Pema që shkon deri tek Profeti Ibrahim (a.s.)

profeti-muhamed-48.jpg

Pas Ibrahimit, djalit të tij, Ismailit, i cili bënte një jetë sedentare, i lindën plot dymbëdhjetë djem. Në mesin e tyre, nuk mund ta shmangje dot faktin se Nabiti ishte më i veçantë se të tjerët. Po e njëjta veçori do të vërehej edhe tek i biri i Nabitit, Jeshxhubi. Ky dallim vazhdoi me radhë, te Ja’rubi, Tejrahu, Nahuri, Mukauimi, Udadi dhe Adnani. Padyshim që në këtë pemë kishte diç të veçantë që ruante karakteristikat e fisnikërisë dhe të profetësisë.

Që nga Adnani, që ishte gjyshi i njëzetë i Profetit Muhamed (s.a.s.) e deri tek babai i Tij, Abdullahu, në të gjithë të parët e Tij vërehej një dritë e veçantë që të bënte të mendoje se ishte drita që i përkiste Mbretit të Universit.

Sidoqoftë, kaderi po e përgatiste terrenin ku do të vinte Profeti i fundit, për të cilin saora lajmi i mirë ishte dhënë. Bashkë me Abdulmutalibin, gjyshin e Tij, në Mekë lindi një autoritet i veçantë. Zemzemi, që kishte ndenjur i mbyllur për shumë kohë, sipas një mësimi në një ëndërr të tijën, nisi të buronte sërish në Mekë.

Abdullahu, i biri i Abdulmutalibit, ishte një përmendore e ndershmërisë. Prandaj, Abdulmutalibi e donte atë më shumë se fëmijët e tjerë, aq sa nuk e ndante dot kurrë prej vetes.

Një ditë, Abdulmutalibi e mori atë me vete, dhe të dy tok shkuan në tokat e të bijve të Dhuhres. Dhe kur mbërritën pranë prijësit të tyre, Uehb bin Abdi Menafit, i kërkoi për të birin vajzën ndoshta më të ndershme dhe të fisme të atyre kohërave, Aminën.

Përgjigjja ndaj kësaj kërkese ishte pozitive, dhe kësisoj, pa kaluar shumë kohë, u lidh martesa dhe u krijua një çerdhe e re mes të birit të Abdulmutalibit, Abdullahut dhe Aminës, vajzës së Uehb bin Abdi Menafit.

Edhe Abdullahu, merrej me tregti. Ai u sëmur dhe ndërroi jetë pikërisht në një udhëtim që kishte ndërmarrë në drejtim të Medinës. Ndërsa ajo që la pas si pasuri, ishin pesë deve, disa dele dhe një robinë nga Etiopia, Umu Ejmenin.

Kur erdhi lajmi i vdekjes së tij në Mekë, familjen e Abdulmutalibit e pushtoi hidhërimi. Mirëpo kjo ishte një gjë që duhej pranuar; sepse në këtë kohë, Amina ishte shtatzënë me njeriun që po priste mbarë bota.

Në këto kohë, nga anët e Jemenit po vinte një mbret i quajtur Ebrehe bashkë me ushtrinë e tij për të rrëzuar Qaben. Megjithëse me këtë ndodhi populli ishte lëkundur edhe njëherë, me të menduar lutjet e njëpasnjëshme të profetëve Ibrahim dhe Ismail, besimi i tyre ishte gozhduar për të mos ndryshuar më. Ja, tanimë bota po priste që të jetonte realizimin e këtyre lutjeve.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali