VEREJTJET QË I BËN KURANI PROFETIT DHE PRAPASKENA E TYRE: Propozimi i fisit Sakif

pexels-photo-318451.jpeg

Një tjetër ajet që të jep përshtypjen se i tërheq vëmendjen Profetit është edhe ky:

Ata u përpoqën të të largonin ty (Muhamed) nga ai (Kuran), që të kemi shpallur Ne, me shpresë se ti, duke shpifur, do të Na vishje diçka tjetër përveç atij (Kuranit). Po ta bëje këtë, atëherë, ata do të të merrnin ty për mik. Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata, dhe atëherë, me të vërtetë, Ne do të bënim që të shijoje dënimin e dyfishtë në këtë botë dhe pas vdekjes; e atëherë, nuk do të gjeje askënd për ndihmës kundër Nesh.” (Isra, 17/73-75)

Fisi Sakif kërkonte prej tij disa favore dhe një pozitë të veçantë në krahasim me të tjerët, në këmbim me hyrjen e tyre në Islam. Ata shkuan te Profeti dhe i shprehën konditat e tyre për të hyrë në Islam, të cilat konsistonin në disa lehtësira e prioritete specifike për ta. Nëse fiset e tjera do e kundërshtonin atë statut të tyre të favorizuar, sipas pretendimit të tyre naiv e të rëndomtë, Profeti do të thoshte: ‘Kështu më urdhëroi Zoti.”421 Ja ajetet, ja sjellja e tyre, ja dhe vendosmëria e Profetit, të cilën e theksojnë edhe ajetet. Dhe ne e theksojmë se në këta ajete nuk ka as edhe një shprehje, as edhe një pikë a presje që hedh hije mbi pafajësinë e “ismetin” e Profetit. Ai fis, duke menduar se do e kandisnin Profetin, u hodh në një aventurë fëminore. Ata të mjerë, të cilët nuk e dinin se ç’ishte profetësia e shpallja, që sipas skenarëve që vetë kishin përgatitur, kishin menduar se Profeti, i cili përpiqej me gjithë mënyrat që njerëzit të pranonin Islamin, padyshim që nuk do e refuzonte këtë kërkesë të tyre dhe do i favorizonte ata në disa përgjegjësi që u takonin, si shpërblim i hyrjes së tyre në Islam. Ky ishte pretendimi i tyre. Porse Profeti as që e çoi nëpërmend ta plotësonte atë kërkesë të tyre pa vend. Feja është një e tërë. Është e pamundur ta quash sërish fe, nëse ajo është bërë temë negocimesh e favorizimesh për disa syresh. Profeti ynë, atë që u ka thënë njerëzve që e dëgjonin, ditën e parë të profetësisë së Tij, atë u ka thënë edhe ditën e fundit. Ai është njeri i vendosmërisë. Po ashtu, edhe Islami ka zbritur për të drejtuar njerëzit drejt vendosmërisë e rrugës së drejtë. Është larg mendsh që të gjenden aty norma në kundërshtim e në konflikt me njëra-tjetrën. Një predikim i tillë nuk përshtatet as me logjikën, as me shkencën. Një propozim të tillë, jo Profeti ynë që nuk do e pranonte kurrsesi, po edhe Ebu Bekri do e refuzonte siç e ka refuzuar në një rast konflikti me disa që pranonin të faleshin, po nuk pranonin të jepnin zekat e u ka shpallur luftë atyre.422 Ndaj është fare e kuptueshme se në këta ajete nuk ka as edhe një shprehje që përmend ndonjë gabim të Profetit. Ato që shpjegohen në ajet janë mendimet e qëllimet individuale të një grup njerëzish të pandërgjegjshëm, që nuk kanë asnjë farë lidhje me Profetin. Ai është i patëmeta dhe tepër larg qëllimeve të tyre. Kurse ajeti i dytë jep pak a shumë këtë kuptim: “Po të mos të kishim përforcuar, ashtu siç përqendrohen e fiksohen në një vend malet e lartë, po të mos ishe Ti i ngulur në zemër të së vërtetës, sikur ata male janë, mundet që të tregoje ndonjëfarë interesi ndaj tyre, qoftë edhe për pak. (Isra 17/74). Këto fjalë shprehin një hipotezë në kushtore dhe duhen trajtuar jo si qortim, po në aspektin e nderimit e lartësimit që i bëjnë personit të Tij të lartësuar. Domethënë Profeti qëndron në një themel të tillë besimi, sa është e pamundur të flitet qoftë edhe për lëkundjen më të vogël në këtë aspekt. Po të mos ishte kurora e profetësisë mbi Të, po të ishte thjesht një idealist që mundohej të përhapte të mirën, edhe mund të tregonte ndonjëfarë interesi e zbutjeje karshi këtij propozimi të tyre dhe mund të ulej e të diskutonte me ta për një farë rruge të mesme, që t’i afronte ata në rrugën e vet. Sepse prirje e dobësi të tilla janë shumë normale në karakterin e njeriut. Po i Dërguari i Allahut është një Profet i mbrojtur nga çdo lloj dobësie e tillë. Ai nuk përpiqet t’i lidhë njerëzit pas vetes, po pas rrugës së Zotit. Po lidhja me fenë nuk mund të jetë e pjesshme, ajo duhet pranuar në gjithë aspektet e saj, ndaj dhe Profeti nuk ka pse i mban ata me hatër, duke bërë ndërhyrje në normat fetare vetëm për të favorizuar ata. Aq më tepër që ai është një i Dërguar, që kumton vetëm atë që i urdhëron e ndalon Zoti, pa shtuar as edhe një presje nga vetja e tij. Ligjvënësi, i Pushtetshmi, që urdhëron e ndalon, është Allahu drejtpërdrejt. Nga shprehja “Ti mund të tregoje prirje ndaj tyre” është e mundshme të nxjerrësh edhe këta kuptime: “Po të mos të të përforconim e po të mos i merrnim nën kontroll të gjitha veprimet e Tua me anë të shpalljes, edhe Ti, si të tjerët, do ndiqje rrugën e mendjes e të logjikës në kumtimin e besimit, ndaj kishte mundësi që edhe Ti të mendoje kështu: “Unë po i pranoj këta njerëz ashtu siç janë, pastaj do i ngroh dalëngadalë me Islamin, derisa të bëhen besimtarë të devotshëm e të pjekur.” Po një mendim i tillë as që ka kaluar ndopak nga mendja Jote. Po nëse Ti nuk u ndikove nga ky propozim, shkaku është fiksimi e përforcimi që Ne të kemi bërë. As edhe për një çast Ne nuk të kemi lënë Ty vetëm për vetëm, që Ti të mund të prihesh nga ai mendim.

Kurse një tjetër kuptim është ky: Karakteri Yt e veçoria e personit Tënd, kërkon me çdo kusht që ata të shpëtojnë e të besojnë. Thuajse do bëhesh copë, se ata nuk besojnë. Ti, që je Ai njeri, zemra e të cilit ka vend për të gjithë, ndaj është shkak mëshira jote pa kufi, ajo që të shtyn t’ua hapësh zemrën edhe atyre. Për sa kohë që Ti ke këtë zemër e këtë ndjeshmëri, i pranon edhe ata, edhe të tjerë si ata, pa refuzuar propozimet e llastimet e tyre. Po ne të dhamë Ty vendosmëri në masën e duhur, po ashtu edhe ndjenjat. Kështu të mbrojtëm Ty edhe nga tepria, edhe nga shterpësia e ndjenjave e veprimeve. Po ta teproje me mirësi e dhembshuri, Ti mund të mendoje ta plotësoje atë kërkesë të tyre, por mbrojtja Jonë të pengoi. Sepse edhe dhembshuria e ndjeshmëria duhet të jenë me masë. Ti e di shumë mirë se “kur, në ç’vend, ndaj kujt” duhet të tregohesh i ndjeshëm. Ndaj Ti nuk ke pse bën lëshime duke vënë mëshirën Tënde para mëshirës hyjnore. Është një fjalë që presupozohet të jetë e Mevlanës:

Eja, eja, çfarëdoqofsh, eja!

Kjo fjalë e Mevlanës është aq me vend edhe në kuptim, edhe në brendësi të saj dhe është frut i një frymëzimi të drejtpërdrejtë nga veprimtaria e Profetit. Ai Profet ka një zemër të tillë, që dëshiron shpëtimin e çdo njeriu, pa përjashtuar asnjë. Edhe nëse çdo njeri në botë, përveç dy-tre vetëve, të bëhet mysliman, Ai prapë do të shkonte t’i gjente ata njerëz, t’i shpjegonte diçka e të mundohej që edhe zemrat e tyre të hapeshin ndaj mesazhit hyjnor. Për këtë, Ai nuk do të tërhiqej nga asnjë lloj vështirësie e nuk do të kursente asnjë sakrificë. Po, Ai një të tillë shpirt kishte, të hapur për këdo, sikur dyert qiellore, ndaj po të mos ishte paracaktimi e mbrojtja hyjnore, Ai ndoshta edhe ata që do të thonin vetëm “La ilahe il’lallah” do i pranonte në anën e Tij e do i mbronte nën krahët e veta. Porse Zoti e kishte marrë Atë nën mbikëqyrje, duke përcaktuar një masë e një ekuilibër në ndjenjat e Tij, në sajë të të cilave Ai nuk kishte gabuar asnjëherë.

“Mund të tregoje prirje drejt tyre” nuk do të thotë “Ke treguar prirje ndaj tyre”. Këtu nuk ka asnjë të dhënë që tregon se “e mundura” është kryer, ndaj të kërkosh dobësi të Profeti në bazë të kësaj shprehjeje, nuk është veçse dobësi e mendimit. Allahu (xh.xh.) e ka përcaktuar e marrë në mbrojtje Atë, që në pikënisje, që në gjenezë, që kur koha ende nuk ishte kohë, ndaj edhe Ai nuk do rrëshqiste gjatë asnjë hapësire kohore. Sepse qenia e Tij ishte bërë një me të Vërtetën, çdo veprim i Tij ishte përforcuar me shpallje dhe zemra e tij ishte mbushur me kënaqësinë e Allahut (xh.xh.). Ja, ndërsa një personalitet i tillë, një mbret i mbretërve ndodhet i ulur në fronin e Tij tej qiejve, disa kërkojnë të shohin në ka baltë në thembrat e Tij. Epo këta, ose nuk e dinë ç’do të thotë fron qiellor, ose nuk e dinë ç’është balta… Ç’të them, Zoti i drejtoftë edhe këta mendimtarë të shkretë! Aq më tepër kur në ajetin në vazhdim shprehet qartësisht që Profeti i Allahut as që ishte anuar ndopak nga kërkesa e tyre. “Në të vërtetë, ata po përpiqen të të trembin që të të dëbojnë ty nga vendi, por atëherë, ata do të qëndronin vetëm pak kohë pas ikjes sate.” (Isra 17/76)

421 Ibn Hisham, Sire 4/184; Ibn Sa’d, Tabakat, 312-13

422 Buhari, Hisham 2; Muslim, Iman 32; Ebu Davud, Zekat 1.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali