Raportet e Profetit (s.a.s.) me pjesëtarët e familjes

profeti-muhamed-29.jpg

Profeti paqja qoftë mbi të! bisedonte shpesh me pjesëtarët e familjes. Ashtu siç fliste me secilin prej tyre vetëm, kokë më kokë, ashtu fliste edhe në grup me ta. Bisedat e zhvilluara me gratë mbështeteshin në parime thelbësore. Çdo mëngjes pasi dilte nga xhamia dhe pasi falte namazin e ikindisë, vizitonte një nga një gratë e tij dhe bisedonte për pak kohë me to. Çdo mbrëmje zhvillonte biseda me to me qëllimin e bashkimit të pjesëtarëve të familjes. Transmetohet se në këto mbledhje, Profeti u tregonte grave histori të quajtura ‘hurafe’ dhe gjëra gazmore që i bënin të qeshnin të gjithë.

Hz. Aishja (r.a.) tregon se kishte disa kukulla dhe luante me shoqet e saj kur vinin ta vizitonin dhe Profeti nuk e ndalonte, përkundrazi e ndihmonte[1], ndonjëherë bënte shaka nëpërmjet kukullave.[2] E kishte lejuar Aishen (r.a.) të shikonte festat e organizuara nga etiopianët për Bajram, madje duke e mbajtur mbi shpinë.[3] I ka bërë shaka të ndryshme grave të tij.[4] Madje në udhëtime të ndryshme, garonte me Aishen.[5]

Sipas transmetimit të Hz. Aishes (r.a.), një ditë ajo kishte përgatitur përshesh. Afër tyre gjendej dhe Sevdeja (r.a.). Aishja (r.a.) e fton edhe atë të hajë. Kur ajo nuk pranon, Aishja i përgjigjet: “Nëse nuk e ha, do të ta përplas surratit”. Sevdeja këmbëngul në të vetën dhe Aishja merr pak nga përsheshi dhe ia lyen fytyrën. I gjendur përballë kësaj skene, Profeti qesh dhe duke i vendosur dorën Sevdes, i thotë: “Çfarë pret, lyeja dhe ti fytyrën.” Sevde ja lyen fytyrën Aishes. Profeti qeshi edhe me të.’[6]

Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! ka bërë shaka edhe me fjalë. Hz. Aishja (r.a.) tregon: “Një natë po kërkoja të Dërguarin e Zotit, e nxitur nga mendimi se mos kishte shkuar tek gratë e tjera, kur dora më preku flokët e tij. Profeti duke e kuptuar situatën, më thotë: ‘Ty duhet të të ketë vizituar përsëri shejtani.’[7]

Përsëri ka një transmetim tjetër rreth një shakaje me shërbëtoren Umu Ejmen, që mund të konsiderohet pjesë e familjes së Profetit:

Një ditë, Umu Ejmen shkon tek Profeti dhe i thotë:

“Më hip diku.”

“Po të hipi tek i vogli i devesë”, i përgjigjet Profeti.

“O i Dërguari i Zotit! I vogli i devesë nuk mund të më mbajë”, i drejtohet Umu Ejmen.

“Nuk mund të të hip në ndonjë vend tjetër, përveçse te i vogli i devesë”, i thotë Profeti, duke nënkuptuar se ‘çdo deve quhet i vogli i një deveje tjetër’. Transmetuesi i hadithit na thekson se Profeti edhe në shakatë e bëra nuk është ndarë kurrë nga e vërteta.[8]

Fjalë dhe veprime të ndryshme të Profetit tregojnë për interesimin dhe vlerësimin e pjesëtarëve të familjes dhe tregojnë që Ai i ka dhënë rëndësi edhe kënaqësisë së tyre përsa i përket aspektit shpirtëror. Shumë veprime të Profetit paqja qoftë mbi të! janë të lidhura me gëzimin e grave, si: shprehja e virtyteve grave të tij,[9] shprehja e dashurisë ndaj tyre,[10] marrja në kalë,[11] larja bashkërisht me ujin e një ene,[12] ndihmesa që u jepte për t’i hipur në kalë,[13] përgjigja e ftesës për drekë me kusht që “të ishte edhe gruaja bashkë me të”[14], ngushëllimi dhe fshirja e lotëve kur ato ishin të mërzitura[15].

Safija tregon se njëherë kishin qenë të hipur të dy mbi një deve, i kishte rrëshqitur këmba devesë dhe ishin rrëzuar të dy. Ebu Talhas (r.a.) që vrapoi për të na ndihmuar, Profeti i thotë: “Kujdesuni për gruan, merruni me të.”[16]

Edhe pse jo në të njëjtën masë, Profeti paqja qoftë mbi të! ka shfaqur respekt jo vetëm ndaj grave të tij, por ndaj çdo personi që e konsideronte të familjes. Ndërmjet grave, Hz. Aishja (r.a.) arriti një dashuri dhe një respekt të veçantë. Edhe xhaxhai i tij, Abasi, është trajtuar me një respekt ndryshe. I Dërguari i Zotit e ka dashur atë si babanë e Tij, është këshilluar me të për çështje të ndryshme dhe ka pranuar gjithnjë ndërmjetësimin e Tij.[17]

Dashuria e Profetit tonë ndaj Zejdit dhe djalit të tij Usame (r.a.) ishte e veçantë dhe domethënëse. I njohur ndryshe si “Hibbu Resulullah”- i dashuri i Profetit, Usame ka arritur lartësinë e dashurisë profetike, të njëjtë me dashurinë ndaj nipërve Hasan dhe Hysen[18], duke zënë vend mes atyre të cilëve nuk do t’u refuzohet shefaati.[19] I nderuar, i vlerësuar nga Profeti duke hipur në pjesën e pasme të devesë së Profetit, në ditët e Çlirimit të Mekës dhe në ditën e haxhit, megjithëse tetëmbëdhjetë vjeç, Usame u caktua si komandant nga Profeti në ushtrinë ku merrnin pjesë edhe të mëdhenjtë e muhaxhirëve si Ebu Bekri, Omeri, Ebu Ubejde ibn Xherrah, etj.[20]

Profeti nuk i ka nënvlerësuar lidhjet dhe komunikimin jo vetëm ndaj pjesëtarëve të familjes, por edhe ndaj të afërmve të tyre. Kështu që, kur Aishja (r.a.) pa Profetin duke i bërë kompliment një gruaje të moshuar, pasi ajo iku, e pyeti për shkakun e komplimentit. Ai iu përgjigj: “O Aishe, kjo grua është mike e Hatixhes. Na vizitonte kur ajo ishte gjallë. Respekti ndaj miqve rrjedh prej besimit.”[21] Aishja (r.a.) thekson se për shkak të lidhjes së Profetit paqja qoftë mbi të! me të afërmit, çdo herë kur prisnin ndonjë qengj, u dërgonte atyre nga një pjesë.[22]

I emocionuar tejmase kur sheh varësen e dhënë si dëmshpërblim për dhëndrin e tij mes robërve të Bedrit, Profeti kërkon t’i kthehet mbrapsht dhe i pranohet kërkesa. Këtë varëse, Hatixhja ia kishte dhuruar Zejnebit, vajzës së saj kur ishte martuar.[23]

Hz. Enesi (r.a.) tregon: “I Dërguari i Zotit ndodhej pranë njërës prej bashkëshorteve. Njëra prej tyre i kishte dërguar ushqim në një pjatë. Zonja e dhomës e thyen pjatën duke i rënë dorës së Profetit. Profeti mblodhi gjellën e derdhur në dy pjesët e ndara të pjatës dhe iu drejtua: “U bëtë xheloze për nënën tuaj, po ejani, urdhëroni, hani tani!” Në një transmetim që vjen më pas, theksohet se si Aishja thyen pjatën e sjellë nga Hafsa me një gur. Ndërsa në një transmetim të tretë, Hz. Aishe pasi thekson se nuk kishte parë njeri tjetër të gatuante si Safija, pranon se e kishte thyer pjatën e nevrikosur. Përballë këtyre sjelljeve tregohet se përveç mbledhjes së ushqimit krejt i qetë dhe fjalëve: “U bëtë xheloze për nënën tuaj, urdhëroni hani!”, nuk ka pasur ndonjë reagim tjetër nga ana e Profetit.[24]

Nga transmetimet e dhëna shohim se si Profeti ka ndihmuar gratë e tij në disa punë të shtëpisë. Kur e pyetën Hz. Aishen (r.a.) se çfarë bënte Profeti në shtëpi, i përgjigjet kështu: “I shërbente familjes dhe dilte kur vinte koha e namazit.” Kur pyetën se me çfarë punësh merrej, përsëri në një transmetim të saj, ajo thotë: “Rregullonte këpucët, arnonte rrobat, qepte, pastronte rrobat, milte delen, rregullonte kovën, kryente punët e veta dhe çdo lloj pune tjetër që mund të bëni ju burrat në shtëpi.”[25] Në disa transmetime thuhet se edhe ka gatuar.142

Përveç kësaj, Profeti nuk i ka lënë pas dore edhe komplimentet ndaj grave të tij. Theksojmë edhe kujdesin që tregonte i Dërguari i Zotit për argëtimin e pjesëtarëve të familjes. Profeti ka lejuar argëtimin, dëfrimin në disa ceremoni, si në dasma dhe në ditët e Bajramit. Profeti ynë ka qenë gjithashtu i duruar me gratë e tij.

Përsëri, zotëria i dy botëve, Profeti ynë, ka dhënë një shembull tjetër të bukur, konsultimin me gratë. Ai ishte frikësuar nga ato që kishte parë kur i kishte ardhur shpallja për herë të parë dhe atë frikën e brendshme ia kishte treguar Hz. Hatixhes. Ajo e qetësoi dhe e ngushëlloi Profetin.[26] Dihet që edhe martesa mes vajzës së tyre, Zejnebit dhe Ebul Asit, është bërë me propozimin e saj. Madje transmetuesi pasi thekson propozimin për martesë të Hz. Hatixhes për vajzën e tyre me Ebul Asin dhe pranimin e propozimit nga Profeti, kumton një fjali shumë të rëndësishme në lidhje me temën tonë: “I Dërguari i Zotit nuk e kundërshtonte Hz. Hatixhen.”[27] Bashkangjitur me këtë, në ngjarjen e shpifjes ndaj Hz. Aishes, e quajtur ndryshe si ngjarja Ifk, Ai ka pyetur rreth Aishes (r.a.), robëreshën e saj, Beriren, dhe Zejneb Bintu Xhahsh.[28] Edhe shembulli i Umu Selemes është domethënës. Pasi bëhet marrëveshja e Hudejbijes dhe pranohet pika për të mos bërë umre atë vit, sahabet nuk kishin mbetur të kënaqur dhe nuk deshën të dëgjonin urdhrin e Profetit për të dalë nga ihrami. Pasi kishte marrë vesh shqetësimin e Profetit, Umu Seleme i drejtohet me këto fjalë: “O, I Dërguari i Zotit! Ngrihu dhe prit kurbanin tënd, ata do të bëjnë si ti dhe do t’i presin kurbanet.” Profeti veproi ashtu dhe sahabet me të vërtetë e ndoqën.[29]

 

[1] Buhariu, 5/2270; Muslimi, 4/1890.

[2]Ebu Davudi, 2/700-702.

[3]Buhariu, 1/ 323; en-Nesai (el-Muxhteba), Kahire, 1930, (Sherhi i Sujutit me Hashijen e Sindit), 3/195; Ibn Haxher, el-Metalib, 4/129; Ibn Haxher, Mexhmau’z-Zevaid, 11/250.

[4] Shiko: Hejsemi, Mexhmau’z-Zevaid, 4/315-320.

[5]Ibn Maxhe, 1/606; Ebu Davud, 2/34.

[6]Hejsemi, Mexhmau’z-Zevaid, 4/315-316.

[7]Muslimi, 4/2168; Nesai, 7/72.

[8]Ibn Sa’d, Tabakat, 8/224.

[9]Mubarekfuri, Tuhfetul-Ahvezi, 5/563-65.

[10]Ibn Haxher, Fethul-Bari bi-Sherhi Sahihil-Buhari, Egjipt, 1959. 8/22,23.

[11]Ibn Haxher, el-Metalibul-Alije, 2/417.

[12]Darimi, Suneni, 1/153, 157, 740. H.755.

[13]Ibn Haxher, 6/427, Ibn Sa’d 8/119.

[14]En-Nesai, Sunen, 6/158.

[15]Hejsemi, 4/320.

[16]Ibn Haxher, 6/533; Ibn Sa’d, 8/124.

[17]Ibn Maxhe, Keffarat, 12; Ibnul-Esir, Usdul- Gabe, 3/165-167.

[18]Ibn Sa’d, 4/62.

[19]Ibn Sa’d, 4/69.

[20] Ibn Sa’d, 4/68.

[21]Mubarekfuri, 6/159.

[22]Tirmidhiu, 4/369.

[23] Ibn Sa’d, 8/31.

[24]Nesai, 7/70; Azimabadi, Avnul-Ma’bud, 9/481; Taberani, Mu’xhemu-Sagir, 1/205-206.

[25] Buhariu, Edebul-Mufred ¼; Tirmidhiu, 4/654; Ahmed b. Hanbel, 6/106.

[26]Tirmidhiu, Esh-Shemailul- Muhammedijje, Humus 1968 fq.181 Hakim, Mustedrek, 4/110.

[27]Hejsemi, 9/ 213.

[28]Buhariu, 2/942.

[29]Vakidi, Megazi, 2/613. Për më shumë hollësi shiko: Ibrahim Xhanan, Edukimi brenda familjes, fq. 205-226 Shtëpia botuese Gyljurdu, Izmir, 2006.

 

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali