Veçoritë e profetëve 3- Principialitet

profeti-muhamed-30.jpg

Principialitet do të thotë që çdo gjë që bën, ta bësh për Allahun dhe, gjithashtu, çdo gjë që nuk bën, për hir të Allahut të mos e bësh. Profetët janë personalitete të përgatitur pikërisht me një principialitet të tillë që në krye të herës. Ç’është e vërteta, njeriu me përpjekje mund të arrijë në principialitet në një pikë të caktuar, por ç’e do se pika ku mund të arrijnë njerëzit e zakonshëm është vetëm një fillim për profetët. Ata janë bërë pothuajse vetë esenca e principialitetit. Këtë specifikë Kur’ani e shtjellon kështu duke e personifikuar te disa profetë: “Përmendju në libër edhe Musanë! Ai ishte një i dërguar dhe profet i zgjedhur.” (Merjem: 51).

Po ashtu edhe për Hz. Jusufin: “Vërtet ai ishte nga robërit tanë të zgjedhur!” (Jusuf: 24).

Kurse për personalitetin e të Dërguarit të Allahut i flet kështu ummetit, bashkësisë së tij: “Pa dyshim që Ne ta zbritëm librin për hir të së vërtetës, prandaj ti adhuroje sinqerisht Allahun!” (Zumer: 2)

Dhe në një vend tjetër Allahu e porosit kështu të flasë të dashurin e Tij: “Thuaj: Unë e adhuroj Allahun sinqerisht duke ia dedikuar fenë vetëm Atij!” (Zumer: 14).

Shkaku i adhurimit është urdhri i Allahut dhe rezultati, pëlqimi dhe miratimi i Tij; kurse frytet dhe përfitimi janë ato që do të japë Zoti në jetën tjetër. Adhurimi e përfshin në vetvete tërë një jetë dhe e bën veten të ndihet si një vetëdijë e konceptim në të gjitha sjelljet e besimtarit.

Mendimtari i madh i shekullit tonë, duke thënë “Punoni për Allahun, filloni për Allahun, përpiquni për Allahun dhe veproni brenda kuadrit të pëlqimit dhe të miratimit të Tij!”, edhe bën përkufizimin e principialitetit, edhe flet për rëndësinë e tij.

Principialiteti është emërtimi i të qenit i drejtë e i orientuar për njeriun. Në jetën e një njeriu të tillë nuk ka zigzage. Diagrama e zhvillimit të tij shpirtëror është gjithmonë në ngjitje. Eshtë për këtë që njerëz të tillë kanë mundur ta ruajnë thjeshtësinë e ditëve të para edhe pasi janë ngjitur në maja. Mirëpo ç’e do që ata janë aq shumë pak!

Në historinë e njerëzimit është vetëm një njeri që ka arritur në këtë majë dhe ai është i Dërguari i Allahut. E si të mos jetë kur midis ditës së parë kur nisi të bëjë të njohur kauzën e tij dhe ditës kur u triumfua Meka, në sjelljet e tij përsa i përket thjeshtësisë nuk pati treguar edhe ndryshimin më të vogël?

Meka qe marrë me paqe. Në se pati nja-dy ngjarje të veçuara, përfshirja e tyre në të përgjithshmen nuk është e drejtë. Duke hyrë në atë vend të bekuar nga ku ishte nxjerrë vite më parë, Profeti i të Dy Botëve nuk hynte me pamjen e një komandanti triumfator. I hipur mbi kalë, e mbante kokën aq ulur, sa ajo kokë e bekuar pothuaj do t’i prekte në jelet e kafshës.

Ai nuk e pati ndryshuar sjelljen dhe qëndrimin as gjatë periudhës kur pati ndejtur në Medine. Sahabet, pasuesit e tij, ngriheshin në këmbë kur hynte ai. Dhe ashtu është, duhet të ngriheshin! Madje edhe të vdekurit duhet të ngriheshin nga varret e t’i shprehnin respektin e tyre! Ai e meritonte me të tepërt një respekt të tillë. Kurse ai ndjehej seriozisht i shqetësuar nga ngritja në këmbë e pasuesve dhe çdo herë u thoshte: “Mos u ngrini në këmbë si fëmijët ndaj të mëdhenjve” dhe i qortonte.

Po, ashtu si ta fillonte ai një detyrë të shenjtë, ashtu edhe e mbaronte. Jeta e tij pati kaluar pothuajse si në një harmoni melodike. E mbaronte punën në po atë perde ku e pati filluar dhe kjo do të thoshte një sukses i madh. Madje, në një aspekt, ai e pati filluar këtë melodi hyjnore në “lento” dhe, në përfundim, pati kaluar në “fortissimo” duke gjëmuar qiej e tokë!

Gjatë gjithë jetës ai adhuroi vetëm Allahun duke ia dedikuar Atij fenë, ndiesitë ia mbushën zemrën e dolën nga shtrati me afërsinë e ndjerë për Të, syri i kërkoi në çdo vend veprën e Tij, gjithë ndjenjat i valuan e u derdhën me kënaqësinë shpirtërore të buruar prej Tij! Ai pati hapur sytë te e vërteta, pati hapur velat drejt së vërtetës dhe qe sjellë kudo duke thënë gjithmonë “Allah!” me një oreks që s’dinte të ngopej. Sepse ai ishte njeri i principialitetit!

Edhe vetëdija e favorit tek ai përbënte një dimension të veçantë. Sepse favori brenda përkufizimit të tij personalisht ishte kryerja e adhurimit sikur ta shihje Allahun. Po qe se çështjen do ta shpjegonim figurativisht, do të thoshim se, ndërsa të tjerët faleshin duke u kthyer nga Qabeja, ai e falte namazin brenda në Qabe!

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali