Qëllimi i dërgimit të Profetëve 3- SHEMBULL I BUKUR

profeti-muhamed-24.jpg

Një tjetër specifikë që do ta quanim si qëllim të dërgimit të profetëve, është edhe që ata të bëhen një shembull i bukur për bashkësitë e tyre.

Në Kuran Allahu thotë: “Ishin ata që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, prandaj edhe ti përshtatiu atyre!” (En’am: 90). Duhet të na vejë në mendime fakti që edhe vetë Profetit tonë, pasi i përmenden profetët e kaluar emër për emër, i thuhet që të ecë në rrugën e tyre! Edhe neve kështu na bën zë Kur’ani: “I Dërguari i Allahut është një shembull i bukur për ata që shpresojnë shpërblimin e Allahut në Ditën e Ringjalljes, për ata që e përmendin shpesh Allahun.” (Ahzab: 21)

Profetët janë për ne prijës dhe imamë. Ashtu siç i shkojmë pas imamit në falje, po ashtu veprojmë në përputhje me shembullin e Profetit edhe në çdo fragment të jetës. Sepse për ne, jetën e vërtetë ai dhe profetët e tjerë e kanë përfaqësuar. Ata që e patën përjetuar periudhën e parë të Islamit, e patën ndjekur Profetin milimetër për milimetër. Prandaj edhe ata si dhe pasardhësit e tyre patën pasur fatin të cilësohen si më poshtë nga Profeti i Dy Botëve. Profeti urdhëron e thotë:

“Do të vijë një kohë që një grup njerëzish do të luftojnë dhe atyre do t’u bëhet kjo pyetje:

– A ka midis jush që ta kenë parë të Dërguarin e Allahut?

– Po, – do të përgjigjen dhe pas kësaj atyre do t’u bjerë në pjesë fitorja.

Pastaj një grup tjetër njerëzish do të luftojnë dhe gjithashtu atyre do t’u bëhet pyetja:

– A ka midis jush që të ketë parë pasuesit e të Dërguarit të Allahut?

– Po, – do të thonë. Edhe atyre do t’u bjerë në pjesë fitorja.

Pastaj përsëri një pjesë njerëzish do të shkojnë në luftë dhe do të pyeten:

– A ka midis jush që të jetë shok me ata që i kanë parë pasuesit e të Dërguarit të Allahut?

– Po, – do të përgjigjen edhe ata. Pastaj atyre do t’u hapen portat e kalave dhe do t’u bjerë në pjesë fitorja.”

Në një hadith, porosi të tijin, Profeti ynë urdhëron: “Më të dobishmit e njerëzve janë ata që kanë jetuar të njëjtën kohë me mua. Pastaj pasardhësit e tyre dhe, më pas, pasardhësit e këtyre të fundit.” (43). Me këtë ai kërkon të theksojë vlerën dhe virtytin e periudhave të afërta me periudhën e tij. Sepse njerëzit që patën jetuar në ato periudha, qenë sjellur shumë të ndjeshëm e të kujdesshëm për t’i përngjarë të Dërguarit të Allahut në jetë, në ndjenja e në mendime. Në të vërtetë, dëshira për t’i ngjarë atij njeriu që Allahu kishte zgjedhur si model, si shembull, duhet të përbënte një qëllim dhe ashtu ngjau.

Po, sahabet, pasuesit e Profetit; tabiinët, pasardhësit e pasuesve dhe tebe-i tabiinët, pasardhësit e këtyre të fundit, të gjithë këta, kanë qenë më të ndjeshmit në këtë çeshtje. Dhe në këtë aspekt, ata janë më të dobishëm se njerëzit që kanë jetuar në shekujt e tjerë. Hz. Mesihu thoshte: “Flamurët ndodhen në duart e shenjtorëve.” Me këtë fjalë ai aludonte për bashkësinë e Profetit tonë. Dhe ky ishte një vlerësim i madh. Në një porosi tjetër, i Dërguari i Allahut thotë: “Dijetarët e ummetit tim janë si profetët e të bijve të Izraelit.”

Po, në përngjasimin me Profetin ata i ishin afruar një niveli të tillë, pak pas të cilit fillonin kufijtë e profetësisë.

Ja njëri prej këtyre, Omeri, është shembulli më i goditur! Ai e pati pranuar plotësisht Profetin si një prijës dhe udhëzues për vete dhe gjithë jetën ia pati përngjasuar atij. Ishte njeriu i pashoq, trajta e jetesës së të cilit i përngjante plotësisht asaj të Profetit! Megjithëse i qenë hapur kat më kat dyert e Romës e të Bizantit, megjithëse popuj dhe sundimtarë pranonin t’i bëheshin skllevër, në jetesën e tij nuk pati ndodhur as ndryshimi më i vogël. Jerusalemi në kohën e tij ishte triumfuar; ai Jerusalem sot i mërzitur, i brengosur, i robëruar, njollë e zezë në ballin e botës Islame. Megjithëse ishte realizuar praktikisht pushteti ushtarak, priftërinjtë ngulmonin të mos i jepnin çelësat e qytetit duke thënë: “Nuk i japim sepse nuk e shohim midis jush atë fytyrë që duhet t’i marrë çelësat e qytetit…” Kur situata i njoftohet Kalifit Omer, ai niset për udhë. Me që nuk kishte deve të vetën, merr hua një deve nga prona e familjes profetike dhe, duke u shkëmbyer rregullisht me shërbëtorin, shkojnë në Jerusalem. Për ironi të fatit, kur do të hynin në qytet, radha për të hipur në deve i takon shërbëtorit. Pavarësisht nga këmbëngulja e shërbëtorit, kalifi zbaton ra-dhën, e hip këtë të fundit në deve, merr kapistrën në dorë dhe ashtu hyjnë në qytet…

Ata që e shohin këtë pamje, shkrijnë në çast si qiriu dhe thonë: “Ja, ky është njeriu që përmendet në librat tanë!” Dhe ia dorëzojnë çelësat e qytetit!

Ai Omeri i madh shtrihej i sëmurë nga plagët e hanxharit të një iranasi adhurues të zjarrit. E nxirrte çdo gjë që hante e pinte, s’bënte zë e rrinte indiferent ndaj zërave. Kur shërbëtori vinte për ta pyetur në se donte të hante a të pinte gjë, ose nuk i jepte përgjigje, ose i përgjigjej negativisht vetëm me vështrim. Kurse kur e lajmëronte me fjalët “O emiri i muslimanëve, është koha e namazit!”, i përgjigjej në çast: “Ja, po ngrihem. Kush e le namazin, s’ka pjesë nga Islami!” Dhe ashtu, me plagë të përgjakura ngrihej e falej.

Vepronte kështu, sepse kështu kishte parë te i Dërguari i Allahut. Do t’i përshtatej atij, do të vepronte si ai, do t’i përngjante atij dhe, kështu, do të bëhej shembull për pasardhësit. Po, njëri prej qëllimeve të dërgi-mit të profetëve ishte që ata t’i bëheshin shembull bashkësisë së tyre…

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali