Qëllimi i dërgimit të Profetëve 5- MBYLLJA E DERES PRETENDIMEVE

profeti-muhamed-26.jpg

Profetët janë dërguar që Ditën e Gjykimit njerëzit të mos kenë asnjë pretendim ndaj Providencës Hyjnore.

Një ajet-argument i Kur’anit e shpjegon kështu këtë specifikë: “Dërguam profetë myzhdedhënës dhe paralajmërues në mënyrë që pas tyre njerëzit të mos kishin pretendime para Allahut. Allahu është Sovran dhe i Gjithëditur!” (Nisa: 165).

Përjashtuar profetët, liderët e tjerë rregullisht nuk kanë mundur t’i bëjnë masat t’u besojnë. Edhe në qoftë se i kanë bërë, me që mesazhet dhe propozimet e tyre kanë qenë të mangëta nga mbështetja hyjnore, me asnjë mesazh, me asnjë fjalë dhe me asnjë sjellje nuk kanë mundur ta kapërcejnë njerëzoren dhe mjedisi i tyre me kohë është shpërndarë si gjethet e zverdhura në vjeshtë…

Kurse prijësia e profetëve nuk është e tillë. Ashtu siç thamë edhe më parë, ata janë njerëz të porositur. Ata janë profetë qysh në mitrën amësore. Jetesa e tyre është harmonike si muzikë, po ashtu edhe të folurit e tyre pothuaj si një poezi! Kur flasin ata, qenia e tërë ngreh veshët dhe i dëgjon. Sa e sa ngjarje e dukuri ndërrojnë ecuri me ardhjen e tyre dhe sa e sa ndiesi lidhen pas tyre. Ligjet efektive në gjithësi disa herë për hir të tyre nuk funksionojnë dhe disa herë ndërrojnë funksion me dëshirën e tyre…

Hidhini një shikim Mbretit të Profetëve! Gur, dhe, dru si dhe kafshë të ndryshme secili pothuaj në hesap të vet kanë hyrë në marrëdhënie me të dhe kanë paraqitur një gjendje sikur të vërtetonin profetësinë e Tij. Ashtu siç përmend edhe Busajriu, “Druri vinte me vrap tek ai dhe, me gjuhën e vet të posaçme, i thoshte: “Ti je i Dërguari i Allahut!”

Me ardhjen e tij materja kishte fituar kuptim dhe kishte dalë nga gjendja e të qenit kaos. Me gjuhën e Kur’anit ai thoshte “…nuk ka asnjë send që të mos e madhërojë Atë, por ju s’e kuptoni (sepse s’është në gjuhën tuaj)…” (Kur’ani, Isra: 44) dhe me këtë sikur i frynte shpirt e jetë çdo qenieje.

Çdo gjë që mësuam, ne prej tij e mësuam dhe materia hipi në fronin e urtësisë. Natyrisht që në këtë mes edhe njeriu arriti të kuptojë se s’ishte diçka e kotë e pa ndonjë qëllim!

Çdo profet ka ardhur me një pjesë mrekullish për t’i bërë njerëzit që të besojnë dhe për të mos u dhënë mundësi pretendimeve të atyre që s’besojnë. Kurse më i madhi i profetëve i pati sjellë të gjitha mrekullitë e paraardhësve të tij dhe pati treguar se ishte Shembulli i Përgjithshëm. Po, çdo bashkësi i pa vetë ose dëgjoi për mrekullitë e profetit të vet. Edhe ne kemi dëgjuar për mijëra mrekulli të të Dërguarit të Allahut ndërsa e kemi parasysh gjithmonë një mrekulli të amshuar si Kur’ani. Pas kësaj, askush nuk ka të drejtë për të kundërshtuar apo pretenduar. Allahu (Xh.Xh.), të vërtetat që ka dashur t’i besojmë, i ka parashtruar para syve të njerëzve me anë të profetëve të vet në një formë mjaft të hapët e të qartë. Sepse kjo ka qenë edhe një nga qëllimet e dërgimit të tyre. Është edhe një moment veçanërisht i rëndësishëm, thënia e Providencës Hyjnore: “Ne nuk dënuam askënd para se t’i dërgojmë profetin!” (Isra: 15). Kjo do të thotë se, me që u dërguan profetët, do të ngrihet edhe peshorja dhe secili do të merret nën përgjegjësi pa iu marrë parasysh justifikimet. Sa bukur e shpjegojnë këtë specifikë këto ajete: “A mos pandeh njeriu se do të lihet pa përgjegjësi?” (Kijame: 36); “A menduat se ju krijuam për lojë dhe zbavitje dhe se nuk do të ktheheni prapë tek Ne?” (Mu’minun: 115)

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali