VEREJTJET QË I BËN KURANI PROFETIT DHE PRAPASKENA E TYRE: Surja Abese

quran-4951046_960_720.jpg

Në vështrim të parë Sureja Abese duket sikur i tërheq vëmendjen Profetit dhe përmban nota qortimi ndaj Tij. Para se të shtjellojmë këtë çështje, do të transmetojmë këtu ngjarjen që u bë shkak për zbritjen e kësaj sureje. Pastaj do tërheqim vëmendjen në kuptimet që shprehin ajetet, duke treguar se si pafajësia e virtyti i Profetit janë të qarta si drita e diellit, megjithë dëshirën e disave që kërkojnë që me këtë ndodhi, ta lënë atë në hije.

Profeti ishte ulur në kuvend me parinë e Kurejshëve, Utben e Ebu Xhehlin dhe po u kumtonte atyre besimin në Zot. Biseda ishte në kulmin e saj, Profeti ishte i përqendruar e po diskutonte me ta në disa tema të rëndësishme, kur pranë tyre u fut Abdullah ibni Mektum (r.a), i cili nuk shikonte nga sytë dhe i tha Profetit: “Më drejto në rrugë të mbarë, o i Dërguari i Allahut!”. Pasi e përsëriti disa herë këtë fjalë, Profeti thartoi fytyrën dhe u soll nga ana tjetër, duke vazhduar bisedën aty ku e kishte lënë… Kjo është në vija të përgjithshme përmbledhja e shkakut të zbritje së këtyre ajeteve që përmenden në këtë temë. Po ta shtjellojmë këtë temë rreth boshtit të këtyre koncepteve, nëse pasuesi që kishte ndërprerë bisedën nuk do ishte i verbër, po i aftë për të shikuar, sjellja e Profetit ishte aq me vend, sa nuk përbënte asgjë për të tërhequr vëmendjen. Po i ardhuri ishte një i verbër, ndaj dhe Profetit i kërkohej që të sillej me tolerancë me të. Fakti që Ai thartoi fytyrën e u soll mënjanë, u bë shkak që Ai të përballej me një vërejtje hyjnore. Ky është një përfundim që arrihet me një analizë të përciptë; po të thellohemi edhe pak, do të arrijmë të shohim edhe anën tjetër të medaljes dhe do kuptojmë kështu më së miri, se sa i cekët është përfundimi i mëposhtëm.

Së pari, secili kuvend ka rregullat e veta të sjelljes e të fjalës, si dhe normat e veta të pranimit. Kështu, edhe kuvendi i Profetit nuk është një kuvend dosido, nuk mund të futesh aty sikur hyn në praninë e njerëzve të tjerë dhe as mund të qëndrosh sikur qëndron përballë njerëzve të tjerë. Aq më tepër që Kur’ani, në shumë ajete u mëson besimtarëve rregullat e edukatës që duhet të zbatojnë në prani të Profetit. Vetë Zoti u mësonte muslimanëve se kur mund të shkojnë pranë Profetit, sa kohë mund të rrinë pranë Tij (Ahzab 33/53; Nur 24/58), bile edhe si duhet ta përdorin tonin e zërit në prani të Tij (Huxhurat 49/23). Rregullat e pranisë hyjnore janë të përcaktuara. Kjo kontratë është e vlefshme edhe kur besimtari ndodhet në praninë e Allahut. Shembull me vend për këtë është moslejimi i kalimit para personit që po fal namaz. Nëse dikush shkel rregullat e prezencës duke i kaluar para personit që po falet, sipas medhhebit të Hanifive, i tërhiqet vëmendja, kurse sipas medhhebit Maliki, nevojitet një ndërhyrje e drejtpërdrejtë, aq sa personi këmbëngul të kalojë, mund edhe të goditet.416 Kjo sepse personi që falet, ndodhet në praninë e Autoritetit më Suprem dhe komunikon me Të në mënyrë direkte. Mendojeni vetë sa jashtë normave të edukatës është një veprim i tillë, kur edhe të kalosh ndërmjet dy njerëzve që bisedojnë, duket si diçka jashtë edukate. Ndaj dhe Profeti thotë: “Sikur ta dinte ai që kalon para njeriut që falet se çfarë gabimi bën, do pranonte të priste më mirë dyzet vjet, e prapëseprapë nuk do i kalonte para.”417 Sikur prezenca para autoritetit Suprem, Allahut, ka rregullat e edukatën e vet, ashtu edhe prezenca para Përfaqësuesit të Tij, ka disiplinën e normativës përkatëse. Çfarë po bënte Profeti në ato çaste? Po përpiqej të transmetonte në ndërgjegjet e dy njerëzve zemërgur, frymëzimet e ndjenjave të veta. Ai, i cili ishte aq ambicioz për shpëtimin e njerëzve e kthimin e tyre në rrugë të drejtë. Kur’ani, kur e paraqet gjendjen e Tij në lidhje me këtë temë, përdor shprehjen: “A mos vallë do të vrasësh veten”(Kehf, 18/6; Shuara 26/3). Po, Ai sa herë shihte një njeri që nuk besonte, dëshpërohej as sa nuk shkatërronte veten nga keqardhja. Dhe ndërsa Ai është duke folur pikërisht në një të tillë atmosferë, dikush vjen, i pret fjalën duke e koklavitur temën dhe i tërheq vëmendjen në të tjera pika. Në të vërtetë, Ai person kishte një justifikim të pranueshëm, ai ishte i verbër. Po atëherë, edhe Profeti kishte të paktën dhjetë justifikime të arsyeshme që të thartonte fytyrën e të sillte kokën mënjanë. Atëherë, të quash gabim një sjellje të Tij të bazuar në një platformë krejtësisht të justifikueshme – e kam fjalën për ata që duan të cënojnë Profetin në këtë sens-, është padyshim një gabim më i madh. Nëse kjo ngjarje ka ndodhur kështu, atëherë dhe logjika e trajtimit të saj e përgjigjja që mund t’i jepet, është kjo. Po në asnjë nga librat e haditheve të shkruara gjer më sot, që kemi në dorë, si Buhariu, Muslimi, Ibn Maxhe, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Musnedi i Ahmed bin Hanbelit, Mustedreku i Hakimit, kjo ngjarje nuk është transmetuar e tillë, sikur skenarizohet në librat e tefsirit (komentimit të Kur’anit). Në tefsire, ngjarja kalon mes Profetit e ibni Ummu Mektumit, ndërsa janë të pranishëm edhe dy figurantë, Utbe e Ebu Xhehli. Po komentuesit e njohur si më të saktë, kanë përmendur emra të tjerë përsa i përket identiteti të personit që vjen te Profeti. Madje ata kanë shfaqur edhe teza të ndryshme, nëse ai person është i verbër, apo kjo cilësi është përdorur si metaforë. Pra, nuk ka saktësi absolute në këtë temë, ndaj dhe rrethi i diskutimit duhet mbajtur i hapur. Në këtë ngjarje, përmenden edhe shtatë emra të tjerë në rolin e ibn Ummu Mektumit, kështu mundësia mbi të dhënat e atij personi qëndron mbi tetë alternativa, ndërmjet të cilave nuk ka asnjë arsye që personi i ibn Ummu Mektumit të spikasë e të jetë më i preferuar se të tjerët. Bile këtë pasues të mirënjohur, – i cili është nga të parët që përqafoi thirrjen e Profetit dhe hyri në Islam- Profeti e ka lënë dy herë në Medine si mëkëmbësin e Vet. Më vonë, transmetohet se me mundësi të madhe ka rënë dëshmor në Kadisijje418. Për më tepër, ky person ka edhe një lidhje fisnore me Profetin. Ai është djali i dajës së Nënës sonë të nderuar, Hatixhes (r.a.). Ndaj nuk ka asnjë shkak të dukshëm që ai të kritikohet apo të paragjykohet për pjesëmarrjen në një kuvend të tillë. Fakti që ai ka zëvendësuar punët administrative të Profetit, megjithëse i verbër, tregon se ai është një njeri i përgatitur e i formuar, që di të administrojë dhe i di mirë normat e kuvendeve e të bashkëbisedimeve… ndaj për mendimin tim, ndërmjet emrave të tjerë që përmenden në lidhje me këtë ngjarje, ibni Ummu Mektumi është alternativa më e dobët. Ndoshta i verbëri që vjen te Profeti është një njeri krejt i ndryshëm, mundet hipokrit, karakteri i të cilit njihej nga Profeti. Kërkesa e tij për ta këshilluar Profeti, është krejt e rremë, përkundrazi, qëllimi i tij është të pengojë kumtimet e këshillat e Profetit edhe ndaj të tjerëve; në këtë rast është shumë normale që Profeti të thartojë fytyrën e të sillet mënjanë. Ne nuk pretendojmë se këta teza që parashtrojmë, janë absolutisht të vërteta e nuk pranojnë kundërshtim, po edhe tezat e atyre që pranojnë se i verbëri që është personazhi kryesor i ngjarjes ishte ibni Ummu Mektum, nuk kanë asnjëfarë epërsie për nga transmetimi apo faktet ku bazohen. Atëherë, që të dy këto teza, në bazë të normës së mendimit të lirë, duhen trajtuar e analizuar njëlloj. Një tjetër çështje që kërkon vëmendje në këtë aspekt është edhe kjo: Disa komentues, veprues të foljes “abese- thartoi fytyrë” e “tevel’la- u soll mënjanë” që kalojnë në ajet, nuk është Profeti, po Velid bin Mugire. Folja “abese” kalon dy herë në Kur’an. Njëra është “abese” që trajtuam në ajetet e kësaj sureje, tjetra, “abese” që kalon në suren Mudeththir. Mendoni tani, Kur’ani Famëlartë, këtë folje e ka përdorur në Mudeththir lidhur me një jobesimtar. Qoftë ai Velid bin Mugire, qoftë ndonjë kafir tjetër. (sipas Akkadit personi që përmendet në suren Mudeththir nuk mund të jetë Velidi, sepse në ajet ai cilësohet “zenim”, që do të thotë “i parodë-jofisnik”, po babai i Halid bin Velidit, edhe pse mosbesimtar, nuk ishte i parodë, ndaj dhe nuk ekziston ndonjë bazë në “sunet”-përmbledhje e veprave dhe e fjalëve të Profetit, për ta treguar personin që përmendet aty si Velidin). “Mblodhi vetullat e u vrenjt” është një shprehje të cilën Kur’ani e përdor në një vend për një mohues (Mudeththir, 74/22), si është e mundur që pikërisht kjo shprehje të përdoret për të Dërguarin e Allahut? Për atë Profet që është gjithmonë fytyrëëmbël e që nuk e kursen buzëqeshjen asnjë rast! Edhe për foljen “tevel’la” mund të thuhet e njëjta gjë. Kur’ani e përdor këtë shprehje për faraonin, duke thënë: “Faraoni u largua” (TaHa 20/60). Në fakt, kjo shprehje nuk është përdorur vetëm në rastin e faraonit, po me të janë përmendur gjithnjë firaunët. (Bakara 2/205, TaHa 20/48, Nexhm 53/33, Mearixh 70/17, Gashije 88/23, Lejl 92/16, Alak 96/13). Si mund të jetë e mundur që këto dy folje Kur’ani t’i ketë përdorur për të Dashurin e Allahut dhe t’i jetë drejtuar Atij me ta? Si është e mundur që kapelën që i vë mohimit, t’ia vejë mbi kokë edhe të Dërguarit? I duhet dhënë edhe një e drejtë posibiliteti atyre që mbrojnë këtë tezë të fundit. Sipas kësaj teze, veprues i foljes “abese” e “tevel’la” nuk është Profeti ynë, po mohuesi, të cilit i janë verbuar sytë para të vërtetës. Ka ardhur si i verbër, ka thartuar fytyrën para Profetit, pastaj është sjellë mënjanë e mandej është larguar, kuptim i cili mund të trajtohet si “i mundshëm”, duke marrë parasysh edhe shtytjen që bën në këtë preferencë “ismeti”- pafajësia e Profetëve të Mëdhenj. Gjithashtu, edhe nga etapat e transmetimit, unë nuk kujtoj ndonjë transmetim që hedh poshtë këtë tezë. Edhe nga ana biografike, edhe nga ana e struktura e tij, ky kuptim nuk ka asnjë shkak që të mos jetë i pranueshëm, po aq sa të tjerët.

Qëllimi ynë në transmetimin e këtyre fakteve “të pamohueshme” e “të mundshme” është të shpallim e të deklarojmë edhe njëherë shenjtërinë e burimit profetik, përballë atyre që marrin në dorë përciptazi ajetet që trajtojnë vërejtjet ndaj Profetit, duke bërë deklarata të papëlqyeshme në lidhje me këtë burim aq të rëndësishëm të fesë, e duke mos e numëruar aspak as referencë hyjnore dhe as kredinë profetike, e duke e paraqitur atë kredi të dobët, me alternativa të mundshme, e shpesh, pa themel. Sepse besimtarët e njohin Atë dhe vlerën e Tij pranë Allahut (xh.xh.) më së miri. Po, Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Ndërmjet Tij e Allahut (xh.xh.) ekzistonte një marrëdhënie e një dialog i jashtëzakonshëm, në frekuenca të jashtëzakonshme. Allahu (xh.xh.) shpall, kurse Ai kumton pa ndërprerje mesazhin hyjnor. Allahu (xh.xh.) i mbrojti gjithnjë këto veçori të Tijat, besueshmërinë e pafajësinë e Tij. Ndaj është obligim edhe për ne, është detyrë e domosdoshmëri e besës së dhënë që ta mbrojmë edhe ne. Ky është shkaku kryesor i patosit e i entuziazmit që tregojmë ne në këtë temë. Në ditët tona janë gjithato njerëz, të jashtëm e të brendshëm, të hapur e të fshehur, që nuk kuptohet se ç’qëllim kanë që duan ta shtrijnë atë përmendore madhështie në tryezën e kritikës e duan ta trajtojnë sikur të ishte një njeri çfarëdo. Ndaj dhe ne besojmë se duhet ta cilësojmë virtytin e pafajësinë e Tij më të shenjtë se nderin virtytin tonë e ta mbrojmë atë ashtu si meritojnë të mbrohen gjërat më të shenjta. Po ne jemi të ndërgjegjshëm se forca jonë është e kufizuar në këtë pikë. Ne nuk i posedojmë mundësitë e mjaftueshme që të kapemi me gjithë ata armiq të mundshëm të fesë e të besimit që bëjnë namin rreth Tij e me ata të tjerët, që me ndërgjegje a pa ndërgjegje, bëhen mashë e tyre në lloj-lloj formash e mënyrash. Është e pamjaftueshme, se ndërsa ata kanë për qëllim shkatërrimin, ne përpiqemi të ndreqim. Ata përdorin forcën e mediave globale, kurse ne, këta mjete minimale shtypi e shpërndarjeje. Por ata, janë të destinuar të munden e të humbin sërish, në platformën e mendimit e të intelektit, ashtu siç kanë humbur në çdo kohë e çdo periudhë. Sepse ajo që bëjnë, s’është veçse të mbulojnë diellin me shoshë. Vërtet që nuk mund t’i përgjigjemi gjithë hipotezave të tyre një për një. Bile kjo nuk është e domosdoshme… Të mëdhenjtë i kanë shprehur shumë bukur me këtë fjalë mendimet e tyre për rastet e ngjashme: “Po të gjuanim me gurë gjithë ata që lehin, nuk do mbetej gur përreth!” Edhe ne, vetëm përsërisim këtë fjalë…

Në këtë fazë, nuk mund të rri pa përmendur edhe një temë tjetër. Temë kjo, që si një gjilpërë busulle, duke u dridhur lehtas, tregon sërish Atë.

Profeti ynë, ndër lajmet që jep nga e përtejmja dhe gjërat që thotë në lidhje me të ardhmen, të jep përshtypjen sikur i ka jetuar ditët tona bashkë me ne, pastaj ka folur. Ai thotë: “Në kohët e fundit* të botës, do të shfaqet një tymnajë. Kjo tymnajë do t’i mbysë ateistët, kurse besimtarët do i bëjë me rrufë.”419

Filozofia materialiste, e cila hedh poshtë pa asnjë bazë të drejtën e të vërtetën, i mbyti në sensin spiritual të gjithë njerëzit e mohimit e herezisë, kurse mes besimtarëve futi dyshime e dilema. Kjo është gjendja e tyre, që me shami në duar fshijnë sot, herë pas here hundët. Si mund të paraqitet më saktë gjendja e njerëzve të sotshëm, të cilët mbrojnë gjepura të ndryshme e mundohen të mbulojnë paditurinë e tyre, duke nxjerrë teorira si “përkthimi i Kur’anit është i mjaftueshëm”, “ç’nevojë kemi për hadithin”, duke u munduar kështu të justifikojnë edhe mosnjohjen e gjuhës arabe e të detajeve të saj, edhe distancimin e tyre nga shkencat e domosdoshme teologjike.

Kjo nuk është aspak diçka aq naive, sa duket. Skenar heretik, i nisur me Ebu Xhehilët, Utbet e Shejbet… u përpoq të mbahet në këmbë me ateizmin perëndimor… u bë pjesë shkence me Goldziherat e temë arti me Volterët… përgatitet në të tjera botë e plotësohet me figurantë nga mesi ynë. Ose nga injoranca, ose nga dëshira për emër, apo nga pesë qindarka interesi që u vihen në dorë e u thuhet: “Dilni një herë në skenë!” dhe ata bëhen figurantë të këtij skenari të shëmtuar, për t’iu bindur menjëherë urdhrit të dhënë.

“Kur’ani mjafton!”, “gjithçka mund të zgjidhet me përkthimin e Tij, ç’nevojë ka për origjinalin arabisht?”, “ne mund të mësojmë doktrinën e Islamit e mund të vendosim edhe duke i nxjerrë normat nga përkthimi i Kur’anit”; këto fjalë e të tjera të ngjashme me to, janë veç dy-tri fjalë që iu mësuan figurantëve për t’u thënë në ata dy-tre fragmente reciproke të atij skenari të madh, të përgatitur me kohë. Në prapaskenë, e tërë bota e mohimit, bën përgatitjen e platformës; sapo të gjejnë një platformë të përshtatshme – kurrë mos e gjetshin! – fjalët e tyre nuk do të mbesin të kufizuara me këtë që thonë sot. Ndaj dhe sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme të ringjallim sërish atë respekt e dashuri, sikur të pasuesve e bashkëkohësve të Tij, ndaj Profetit tonë. Për ta përvetësuar më tepër këtë gjë, për të cilën ne kemi aq nevojë, për ta bërë atë pjesë të ndërgjegjes e karakterit tonë, është e domosdoshme ta njohim shumë mirë besueshmërinë e pafajësinë e Profetit, e ta përqafojmë atë, pa i lënë vend as edhe mundësisë më të vogël të kundërt. Pasuesit thonë: ”Kur dëgjonim fjalët e Profetit, e dëgjonim me shumë kujdes; thua se kishim një zog mbi kokë, i cili do të fluturonte në lëvizjen më të vogël.”420 Bisedat e Ebu Bekrit (r.a.) e të Omerit (r.a.) në praninë e të Dërguarit janë shumë të kufizuara, sepse ata ishin të ndërgjegjshëm që ndodheshin në prezencën e një Profeti të dekretuar. Të dëgjosh atë, është si të dëgjosh fjalët e përjetësisë, sepse shpallja që i zbulohet Atij, transmetohet nga ndërgjegjja e tij e pastër e ndjenjat e tij të kulluara, ashtu siç vjen, e kthjellët, e kristaltë, e virtytshme…. Ndaj dhe ata që e njihnin Profetin, heshtnin para tij dhe dëgjonin vetën fjalët e tij. Fjalët e thëna pranë Mbretit të Fjalës, kushdo qoftë ai që i thotë, veçse japin turbullime në kokë. Ashtu dhe ne, kur të arrijmë botëkuptimin e pasuesve, do të mund të veprojmë si ata; do të dëgjojmë vetëm fjalën e tij “La ilahe il’lallah” dhe do mundojmë të gjejmë një zgjidhje për hallet tona shekullore me ato fjalë. Mohimi i “sunetit” dhe mungesa e respektit ndaj fjalës së tij, përbën një urë që zgjatet drejt mohimit. Ata që e kanë bërë zakon të kalojnë nga ajo urë e të shëtisin mbi të, në mos sot, nesër do të shkëputen nga rrethi e zinxhiri i Profetit Muhamed e do të sillen nga Ebu Xhehilët!

Ky stil i të menduarit është shumë i rrezikshëm, ndaj dhe rruga për të shmangur këtë rrezikshmëri kalon nga njohja e Profetit me të gjithë anët e tij; e padyshim që një nga anët e Tij më të rëndësishme është pafajësia e virtytshme e tij. I gjithë besimi thuajse është njësuar me virtytin e tij. Gërmimi i një grimce të vetme në atë temë, përfundon me shkatërrime të konsiderueshme në tërësinë e besimit. Kjo është edhe arsyeja që na shtyn ta trajtojmë me delikatesë këtë temë.

416 Xheziri, Medhahib 1/272-273

417 Buhari, Salat 101; Muslim, Salat, 261; Ebu Davud, Salat, 108.

418 Ibn Haxher, Isabe 2/523-24

*  Ahirzaman- kohët para fundit të botës

419 Muslim, Munafikin, 39; Musned, 3/178.

420 Buhari, Xhihad, 37; Ebu David, Tibb, 1; Nesai, Xhenaiz, 81; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 37; Musned 4/287-288

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali