg

MBI DIJEN DHE SHKENCEN

 

Edhe gjërat që i ka sjellë dhe përftuar i Dërguari i Allahut botës së dijes në lidhje me jetën diturore dhe ideore, janë shfaqje e mesazhit të tij universal.

Kur’ani i jep rëndësi dijes e diturisë dhe i nxit hapur të gjithë njerëzit që të marrin dije e dituri. Në Kur’an theksohet: “A mund të jenë njëlloj të paditurit me të diturit?” (Zumer, 39/9) Gjithmonë dhe pa përjashtim, Kur’ani u jep epërsi të diturve ndaj të paditurve me aq sa ta kenë nivelin e dijes.

Në një ajet tjetër të Kur’anit theksohet: “Dijetarët janë ata që e kanë më shumë frikë Allahun!” (Fatir, 35/28) Në një mënyrë këndimi të ndryshëm që s’është i saktë dhe që thuhet se i kushtohet Ebu Hanifes, theksi logjit bie mbi fjalën “Allah” dhe kuptimi i ajetit bëhet kështu: “Allahu ndjen respekt vetëm ndaj robve të Tij dijetarë!” Gjithsesi, kjo ndjenjë respekti duhet menduar me një cilësi që i përshtatet Individualitetit të Lartë![1] Kjo mënyrë këndimi s’është e saktë, domethënë që bie në kundërshtim me rregullat.[2] Por, meqë i përfton një dimension të ri kuptimit esencial të ajetit, e vlen të qëndrohet mbi të. Duke bërë analizën e një teme lidhur me dijen dhe diturinë, Fahruddin Razi thotë diçka shumë të qëlluar mbi këtë specifikë: “Tri shkollat e tjera veç malikive pranojnë se qeni është tërësisht i pistë (nexhis)!” Pra, duke mos pasur asnjë anë të pastër, qeni s’duhet mbajtur në shtëpi.

Por, nëse qeni është i mësuar për gjueti ose ruajtjen e bagëtisë, puna ndryshon. Gjahu i kapur prej tij me gojë dhe i sjellë, hahet, vendet nga kalon konsiderohen të pastra dhe s’ka ndonjë të keqe të mbahet në shtëpi.

Ndryshimi mes  qenit të zakonshëm, nga njëra anë, dhe qenit të gjahut ose të bagëtisë, nga ana tjetër, është se i pari s’është i mësuar, kurse të dytët janë të mësuar! Duke e rrokur kuptimin e thellë të këtij ndryshimi, Fahruddin Razi vazhdon: “Po qe se një qen merr nga dituria aq pjesë sa të gjuajë apo të ruajë bagëtinë dhe, si rrjedhojë e kësaj, fiton të drejtën të dalë nga cilësimi i fëlliqur për t’u cilësuar i pastër, për më tepër, fiton të drejtën për të jetuar në shtëpi e për t’u bërë pjesëtar i familjes, ecni e mendoni ju se ç’maja mund të arrijë njeriu që mëson dhe bëhet i ditur!”

Ja pra, mendësia e sheriatit, ja pra, mesazhi i fesë që e ndan të drejtën nga e shtrembra[3] dhe ja ç’gjëra na erdhën me Profetin Muhamed Mustafanë (s.a.s.)! Ata që s’e njohin Allahun, janë injorantë. Çdo njeri që e njeh Allahun dhe e ndjek Atë, është “i ditur, dijetar”. Sipas pohimit të sheriatit dhe fesë, ata që s’e njohin Allahun dhe Profetin, nuk quhen “të ditur, dijetarë”. Kurse ata që e njohin Allahun dhe e njohin Profetin, në një kuptim konsiderohen të ditur edhe sikur të dinë pak dhe Allahu do të tregojë respektin e duhur – pavarësisht se si duhet kuptuar kjo cilësisht – për ata që i dinë dhe i njohin Allahun, Profetin, kiametin, ringjalljen, librat hyjnorë, xhenetin dhe xhehenemin.

Në lidhje me mendimin dhe meditimin do të mjaftohem vetëm me fjalën e bekuar, sipas së cilës, “një orë meditim është më e dobishme se një vit adhurim”![4] Perëndimi as e pa këtë gjë, as e gjeti dhe as arriti dot në këtë pikë! Do të meditoni një orë në mënyrë sistematike, do të gjeni disa gjëra për t’ia ofruar dobisë së njerëzimit ose do të mendoni në një kuadër legal për lumturinë e jetës tjetër duke e matur dimensionin e mendimit tuaj me dimensionet e asaj jete. Dhe vetëm nëse do t’i bëni këto, do të fitoni mirësinë e një viti adhurim!

Ka vite që ne, duke u larguar nga mendimi e meditimi, këto na janë bërë të huaja. Ne u larguam vetë ose na larguan të tjerët nga ky lloj adhurimi shumëdimensional. Ky largim nuk është faj i Islamit, por i muslimanëve. Profeti Muhamed i ka mbajtur hapur gjer në fund dyert dhe dritaret e mendimit dhe na ka porositur të hyjmë aty të sigurtë! (Hixhr, 15:46) Pasi u bëmë të huaj për dijen dhe meditimin, ne u bëmë mëngjarashë e vulgarë dhe, duke mos e ruajtur dot, për pasojë, vendin tonë ndaj Perëndimit, në ekuilibrin botëror, e drejta e fjalës kaloi tek ta. Dhe, natyrisht, ne ramë në pozitën e dëgjuesit të tyre. Por besoj se do të vijë dita kur muslimanët të zhvillohen sërish e të zënë vendin për të cilin janë të denjë!

I Dërguari i Allahut pati ardhur me një mesazh morali e edukate. Por edukimin dhe ngulitjen e moralit të lartë, ai e pati bërë duke i trajtuar njerëzit siç ishin, pa ua gjymtuar dhe shtrembëruar mundësitë dhe dhuntitë. Dhe kjo mënyrë trajtimi u qe dukur jashtëzakonisht tërheqëse njerëzve të asaj kohe dhe i pati vënë në lëvizje. Në sistemin e tij edukativ nuk kishte antagonizëm dhe përplasje me atë çka ishte e natyrshme dhe në përputhje me ligjet e krijimit. Çdo mesazh i tij kryente një funksion shtytës. Ndërkaq, ai e zhvillonte veprimtarinë e tij në një bashkësi që s’dinte asgjë për moralin dhe edukatën. Në dashtë Zoti, në shembujt që do të jap, do të shohim bashkë se nga i mori njerëzit ai, ku i nxori dhe gjer ku i lartësoi!

[1] Pra, të mos mendohet në mënyrë antropomorfiste.

[2] Kurtubi, 14/220.

[3] Në origjinal: dini mubin, fe diferencuese, që e dallon dhe e diferencon të drejtën nga e shtrembra, të vërtetën nga gënjeshtra! Kështu cilësohet Islami.

[4] Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 1/370.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali