Të folurit, mënyra e të folurit, buzëqeshja dhe e qeshura Profetit Muhamed (s.a.s.)

profeti-muhamed.jpg

Të folurit e Profetit tonë, më i miri i folësve dhe zotëria i horizontit Levlake Levlake*, ka qenë jashtëzakonisht e ëmbël dhe ledhatuese. Fliste qetë dhe i ndante fjalët nga njëra-tjetra me qëllim që çdo fjalë të kuptohej mirë nga ata që e dëgjonin. Kishte zakon të përsëriste tri herë një fjalë të cilën dëshironte ta theksonte. Në shumicën e rasteve, kur fliste, sytë i drejtonte lart nga qielli. Zërin e kishte të lartë. Në një transmetim të Umu Hanit, (r.a.) thuhet kështu: “Profeti paqja qoftë mbi të! lexonte Kuran në Qabe dhe ne e dëgjonim të ulur, në divanet tona në shtëpi.”[1]

Ndërsa Aishe (r.a.) kur përshkruan mënyrën e të folurit të Profetit, shprehet kështu: “Kur fliste, nuk fliste si ju. Kushdo qoftë ai që e dëgjonte, mund t’i mësonte përmendësh fjalët e Tij.”[2] Madje kur fliste Profeti ynë, mund të numëroje dhe shkronjat e nxjerra nga goja e tij. Jo ngaqë fliste ngadalë. Sepse të folurit e ngadaltë mund ta mërzisë dëgjuesin. Por të folurit shkoqur e qartë nga Profeti, nuk vjen në kuptimin e një të foluri të rëndë, të ngadaltë. Madje kur ai dëshironte të theksonte diçka, e përsëriste tri herë.[3]

Në një hadith të gjatë, një ditë Hz. Hasani e pyet Hind ibn Hale: “Si fliste Profeti paqja qoftë mbi të!?Ai ishte përgjigjur kështu: “Në shumicën e rasteve qëndronte i heshtur, sikur të ishin në prezencën e Krijuesit Hyjnor. Ai nuk pushonte si njerëzit e botës, koha e heshtjes ishte më e gjatë se ajo e të folurit, nuk kish zakon të fliste kur nuk ishte e nevojshme. Kur niste të fliste dhe kur mbaronte fjalën, thoshte “bismil’lah”. Qëllimet e tij i shprehte me fjalë të shkurtra dhe të sakta, ishte lakonik. Kur duhej të shprehte synimet e tij, nuk fliste as pak, as shumë. Gjithmonë respektonte mirësinë edhe nëse ishte e pakët nuk përdorte asnjë shprehje qortuese për të. Falënderonte për çdo mirësi. Nuk shqetësohej për pasurinë e botës, domethënë nuk e zemëronte asnjëherë ndonjë çështje e kësaj bote. Por përballë prekjes dhe cenimit të një të drejte, askush nuk mund t’i dilte para zemërimit të tij. Nuk mërzitej apo zemërohej për ndonjë çështje që kishte lidhje me të. Prandaj nuk ushqente asnjëherë urrejtje dhe armiqësi. Kur do të tregonte diçka, nuk tregonte me gisht, por me duart e tij të bekuara. Kur i pëlqente diçka, nëse pëllëmbën e dorës e kishte të drejtuar drejt tokës, e ngrinte lart, nëse e kishte të drejtuar lart, e drejtonte poshtë. Kur dëshironte të fliste, me gishtin e dorës së majtë godiste pëllëmbën e dorës së djathtë. Nëse zemërohej me dikë, nuk fliste me zë të lartë, që të bërtiste, e pranonte me një të falur. Kur qeshte, mbyllte me përulësi kapakët e syve, në këtë mënyrë nuk e shfaqte të qeshurën. Qeshja e Profetit tonë, më i epërmi i profetëve, ishte gjithnjë buzëqeshje. Kur buzëqeshte, i dilnin dhëmbët e pastër e të bekuar si margaritarë.”[4]

Ndërsa Xhabir ibn Semure na jep këtë transmetim: “Profeti paqja qoftë mbi të! e kishte kërcirin të hollë. Kur qeshte, shfaqte një buzëqeshje. Në pamje të parë mendoje se Ai mund të kishte përdorur syrme për të lyer sytë, por në të vërtetë, sytë e tij ishin si të lyer me syrme.”[5] Profeti ynë ishte një njeri i buzëqeshur. Haris ibn Xhuz thotë: “Nuk kam parë njeri më të buzëqeshur se i Dërguari i Zotit.”[6]

Ndonjëherë, i Dërguari i Zotit ka buzëqeshur në lidhje me konkluzionin e ndonjë çështjeje. Hadithi që transmeton Ebu Dheri (r.a.) është: Profeti ynë thotë: “Unë e njoh njeriun e parë që do hyjë në xhenet pasi të ketë shpëtuar nga xhehenemi dhe njeriun e fundit që do të shpëtojë nga xhehenemi për të hyrë në xhenet. Në ditën e kiametit, kur njeriu çohet për të dhënë llogari, melekët urdhërohen:

  • Tregoni këtij njeriu gjithë mëkatet e vogla që ka bërë. Ndërsa mëkatet e mëdha fshijani. Atij i thuhet ke bërë këtë, këtë, këtë. Ai i pranon të gjitha dhe nuk mund të kundërshtojë asgjë nga ato që thuhet. Ndërkohë frikësohet nga mendimi i mëkateve të mëdha. Në atë çast, Zoti u drejtohet melekëve:
  • Jepini atij të mira përballë këtij mëkati të vogël. Kur e dëgjon vendimin, ky njeri mëkatar dhe i pashpresë, me një ambicie të rilindur, thotë:
  • Unë kam bërë mëkate edhe më të mëdha. Nuk po arrij t’i shoh në librin e veprave.

Ebu Dheri thotë: “Kur e tha këtë Profeti, pashë nga Ai. Nga e qeshura i dukeshin dhëmballët.”[7]

Abdullah ibn Mesudi transmeton se Profeti ynë ka thënë: “Zoti më tregoi për njeriun e xhehenemit që do të dalë i fundit nga xhehenemi dhe do të hyjë i fundit në xhenet. Ky njeri do të dalë duke ecur këmbadoras nga xhehenemi. Zoti i Madhëruar do t’i thotë:

“Shko, hyr në xhenet!”

Ai njeri shkon në xhenet, por xheneti është aq i mbushur, saqë çdo njeri ka vendin e tij dhe duket se nuk ka mbetur asnjë vend.

“O Zoti im! Unë e gjeta xhenetin të mbushur plot”, thotë.

Zoti i Madhëruar i thotë sërish:

“Shko, hyr në xhenet!”

Ai hyn në xhenet. Përsëri e gjen të mbushur plot e përplot.

“O Zoti im! E gjeta xhenetin të mbushur plot”, i thotë përsëri Zotit.

Zoti i përgjigjet:

“Shko, hyr në xhenet, vendi yt është sa e gjithë bota dhe dhjetë herë më e madhe se bota.

Ai drejtohet kështu:

Ti po tallesh me mua duke qenë se je Sunduesi i vetëm!”

Abdullah ibn Mesudi thotë: “Për Zotin, Profeti paqja qoftë mbi të! qeshi aq shumë, sa iu dukën dhe dhëmbët e fundit.”[8]

Në këtë hadith tregohet se si e ka bërë të qeshë Profetin paqja qoftë mbi të! një tablo e lidhur me ditën e fundit.

Një ngjarje tjetër që e ka bërë të qeshë të Dërguarin e Zotit, është:

Ebu Hurejre (r.a.) tregon kështu: “Erdhi njëri te Profeti dhe i tha:

“U shkatërrova, o i Dërguari i Zotit.”

“Çfarë të ka shkatërruar?”, e pyeti i Dërguari i Zotit.

“Kam kryer marrëdhënie seksuale me gruan gjatë Ramazanit.”

Pas kësaj Profeti i thotë:

“A mund të lirosh një rob?”

“Jo, nuk mundem”, iu përgjigj ai.

“Atëherë a ke fuqi të agjërosh dy muaj pa ndërprerje?” e pyeti Profeti.

“Jo, nuk mundem”, iu përgjigj. Profeti i tha:

“A mund të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”

Pastaj ai u ul afër Profetit. Të Dërguarit të Zotit i sollën një kanistër me hurma. Profeti iu drejtua:

“Merre këtë dhe jepe si sadaka!”

Ai iu përgjigj:

  • T’ia jap një njeriu më të varfër se unë? Ndërmjet banesave nga të dy krahët e Medinës, nuk ka familje më në nevojë për këtë se familja ime.

Pas kësaj përgjigjeje, Profeti qeshi sa iu dukën dhëmballët. Pastaj iu drejtua:

“Atëherë jepja familjes tënde nëse është kështu.”[9]

 

*leulake leulake lema halaktul eflake – Po të mos ishe Ti, nuk do të krijoja universin.” Hadith kudsi.

 

[1]Ibn Maxhe, 1/449; Ibn Ebi Shejbe, Musannef 1 /321.

[2]Tirmidhiu, 5/600; Ahmed b. Hanbel, 6/257.

[3]Tirmidhiu 5/600.

[4] Shemail 1/184; Taberani, el-Ahadisu’t-Tival, 1/245.

[5]Tirmidhiu, 5/603; Ahemd b. Hanbel, 5/97.

[6]Tirmidhiu, 5/601; Ahmed b. Hanbel, 4/190.

[7]Muslimi 1/177, Tirmidhiu, 4/713.

[8]Muslimi 1/173; Tirmidhiu, 4/712; Ahmed b. Hanbel, 1/372.

[9] Buhariu 6/ 2467; Tirmidhiu, 3/102.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali