Një zë fillon të jehojë në luginën e Bekës dhe lutjet e Profetit Ibrahim

profeti-muhamed-2.jpg

Shumë shekuj më parë, në luginën e Bekës, nis të jehojë një zë:

– Ku po shkon o Ibrahim, e po na lë ne, të vetëm në këtë luginë të heshtur?

Mirëpo për Ibrahimin, përfaqësues i majës së besimit dhe mbështetjes së plotë tek Allahu, nuk ka asnjë lëvizje për t’i kthyer përgjigje këtij zëri. Kjo, sepse ai bënte vetëm atë që i takonte, dhe nuk donte aspak që të devijonte nga të qenit i bindur ndaj saj. Sepse ky ishte një drejtim hyjnor; do të hidheshin themelet e ardhjes së Profetit të Fundit, që i ishte dhënë sihariqi se do të vinte shekuj më vonë.

Në anë tjetër qëndronte Haxhireja, e cila nuk tregonte kurrfarë rëndësie ndaj detajeve. Ajo kishte filluar të përjetonte nga një shqetësim të veçantë ndaj çdo fakti që ia largonte qoftë së paku bashkëshortin prej vetes. Kështu që, e shqetësuar edhe njëherë ngase e ndjente deri në thellësinë e ndjesive largësinë e të shoqit, ajo filloi të flasë me një zë të shqetësuar:

–  O Ibrahim! Ku po shkon e po ikën, duke na lënë të vetëm e pa njeri në këtë luginë të heshtur?

Me sa duket, nga Profeti Ibrahim, i cili ishte i vendosur në rrugën e tij, nuk do të vinte asnjë përgjigje. Ishte e kotë të rendte pas tij me foshnjën e vogël në krahë. Sikur kishte ikur ai Profeti Ibrahim që kishte atë mall, e kishte bërë tërë ato lutje për të pasur një fëmijë të paqtë, e sakaq kishte ardhur një tjetër. Pa dyshim, që një ndryshim i këtillë mund të ndodhte vetëm me kërkesën dhe me drejtimin e Zotit.

–  Allahu të urdhëroi të veprosh kështu? – e pyeti ajo.

Nga Profeti Ibrahim, që gjer më tash nuk ishte dëgjuar asnjë fjalë, erdhi një përgjigje me një zë plot vetëbesim:

–  Po!

Nëse ishte Ai që kishte urdhëruar, patjetër që do të ishte Ai që do t’i ruante. Pasi të kesh hyrë nën mbrojtjen e Tij, as ashpërsia dhe vuajtja që lugina u bënte të ndjenin të vetmuarit, as mungesa e një prijësi fisi për t’i mbrojtur, nuk mund ta frikësonte më. Andaj, teksa po kthehej mbrapa me fëmijën e saj në krahë, nga goja e Haxhires do të dilnin këto fjalë:

–  Atëherë, Ai patjetër që nuk ka për të na nxjerrë të humbur.[1]

Zaten, kjo fjali ishte ajo që i vinte pikën në fund çdo dialogu mes individëve dhe të parit të një familjeje. Tanimë Profeti Ibrahim ishte larguar; Haxhirja së bashku me djalin e saj të vogël, Ismailin, në krahë u kthye në vendin ku ishin lënë përpara se ai të largohej.

 

Lutjet e Profetit Ibrahim

Profeti Ibrahim, teksa erdhi në një pikë ku silueta e tij do të zhdukej prej horizontit, u kthye dhe filloi t’i lutej Allahut Mëshirëbërës:

“O Zoti ynë! Pa dyshim, unë, një pjesë nga fara ime i lashë pranë shtëpisë Sate të shenjtë, duke i vendosur kësisoj ata në një luginë ku begatia në toka nuk di të reshtë asnjëherë.

O Zoti ynë! E bëra këtë vetëm që ata ta falin namazin sipas urdhëresave të Tua.

O Zot! Tashmë, të lutem, që zemrat e disa prej tyre t’i kthesh nga ata. Jepu atyre begati nga çdo mirësi Jotja, që edhe ata të jenë falënderues ndaj Teje!”[2]

Në përgjërimet e tij, kishte njëkohësisht lajmërim se e kishte kryer detyrën që i ishte dhënë, por edhe kërkesën që Zoti i tij Mëshirues t’i realizonte ato çfarë ai kishte dhënë si sihariq.

Teksa i lutej vazhdimisht Allahut, Ibrahimit do t’i zbrisnin këto kumte hyjnore:

–  Lutjen tënde për Ismailin e pranova, duke e bekuar atë me mirësi. Pas tij do të vijnë e ikin shumë breza, derisa prej pasardhësve të tij të lindin dymbëdhjetë njerëz shumë të lartë. Dhe Unë, kësodore do ta bëj atë një prijës të një bashkësie të madhe.

 

Ngritja e një qytetërimi të ri

Ndërsa në anën tjetër, Haxhirja e nderuar, e cila kishte mbetur e vetme në mes të kësaj lugine, kishte rënë në mendime për fëmijën; rendte pandalur për të gjetur pak ujë për të pirë. Ajo që ia fashiste krejt merakun prej nëne, ishte besimi që kishte tek Zoti. Ndonjëherë, teksa mbante fëmijën e saj në krahë, i kujtohej edhe engjëlli që i pati ardhur ndërsa ishte shtatzënë me Ismailin, bashkë me fjalët e tij. Sepse, një ditë, kur zuri t’i kërkonte ndihmë Allahut për vështirësitë që po e mbysnin, engjëlli kishte ardhur duke i thënë këto fjalë:

–  Mos u shqetëso dhe mos u frikëso aspak! Sepse tanimë, Allahu, për hir të fëmijës që ti po mbart në bark, po fal mirësi për mbarë botën.

Mirëpo ato që thoshte engjëlli nuk mbeteshin me kaq; engjëlli i pati pëshpëritur që fëmijës t’ia vinte emrin Ismail, duke i shtuar:

– Fëmija që do të lindë, do të jetë një i pashoq, tek i cili do të jetë fshehur shpresë për mbarë njerëzimin. Dora e tij do të qëndrojë mbi të gjithë njerëzit. Do t’i udhëheqë të gjithë, por edhe dora e të gjithëve do të jetë përdore me të tijën. Të gjithë do ta formësojnë veten e tyre në bazë të këshillave dhe urdhrave të tij. Njëkohësisht, ai do të jetë udhëheqës i të gjithë vendlindjes së vëllezërve të tij.[3]

Megjithëse besimin te sihariqi e kishte të plotë, ngase duhej t’i bindej edhe shkaqeve të kësaj bote, Haxhirja filloi të rendte pa reshtur mes dy kodrave të Safasë dhe të Merves, për të gjetur sadopak ujë për të pirë. Sepse uji që kishin u kishte mbaruar, dhe në zemrën e nënës kishte nisur shqetësimi. Duke rendur, në një anë, me njërin sy ndiqte të birin e saj foshnjë, sepse kishte frikë mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe.

Tashmë, Safaja dhe Merveja ishte kthyer në vendin e Haxhires. Sa herë që i afrohej majave të kodrave, e rrit nxitimin e saj edhe më e shqetësuar, me qëllimin që të mbërrijë sa më parë në majën e tjetrës. Ky vrapim i përvuajtur do të përsëritej tërësej shtatë herë.

Sapo ishte ngjitur në majën e Merves, kur u tremb prej një zëri të padëgjuar më parë. Ky zë sikur po e thërriste posaçërisht që të kthehej pranë djalit të saj. I vuri sërish veshin me kujdes. Po, nuk e kishte dëgjuar gabim; fëmijës së vogël po i rrinte një engjëll mbi krye. Zuri ta shihte më me kujdes. Nuk po u besonte dot asaj që po i shihnin sytë; në një vend pranë këmbëve të fëmijës ishte shfaqur një rrëke uji, e cila vazhdonte të buronte në mes të shkretëtirës.

Kur erdhi me një frymë pranë djalit, dëgjoi që engjëlli t’i thoshte disa fjalë:

–  As mos e ço nëpërmend se do të humbësh! Sepse këtu gjendet shtëpia e Zotit. Atë do ta ndërtojë ky fëmijë bashkë me të atin. Allahu nuk i nxjerr kurrë të humbur njerëzit e Tij.[4]

Kur e pa se e kishte kryer plotësisht detyrën e tij, engjëlli sakaq u zhduk, dhe Haxhirja kishte mbetur sërish vetëm me fëmijën e saj të vogël.

Uji që ka qenë burim i jetës në çdo kohë, do t’i tërhiqte edhe njerëzit e tjerë drejt këtij vendi, andaj kësisoj do të lindte një organizim që sipas kaderit do të realizohej medoemos. Në luginën e Bekës do të hidheshin themelet e qytetit ku do të lindte Profeti i Shumëpritur. Sepse, pa kaluar shumë kohë, këtu do të vinin Xhurhumët, të cilët do të ndërtonin qytetin e Mekës në këtë vend ku kishin parë shenja të jetës, pasi të kishin marrë leje edhe prej Haxhires.

Kësisoj, në mes të maleve të Faranit, aty ku njerëzimi do të rilindte me të Dërguarin e Allahut, po niste një jetë e re. Shkretëtira që mori jetë prej Zemzemit, u kthye tanimë në një qytezë të begatë, që me begatinë e saj do të mblidhte më vonë njerëzit, derisa në mes të këtyre maleve që sikur vajtonin, do të niste një periudhë që do të kurorëzohej me lindjen e Profetit Muhamed (s.a.s).

Pa kaluar shumë kohë, Ibrahimi nisi me të birin ndërtimin e Qabes. Ndërsa ndërtonte, në anën tjetër nuk reshtte së luturi:

–  Zoti ynë! Bëmë mua dhe Ismailin që të jemi nga besimtarët e tu kryeulur; dhurona neve pasardhës që do të jenë përherë myslimanë të përkulur karshi Teje! Na trego neve rrugën e adhurimit. Na i prano pendimet tona me mëshirë. Sepse padyshim, që Mëshiruesi dhe Falësi i të penduarve je Ti.

Zoti ynë! Dhe dërgoju nga mesi i tyre një profet, që t’ua lexojë dhe mësojë atyre ajetet e tua. T’u mësojë atyre urtësinë dhe Librin Tënd, duke i pastruar ata si nga jashtë edhe nga brenda. Sepse padyshim që Krenari Absolut dhe zotëruesi i plotë i urtësisë je Ti!..


[1] Taberi, tefsir, 13/152
[2] Ibrahim, 14/37
[3] Ibni Kethir, el-Bidaje, 1/153
[4] Taberi, tefsir, 13/230

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali