Profeti i paralajmëruar dhe i pritur

profeti-muhamed-18.jpg

Lutja e Ibrahimit (as), sihariqi i Isait (as)

Një ditë, njëri prej pasuesve i thotë Profetit: “O i Dërguari i Allahut, a nuk po na flet pak për veten?” Në një pjesë të përgjigjes së vet, Profeti shprehet kështu: “Unë jam lutja e Ibrahimit dhe sihariqi i Isait!”

Kur’ani e prek këtë specifikë në dy ajete.

1) Hz. Ibrahim është lutur kështu: “Zoti ynë! Dërgoju një përfaqësues nga mesi i tyre që t’u lexojë ajetet e Tua, t’u mësojë librin dhe urtësinë e t’i pastrojë (prej idhujtarisë). Ti je i Dituri, Sovrani.” (Bakara: 129)

2) Sihariqi i Hz. Isait: “Kujto se Isai, biri i Merjemes tha: “O të bijtë e Izraelit! Unë jam i dërguari i Allahut tek ju, jam vërtetues i Teuratit të dërguar para meje dhe përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed.” Dhe kur ai u paraqiti argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është një magji e hapët!” (Saff: 6)

Po, i Dërguari i Allahut nuk ishte dikush i dalë në shesh si surprizë! Ai është profeti për ardhjen e të cilit ishte lajmëruar shekuj më parë dhe që pritej nga i gjithë njerëzimi.

Argumenti më i madh për profetësinë e tij është Kur’ani, mrekullia e të cilit është e amshuar. Qindra ajete-argumente të Deklaratës Mrekulli – Kur’an  përmendin se Profeti i Dy Botëve është profet i vërtetë. Një person që nuk mundet ta mohojë plotësisht Kur’anin, kurrë nuk mundet ta mohojë kumtesën profetike të Muhamedit (sav)! Vetëm se ne nuk do t’i futemi tani kësaj specifike që përbën një temë më vete. Fundja, duke iu drejtuar njëri pas tjetrit ajeteve të ndryshëm, pjesërisht e kemi trajtuar edhe këtë temë.

Paralajmërimet e Testamentit të Vjetër

Në këtë pjesë dëshirojmë të citojmë disa fragmente nga Teurati (Testamenti i Vjetër), Ungjilli dhe Zeburi (Libri i Psalmeve) të cilat, megjithë korrigjimet që u janë bërë qindra herë, bartin ende analogji dhe myzhde për të Dërguarin e Allahut. Duke ua lënë hollësitë e çeshtjes veprave të posaçme që merren drejtpërsëdrejti me këtë temë dhe veçanërisht veprës “Risale-i Hamidije” të Hysejin Xhisriut, do të synojmë të përmendim këtu vetëm disa prej atyre që na duken më të rëndësishme.

Malet Faran

Një sentencë e përkthimit arabisht të Testamentit të Vjetër të botuar në Londër më 1944, thotë: “Zoti u drejtua kah njerëzit në Sina, u shfaq në Sair dhe, duke u dukur në malet Faran, doli në shesh me gjithë për-sosmërinë e Tij.” ( kap. 33, sentenca 2).

Kjo do të thotë se mëshira e Allahut, mëshira dhe favori i Tij për njerëzimin kanë marrë trajtë në malin e Sinait në bisedën midis Tij dhe Hz. Musait (as). Konkretizimi i kësaj mëshire është profetësia e dhënë Musait në atë periudhë historike. Sair është Palestina. Atje, mëshira e Providencës Hyjnore ka rrethuar, me rrugën e revelacionit, Hz. Isanë dhe ata që ndodheshin në mjedisin e tij. Në të njëjtën kohë, Hz. Mesihu është një profet i madh, i denjë për shfaqjet e Zotit. Shumica, duke mos i dalluar dot shfaqjen nga dukja, kanë rënë në konfondim në këtë çeshtje. Ajo që shfaqet tek ai, është fryma hyjnore . Kurse në malet Faran Providenca Hyjnore është dukur me anë të enigmës së unitetit dhe të nivelit individual unik që përfshin gjithësinë. Farani është Meka, sepse në një vend tjetër të Testamentit të Vjetër tregohet se Hz. Ibrahimi e vendosi në Faran të birin Ismail. Nga kjo kuptohet se në Testamentin e Vjetër, me emërtimin Faran bëhet fjalë për Mekën. Në sentencën në fjalë aludohet radhazi për tre profetë. I pari nga këta është Hz. Musai, i dyti, Hz. Isai (as) dhe, i treti, profeti i fundit, Profeti i Dy Botëve, Hz. Muhamed Mustafai (sav). Në vazhdimin e sentencës në fjalë të Testamentit të Vjetër janë këto pohime: “Pranë Tij do të jenë mijra pasues, modele të përsosmërisë, kurse në dorën e Tij do të ndodhet një sëpatë dytehëshe prej zjarri.” Nga kjo kuptohet se ai do të ngarkohet me detyrën e xhihadit.

Tashmë është i njohur fakti se i Dërguari i Allahut, para se të fillonte revelacioni, tërhiqej në vetmi në një shpellë të malit Hira, ku jepej pas meditimit dhe adhurimit. Edhe revelacioni i parë në këtë mal i pati ardhur. Po qe se Farani nuk është Meka, e cili mund të jetë ai vendi tjetër nga ku të jetë përhapur në lindje e perëndim një fe si Islami? Me që në botë nuk ekziston ndonjë vend i quajtur kështu, Farani i përmendur në Testamentin e Vjetër shënon Mekën. Veçanërisht, ashtu siç e përmendëm edhe më sipër, pohimi “e vendosi në Faran” që përshkohet në sentencën 21 të librit të parë të Testamentit të Vjetër e që tregon se ku u vendos Hz. Ismaili, është argumenti më i hapur e më i madh në favor të thënies sonë. Dhe askush nuk do të kishte mundësi të pretendonte të kundërtën. Kundërshtimet e bëra rreth kësaj çështjeje janë polemika vetjake larg kompetencës shkencore. Sidomos pjesa e fundit e sentencës ku aludohet për pasuesit dhe xhihadin, tregon në një mënyrë që nuk le shesh për asnjë ngurrim dhe dyshim se personi në fjalë është Hz. Muhamedi (sav).

Nga soji i Hz. Ismailit

Në një ajet tjetër të Testamentit të Vjetër, Zoti i thotë kështu drejtpërsëdrejti Hz. Musait: “Për ta (të bijtë e Izraelit) do të nxjerr një profet si ti mes vëllezërve të tyre dhe fjalët e mia do t’i vë në gojë të tij dhe do t’u thotë atyre çdo gjë për të cilat e urdhërova.” (kap. 18, sentenca: 18).

Edhe sentenca e 19-të është në cilësinë e plotësimit të kësaj: “Unë vetë do të hakmerrem ndaj atyre që nuk do t’u binden fjalëve të tij të thëna në emrin tim!”

Në këtë sentencë, me vëllanë e të bijve të Izraelit aludohet për një profet të ardhshëm nga soji i Hz. Ismailit dhe, siç dihet, si i ardhur nga soji i tij njihet vetëm një profet i cili është Hz. Muhamedi (sav). Veçanërisht theksohet se do të vijë si Musai, me një ligjshmëri të caktuar. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se profeti i ardhshëm do të jetë mbarëbotëror. Kurse hakmarrja ndaj të pabindurve duhet të jenë detyrimet dhe ndëshkimet të cilat janë të pranishme vetëm në Islam.

Ky profet që përmendet në Testamentin e Vjetër, kategorikisht nuk mund të jenë Hz. Isai dhe Hz. Jushai, sepse këta janë nga të bijtë e Izraelit. Veçanërisht Hz. Isai nuk ka sjellë ndonjë ligjshmëri të re për një shumicë çeshtjesh, vetëm ka qenë vazhdues i Hz. Musait. Kurse është e qartë si drita se Hz. Jushai nuk i përngjet Hz. Musait, sepse edhe ai nuk ka ardhur me një ligj të ri. Ndërkaq, ajeti-argument i Kur’anit “Ne dërguam te ju një të dërguar që të dëshmojë për ju, ashtu siç patëm dërguar edhe te Faraoni” (Muzemmil: 15) bën të qartë ngjashmërinë mes Hz. Musait dhe Profetit tonë. Në të vërtetë, nuk ka nevojë më tej për ndonjë argument tjetër.

Veçori të tjera

Një sentencë e tretë nga Testamenti i Vjetër. Abdullah b. Amr b. As, Abdullah b. Selam dhe Kabul Ahbar të cilët kanë qenë shquar në njohjen e librave të vjetër, përcjellin se në tekstin e Testamentit të Vjetër i cili në ditët e tyre nuk pati pësuar dhe aq shumë korrigjime, ekziston një sentencë e tillë: “O i Dërguar! Ne të dërguam ty si dëshmitar, paralajmërues dhe mbështetje për popujt. Ti je robi dhe dorëzanësi im. Ty të dhashë titullin “Përfaqësues”. Ai nuk është njeri i ashpër e i trashë. Nuk bërtet me zë të lartë nëpër treg. Nuk i përgjigjet të keqes me të keqe, por fal dhe dhuron. Zoti nuk do t’ia marrë shpirtin atij gjersa të mos e drejtojë me anë të tij një popull që të thotë “Nuk ka zot tjetër veç Allahut!” (30).

Dhe tani le të mendojmë. Këto fjalë të Testamentit të Vjetër kujt i drejtohen? Duke mos ndjerë as nevojën e një analize thelluese, kuptimi aparent i sentencës tregon se fjalët i drejtohen një profeti që do të vijë dhe, midis profetëve, personalisht Muhamedit (sav). Ai është një profet i dërguar për të gjithë njerëzimin dhe sentenca sikur i thotë kështu atij rreth kësaj teme:

Të dërgova ty për gjithë njerëzimin si një myzhdedhënës i rrugës së drejtë dhe si paralajmërues e frikësues i tyre për fundin e dhimbshëm të rrugës së shtrembër. Ti do t’u vësh gjoksin të këqiave dhe do t’i pengosh njerëzit që të shkojnë e të bien në gropën e xhehenemit. Në të njëjtën kohë, do t’u bëhesh dritë të mbeturve në errësirën e rrugëve të shtrembra e plot lakime e, duke i kapur për dore, do t’i mundësosh t’ia arrijnë xhenetit dhe takimit me Bukurinë Hyjnore.

Të dërgova ty si një strehim, si një vendruajtje për bashkësinë e përgjithshme njerëzore të periudhës së injorancës. Kur t’i hapin sytë tek ti, do t’u jepet dora e do të mbrohen dhe për sa kohë do të mbështeten tek ti, do të kenë mundësi të vazhdojnë ekzistencën e tyre.

Ti je robi dhe i dërguari im. Po, edhe ne, në lutjet tona, gjithmonë për pozitën e tij si rob i Zotit dhe për kumtesën profetike të tij bëjmë fjalë. Unë të quajta ty “Përfaqësues”. Sikur gjithë njerëzimi të vijë e të ngulet para teje e ti të bëhesh një me ta, përsëri asnjë lëkundje nuk pëson. Çdo profet e ka një masë përfaqësimi, por ti në këtë dimension je krejt tjetër. Prandaj edhe unë të quajta “përfaqësuesi im”!

Pastaj fjala drejtohet në vetë të tretë:

Ai nuk është njeriu i urrejtjes që ua thyen zemrat njerëzve përreth. Në të kundërt, ai është njeriu i edukatës, i masës dhe i seriozitetit. Nuk thërret e bërtet nëpër sokakë. Dëshira dhe përpjekja për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve mbi veten në këtë mënyrë është shenjë dobësie, nga e cila si dhe nga shenja të tjera si kjo ai është i pastër.

Kurrë nuk i përgjigjet të keqes me të keqe. Vjen një beduin, e kap e e shkund për xhybeje duke i thënë “ma jep të drejtën time!” Ndërsa sahabet, pasuesit e tij, tërbohen nga kjo paturpësi dhe brutalitet, Përmendorja e Mëshirës qesh dhe urdhëron: “Jepini këtij njeriu çfarë kërkon!” Po, ai falte edhe fajet e pafalshme. Mjafton që çështja të mos përbënte një kundërvënie ndaj urdhrave të sheriatit. Pa mendoni një herë! Si u pati thënë mekasve që i patën bërë gjithë ato të këqia atë ditë kur i kishte ardhur rasti t’u bënte ç’të donte? “Shkoni, të gjithë të lirë jeni!” Allahu nuk do ta merrte pranë të dashurin e Tij dhe nuk e mori gjersa njerëzit që jetonin rrugën e shtrembër të periudhës së injorancës të mos e gjenin orientimin e tyre me nurin e sjellë prej tij. Lartësimi i tij te Shoku i Lartë do të bëhej kur të përplotësohej feja dhe kur të merrte fund detyra e tij. Do të shkonte në audiencën e mikut të vërtetë duke u larguar nga mesi i njerëzve kur njerëzit e përgatitur prej tij të ki-shin arritur nivelin për ta përfaqësuar atë me të drejtë, sepse detyra e tij në këtë botë atë çast do të kishte marrë fund.

Po, kështu e përshkruante atë Testamenti i Vjetër. Edhe ai, kur të vinte koha, do ta përfaqësonte këtë përshkrim në tërë jetën dhe veprimtarinë e tij. Përshkrimet e Testamentit të Vjetër janë vetë mënyra e të jetuarit të të Dërguarit të Allahut. E kush mund të ishte tjetër veç tij me këto cilësi? Historia nuk njeh ndonjë rast tjetër. Sigurisht! Njeriu për të cilin aludon Testamenti i Vjetër, është vetë Hz. Muhamedi (sav)!

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali