VEREJTJET QË I BËN KURANI PROFETIT (s.a.s.) DHE PRAPASKENA E TYRE: Robtë e luftës së Bedrit

esirislam-702x336.jpg

Robtë e luftës së Bedrit

 

Ajeti i mëposhtëm, i zbritur në lidhje me robtë e luftës së Bedrit, në pamje të parë mund të japë përshtypjen se përmban një tërheqje vëmendjeje për Profetin. Kuptimi i këtij ajeti është:

Asnjë profet s’ka të drejtë të ketë rob për vete, derisa të arrijë fitore të plotë në Tokë. Ju dëshironi të mirat kalimtare të kësaj bote, kurse Allahu dëshiron botën tjetër. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Sikur të mos ishin urdhërimet e mëparshme të Allahut (për lejimin e plaçkës së luftës), do t’ju godiste një dënim i madh për atë që keni marrë. Gëzojeni plaçkën e luftës që keni fituar si gjë të lejueshme dhe të mirë dhe frikësojuni Allahut! Vërtet, Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Enfal 8/67-69)

Profeti i Zotit nuk ka të drejtë të zotërojë robër lufte. As profetëve të mëparshëm nuk u është dhënë kjo e drejtë. Atëherë si mund të veprojë ai mbi një pronë që nuk i përket? Kjo rrugë nuk duhej zgjedhur nga Profeti, derisa ai të forcohej, të mund të shkelte fort mbi këmbët e veta e t’i mundësohej të shpjegonte kauzën e idealin e vet, pa iu mbështetur askujt. Domethënë, ai nuk duhej t’i lironte robërit e luftës, qoftë edhe përkundrejt çmimit të lirisë. Ndoshta kjo normë kishte për qëllim ngritjen e kokës së besimtarëve, forcimin e tyre dhe përshpejtimin e pozicionimit të tyre në standardet që u nevojiteshin për të ekuilibruar pushtetin në vend. Edhe karakteri yt i jashtëzakonshëm, këtë prirje ka. Sepse ti veç një pasion ke në lidhje me këtë botë, përhapjen e besimit e të sistemit të tij të së drejtës në çdo cep. Ky është pasioni e ideali edhe i atyre që ke afër. Veprimi yt këtu është “i mirë”, po mund të ishte “më i miri”. Nëse ajo që ju zgjodhët është një vepër e mirë, ekziston edhe një alternativë tjetër, e cila është “perfekte” dhe pikërisht kjo është ajo që Allahu kërkon prej jush.

Po të mos ndodhej një parashkrim, një normë, që ju nuk do të mbaheni përgjegjës e nuk do të gjykoheni për këtë vepër, po të mos ishte paracaktimi i destinitetit pro faljes së kësaj pune, ndoshta një ndëshkim i rëndë do vinte te ju prej Zotit. Po ky parashkrim ekziston, gjykimi në lidhje me këtë çështje është mbyllur, vendimi është dhënë, paracaktimi është shkruar, ndaj as që bëhet më fjalë për ndëshkim.

Në Bedr, kur Profeti i Allahut e mundi ushtrinë armike dhe e shtriu atë përtokë, zemrat e besimtarëve përjetuan një freskim e një paqe të vërtetë. Kjo fitore kishte mjaftuar ta shuante atë zjarr që për pesëmbëdhjetë vite me radhë, u kishte djegur e zhuritur shpirtin. Për gjithato vite nuk kishte mbetur torturë, vuajtje, dhimbje e padrejtësi që nuk u ishte bërë atyre nga idhujtarët. Mbi të gjitha, ishin detyruar të largoheshin nga Meka, vendlindja e tyre e shtrenjtë, e të merrnin rrugën e Medinës. Po idhujtarët e Mekës nuk ishin mjaftuar me kaq! Ata po i sulmonin e s’po u jepnin rehat besimtarëve as në atdheun e tyre të ri. Besimtarët duronin, pa i dhënë përgjigje asnjë padrejtësie. Çfarëdo që të bënin idhujtarët, besimtarët e kishin të ndaluar të kundravepronin. “Duhet të bëhemi pa duar përballë atij që na godet, pa gjuhë ndaj atij që na shan, pa ndjenja ndaj atij që na thyen zemrën e na e bën copë!” Kështu thonin e këto fjalë kishin kriter, ndërsa duronin e nuk i përgjigjeshin asnjë sulmi e ngacmimi që u bëhej. Kurse tani, atyre u kishte ardhur leja nga Zoti. (Haxhxh 22/39). Tashmë edhe besimtarët mund t’u përgjigjeshin sulmeve të tyre e mund të kundërvepronin ndaj padrejtësive të tyre; më e pakta, mund të mbronin veten. Bedri ishte përballja e parë ku myslimanët kishin triumfuar, kurse armiqtë ishin zënë rob. Po kjo ishte në të njëjtën kohë, një ngjarje pa precedentë. Për ta ishte hera e parë që përballeshin me një gjendje të tillë. Si në çdo problem që nuk kishte ende një definicion hyjnor, edhe këtë herë Profeti merr një vendim duke u bazuar në kuvendimin e këshillimin me shokët. Për gjendjen e robërve të luftës nuk kishte ndonjë normë, ndaj vendimi do të merrej në bazë të kuvendimit.

Së pari, morali i tij i lartë që i kishte mësuar Kur’ani dhe karakteristikat e shpirtit të tij human e shtynin për lirimin e robërve. Gjer në atë çast, mësimet kur’anore e drejtonin drejt këtij vendimi:

Sillu me zemërgjerësi!” (Hixhr 15/85)

Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (Nahl 16/125), duke formuar te ai një botëkuptim të tillë, që ishte bazuar te falja e kishte bërë atë pjesë të pandarë të karakterit të tij. Aq sa është e pamundur ta imagjinosh të Dërguarin e Zotit ndaraz nga kjo ndjenjë fisnike. E pamundur, se edhe Krani i drejtohet: “Se ti je me virtyte madhore.” (Kalem 68/4). Gjithkush ka pjesën e vet që i përket nga morali. Po ai, është trashëgimtari e poseduesi i Moralit Universal. Sepse ai ndodhet në majën më të lartë të virtytit e të moralit të dhënë nga Allahu (xh.xh.). Është ky moral, ai që buron nga rreshtat, faqet e kapitujt e Kur’anit. Shembulli më konkret, më i spikatur i këtij morali kur’anor, është Profeti Muhamed (a.s.)399. Vërejeni pak karakterin e tij e shpirtin e tij të faljes në thjerrëzën e kësaj ngjarje, kur ai, ditën që triumfon Mekën, i afron një kupë me eliksir paqeje gjithë atyre që për vite me radhë e kishin goditur në të gjitha mënyrat e i qetëson duke u thënë ‘Sot nuk ka qortim për asnjërin prej jush!” e duke shpallur amnisti të përgjithshme400. Gjendja e tij shpirtërore e konvenienca e tij individuale është gjithmonë për falje. Megjithatë, ai e hedh çështjen në diskutim dhe e kuvendon me shokët. Së pari merr mendimin e Ebu Bekrit (r.a.). Ai i përgjigjet kështu: “O i Dërguar i Allahut! Këta njerëz janë fisi yt, të afërmit tuaj, populli yt. Vërtet që nuk kanë lënë të keqe pa të bërë, ty e besimtarëve. Po nëse ti ndjek rrugën e mëshirës, i fal këta, nuk i godet dhe i lë të lirë, atëherë fiton zemrat e tyre e bëhesh shkak që ata të hyjnë në rrugë të drejtë. Mendimi im është të falen!”

Pastaj, i Dërguari i Allahut diskuton me Omerin (r.a.). Ai i përgjigjet kështu:

“O i Dërguari i Allahut! Këta njerëz që ke në dorë, janë paria e idhujtarëve të Mekës. Po t’i vrasim këta, idhujtaria e mohimi nuk guxon më të drejtohet e të na dalë përpara. Ndaj duhet të vriten që të gjithë, madje, secilit besimtar jepi të afërmin e vet ta vrasë me dorën e vet. Jepja Akilin Aliut, Abdurrahmanin të atit dhe mua filanin ta vras me dorën time”401.

Tashmë mendimi i secilit është i qartë. Besniku Ebu Bekri është për lirimin e robërve, kurse i Drejti Omer është për vrasjen e tyre. Atëherë, i Dërguari i Allahu, i drejtohet së pari Ebu Bekrit, pastaj Omerit e u thotë kështu:

“O Ebu Bekr! Ti i ngjan atit tim, Ibrahimit (Populli i tij nuk lë të zezë pa i bërë, edhe në zjarr e hedh të gjallë, po ai prapë ngre duart e i lutet Zotit): “O Zoti im! Ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ibrahim 14/36). Dhe ti i ngjan edhe Isait (Populli i tij e torturoi, i dha dhimbje pa masë, po ai u lut kështu: “O Zot, nëse Ti i ndëshkon ata- robërit e Tu janë! Po nëse i fal, Ti je i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Maide 5/118)402

Një tjetër ditë, Profeti i përsërit sërish këta fjalë dhe shton:

“Shoh në cep të Havuzit një grup njerëzish të afrohen, po që dëbohen që andej, sikur dëbohen devetë nga buza e ujit. “Shokët e mi të dashur! Shokët e mi të dashur!” thërras e i përgjërohem Allahut (xh.xh.) për ta. Po mua më thuhet kështu: “Ti nuk e di ç’punuan ata pasi u ndave Ti prej tyre!” E ç’të them unë atëherë? Edhe unë them si i virtytshmi Isa: “Nëse i ndëshkon, ata robtë e Tuaj janë! Po nëse i fal, Ti je i Plotfuqishëm dhe i Urtë!”403

Ebu Bekri është nxënësi i parë i të Dërguarit të Allahut. Si mendimet, si struktura e botëkuptimit të tij, janë krejtësisht të ngjashme me Profetin. Ky ngjasim spikat menjëherë edhe në mënyrën e tij të gjykimit e në opinionin e tij. Atëherë Profeti sillet nga Omeri dhe e përngjason atë me profetë të tjerë të mëdhenj:

“Kurse ti, o Omer, i ngjan Nuhut, i cili pat thënë kështu: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues!” (Nuh 71/26). Po ashtu, ti i ngjan edhe Musait, ai pat thënë kështu: “O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm!” (Junus 10/88)404

Secili prej këtyre dy profetëve kishte duruar për vite me radhë vuajtjet e dhunën e njerëzve të vet e të armiqve të Allahut, po kur kishin parë se inati e këmbëngulja e tyre në të shtrembër veç sa shtohej nga dita në ditë, që të dy profetët i ishin drejtuar Zotit me lutjet e mësipërme. Nëse këta dy profetë, që në tharmin e tyre kishin inspirime të autoritetit e të supremitetit hyjnor dhe që ishin dërguar prijës për ata popuj që kuptonin veç me autoritet e me ashpërsi, pasi kishin duruar mjaft, kishin kërkuar shfarosjen e zezonës së krimit e mohimit, që vetëm dëm bënin, si për të gjallët, ashtu edhe për të vdekurit e kishin dëshiruar që të rrisnin e edukonin pasardhësit e atyre të humburve në frymën e shpëtimit, ata padyshim kishin bërë një punë shumë të mirë në emër të njerëzimit. Ndaj dhe Allahu i jep vlerë lutjes së një profeti, duke akorduar çastin e lutjes së tij me çastin e paracaktuar të vendimit që do të ekzekutohet par ta.

Porse te Profeti ndikoi më tepër temperamenti i tij i gjeratëhershëm e butësia e toleranca që buronte nga morali i tij i lartë e shpirti i tij fisnik, ndaj vendosi t’i falte, ashtu si mendonte edhe miku i tij, Ebu Bekri. Vendimi ishte dhënë. Ata njerëz nuk do të vriteshin. Do të njiheshin me Islamin dhe do të mësonin ç’ishte jeta e vërtetë.

Tani le ta dëgjojmë vazhdimin e ngjarjes nga Omeri:

“Vendimi ishte marrë. Unë isha shkëputur veç par pak dhe kur kreva punë, u ktheva pranë tyre, po ç’të shoh! I Dërguari i Allahut, bashkë me Ebu Bekrin, qanin me ngashërime. “Pse po qani?”, i pyeta, po asnjëri nuk ishte në gjendje të më jepte përgjigje. Qanin pa pushim. Atëherë këmbëngula: “Më thoni ç’keni, që të qaj dhe unë!” Atëherë ai më lexoi ajetet 67, 68, 69 të sures Enfal. Ja, me këtë shkak kanë zbritur ato ajete që tërheqin vërejtje!”405

Allahu ia kishte dhuruar Profetit dhuntinë e të gjykuarit dhe i kishte dhënë atij edhe kompetencën e vendimmarrjes. Dhe ai kishte gjykuar, kishte vendosur dhe kishte vepruar në bazë të atij vendimi, duke bërë një vepër të mirë. Por Allahu (xh.xh.) nuk e sheh të mjaftueshme “të mirën” për robin e Vet të përsosur, ndaj dhe i drejtohet atij: “ Ty të takon të vendosësh me të përkryerën!”, duke i tërhequr vërejtjen pse ishte prirë nga “e mira” dhe jo nga “e përkryera”. Kaq! Nuk bëhet fjalë as për gabim dhe as për mëkat! I Dërguari i Allahut ndodhej çdo çast mes bukurive e përsosmërive. Kështu duhet trajtuar kjo çështje… Pastaj duhet vërejtur me kujdes mënyra e shprehjes në ajet, që të kuptohet se sa ëmbël, sa butë i flitet Profetit në to. Ja mesazhi që tërheq vërejtjen gjithë delikatesë e ëmbëlsi: “Sikur të mos ishin urdhërimet e mëparshme të Allahut (për lejimin e plaçkës së luftës), do t’ju godiste një dënim i madh për atë që keni marrë.” (Enfal 8/68). Ajeti nis me pjesëzën “…Sikur të mos…” që tregon ekzistencën e një dukurie, e cila pengon ndodhjen e tjetrës. Atëherë duhet të përqendrohemi te ajo që shpjegon ajeti. “Po të mos ishin urdhërimet e mëparshme të Allahut”, që do të thotë se norma në lidhje me këtë çështje është vendosur me kohë, që në fillimin e ekzistencës. Dhe në bazë të asaj norme, ju i përfitoni trofetë dhe do të keni të drejtën e shijimit të tyre. Pra në këtë rast, kjo normë e paracaktuar me kohë, po ende e pashpallur, ishte vënë në zbatim në bazë të një vendimi të dhënë konform një pikëpamjeje tjetër. Edhe pse vendimi kishte qenë i përshpejtuar, Allahu (xh.xh.) nuk kishte për qëllim që të ndalonte plaçkën e luftës (edhe robërit e luftës janë trofe), por e gjithë ngjarja vërtitej rreth një sprove. Këtu ka një analogji me ngjarjen e Profetit Adem. Një diçka e vendosur për të ardhmen, ishte kërkuar para kohe dhe duke pasur parasysh këtë kohë, ishte bërë një zgjedhje në favor të “të mirës”, në vend që të bëhej në favor të “perfektes”. Dhe mbasi çështja e Bedrit të mbyllej, norma në fuqi do ishte pikërisht ashtu si e kishte menduar Profeti. Kam idenë se edhe kjo normë që është në një tjetër ajet, është në favor të këtij mendimi: “Kur të përballeni në luftë me mohuesit, goditini në qafë, derisa t’i rraskapitni e t’i shkatërroni ata dhe pastaj lidhini fort. Mandej, ose i lironi me zemërgjerësi, ose me shpërblim, derisa të bëhet armëpushimi. Kështu bëni! Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri-tjetrin. Ai nuk ua humb veprat atyre që vdesin në rrugën e Allahut.” (Muhamed 47/4).

Kur merr atë vendim, Profeti në një farë mënyre parandjen një normë, të cilën Allahu (xh.xh.) do ta shpallte më vonë. Po koha kur do hynte kjo normë në fuqi, nuk kishte ardhur akoma, ndaj një veprim i bazuar në atë normë, ishte diçka “e mirë”, ndërsa pritja e çastit të hyrjes së saj në fuqi, ishte “perfekte”. Në një hadith të Tijin, Profeti numëron pesë gjëra që profetëve para Tij i janë ndaluar, kurse atij i janë lejuar. Ndërmjet të tjerave është edhe plaçka e luftës.406 Këta nuk kanë qenë të lejuara as për profetët e tjerë dhe as për Të, deri në betejën e Bedrit. Atë ditë do të shpallet leja për të. Pikërisht në prag të kësaj lejeje, Profetit i shpallet një vërejtje, e cila mund të duket në plan të parë edhe si qortim. Bashkë me këto që shprehëm, është i rëndësishëm fakti se norma që do të shpallet është në përputhje me mendimin që jep Profeti. Vendime të tilla, janë shumë të rëndësishme në prizmin e jurisprudencës dhe janë quajtur vepra të mira edhe kur kanë qëlluar në shenjë, edhe kur i janë afruar asaj. Tani, një vendim të tillë e merr një i Dërguar, mësuesi dhe edukatori i të cilit është vetë Zoti. E si mund të japë Ai një tjetër vendim? Gjilpëra e busullës së shpirtit të Tij të virtytshëm tregon gjithmonë kahun e duhur. Ndaj dhe norma e shpallur, padyshim që do të ishte e të njëjtit drejtim. Lejimi i plaçkës së luftës është një normë e bazuar në të dhëna të shëndosha fetare. Njëkohësisht, plaçka nuk e ndryshonte motivin e betejës në rrugë të Zotit. Natyrisht që pala fituese mund të shfrytëzonte mundësinë financiare të palës tjetër. Aq më tepër që plaçka do të ishte një arsye më tepër për pjesëmarrjen në beteja edhe të atyre njerëzve që nuk kishin një frymë besimi aq të lartë, sa të luftonin për hir të tij, kështu që ata bashkoheshin në luftë duke menduar për honorarin e për plotësimin e nevojave të tyre ekonomike. Por ka edhe prej atyre që nuk u shkon ndërmend trofeu e shpërblimi material dhe hynë në histori si Amr bin As, duke thënë:   “Nuk u bëra mysliman që të mbledh trofe!”. Po kjo është një sjellje e sakrificë që nuk mund të pritet nga të gjithë. Sakrifica nuk pritet, ajo bëhet. Duke i vënë pikën kësaj teme, dua të kujtoj një çështje që e kam paraqitur në temën e Profetit Adem e të pemës së ndaluar. Ashtu sikur Allahu e kishte provuar Ademin me ndalimin e një peme, e cila më vonë do të shpallej e lejuar. Ashtu edhe në çështjen e trofeut të luftës, kam përshtypjen se është e njëjta gjë. Trofeu, më vonë do të lejohej, po gjatë betejës së Bedrit nuk ishin shpallur akoma normat themelore në lidhje me të, ndaj dhe ishte çështje prove. Këtu është e rëndësishme një pikë: vendimi i dhënë, sidoqoftë, nuk ishte në kundërshtim me normat themelore, ishte pro tyre, ndonëse ato akoma nuk ishin shpallur; ndaj dhe nuk mund të bëhet fjalë as për gabim dhe as për mëkat. Aty është bërë një tërheqje vëmendjeje drejt prirjes karakteristike të njeriut ndaj pasurive të kësaj bote dhe është kërkuar të mos bëhen ekzagjerime e shkelje në këtë pikë. Në fakt, vërejtja këtu i tërhiqet të gjithë muslimanëve dhe mësimi është drejtpërsëdrejti në lidhje me ta. Sepse, për sa i përket Profetit, Ai nuk ka shfaqur ndonjëherë as prirjen më të vogël ndaj pasurive të kësaj botë, as para kësaj ngjarjeje dhe as pas saj. Allahu i drejtohet personit të Profetit, për t’i tërhequr vëmendjen të gjithëve. Kështu ata do e nxjerrin mësimin vetë dhe nuk do e ndiejnë veten të qortuar. Kjo është një çështje ku mund të gjenden shumë shenja treguese rreth metodës së trajtimit të personit dhe delikatesës së përdorur në edukimin hyjnor.

399 Muslim, Musafirin 139; Ebu Davud, Tatavvu, 26

400 Ibn Hisham, Sire 4/55; Ibn Kethir, el-Bidaje 4/344

401 Muslim, Xhihad, 58. Musned 1/31-32

402 Kurtubi 8/31; Mesned 1/383

403 Buhari, Tefsir,2. Muslim, Tahare, 37; Salat, 53. Tirmidhi, Kijame, 3. Ibn Maxhe, Menasik 40,76

404 Kurtubi, 8/31. Musned, 1/383

405 Muslim, Xhihad, 58

406 Buhari, Tejemmum 1; Salat, 56. Muslim, Mesaxhid, 3.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali