Vetitë udhëheqëse të Profetit (a.s): Elementi njeri nuk mund të nënvleftësohet

crowd-2045499_960_720.jpg

Elementi njeri nuk mund të nënvleftësohet

 Në jetën e tij të shquar, i Dërguari i Allahut kurrë nuk e pati nënvleftësuar elementin njeri. Madje, edhe duke i dërguar një pjesë të njerëzve në frontin e luftës, ai vazhdoi ta mbante në rend të ditës vendin e madh të temave të njeriut, diturisë dhe kulturës për të mos rënë në varfëri në jetën e mendimit, idesë dhe diturisë. Dhe as që mund të ndodhte ndryshe, sepse Kur’ani i dekretonte kështu atij: “Besimtarët nuk duhet të dalin në luftë të gjithë sa janë! Nga çdo fis duhet të mbeten pas disa vetë për ta mësuar mirë fenë në mënyrë që, kur të kthehen të tjerët nga lufta, t’i mësojnë dhe paralajmërojnë që të mund të ruhen nga rënia në gabime!” (Tevbe, 9/122)

Po, sigurisht, ndërkaq që besimtarët luftojnë, pas duhet të mbetet një pjesë që ta mësojë fenë, për t’ua përcjellë të tjerëve kur të kthehen nga lufta. Sigurisht, edhe kur lufta të bëhet detyrim individual, pra, për çdo njeri dhe për të gjithë, madje, dyert e çerdheve tuaja të diturisë dhe kulturës duhet të mbeten të hapura gjer në fund. Po qe se kur armiku do ta ketë rrethuar vendin nga të katër anët, çerdhet e dijes dhe kulturës mbyllen dhe të gjithë dërgohen në front, edhe sikur lufta materiale të fitohet, në emër të dijes dhe kulturës do të jenë humbur shumë gjëra. Prandaj Islami, edhe në situata të tilla të jashtëzakonshme, urdhëron madje që një pjesë e njerëzve nuk duhet të shkojnë në front, por duhet të vazhdojnë veprimtarinë arsimore e kulturore! Pra, i Dërguari i Allahut nuk e ka nënvleftësuar bashkëpunimin arsimor e kulturor as në kohën më kritike; ata që s’kanë shkuar në front, i janë kushtuar drejtpërdrejt arsimit, diturisë dhe shkencës, kurse ata që kanë shkuar, janë garantuar se pas tyre luftojnë njerëz në një front tjetër! Ashtu siç e kemi prekur edhe më parë, ndërsa në krye, numri i atyre që dinin shkrim e këndim nuk ishte as sa gishtat e dorës, pas njëzet vjetësh nuk pati mbetur edhe një njeri i vetëm, që të mos dinte shkrim e këndim. Dhe një rezultat i tillë ishte arritur vetëm me zellin dhe përpjekjet e të Dërguarit të Allahut në këtë fushë!

Po, ai kurrë nuk e pati nënvleftësuar elementin njeri, pati ditur si të përgatiteshin individët mirë në të gjitha anët, si përgatitej mirë populli, pati mësuar të tjerët, pati urdhëruar arsimimin e njerëzve, gjërat teorike i pati derdhur në praktikë, pati përgatitur vetë nxënës si një mësues dhe në një botë të vdekur, mes turmave të vdekura, kishte formuar shoqërinë e diturisë dhe besimit!

Pas arkitektit dhe ndërtuesit të parë, shoqëria i nxjerr drejtuesit e vet nga mesi i vet, gjë që s’duhet ngatërruar me të parën.

Sigurisht, shoqëria e hapur ndaj dijes, mendimit dhe teknikës, drejtohet (administrohet dhe qeveriset) nga njerëz si vetja, të cilët janë gjithmonë si thelbi dhe ajka e shoqërisë. Siç mbetet ajka i qumështit qumësht, po qe se në bazën e shoqërisë, ajo që zien është dije, mendim dhe teknikë, edhe ajka sipër do të jetë prej tyre. Duke e shprehur këtë specifikë në mënyrë tejet lakonike, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Si të jeni, ashtu do të qeveriseni!”[1]

 

 

Vendin e rregullojnë dhe e zbukurojnë njerëzit e përgatitur e të formuar

Ka shumë ajete që nxisin dhe urdhërojnë interesimin për elementin njeri. Po të shihen të gjitha këto, do të kuptohet më mirë rëndësia që i jep feja islame njeriut. Por ne nuk mendojmë ta shqyrtojmë këtë temë tani për tani, vetëm sa do të prekim nja dy ajete sa për të dhënë një mendim.

“Le të jetë mes jush një grup që fton për të mirë, urdhëron të drejtën dhe pengon të keqen! Ja, vetëm ata kanë arritur sukses!” (Al-i Imran, 3/104)

“Ju jeni bashkësia më e dobishme ndër njerëzit. Urdhëroni për të mirë, e pengoni të keqen dhe i besoni Allahut plotësisht!” (Al-i Imran, 3/110)

Këto dhe ajete të tjerë të ngjashëm, janë jashtëzakonisht kuptimplotë për sa i përket tregimit të rëndësisë që i ka dhënë Islami njeriut dhe diturisë.

Islami i ka trajtuar zemrën, shpirtin, ndjenjat dhe mendimet në mënyrën më të mirë e të ekuilibruar dhe i ka orientuar ato sipas qëllimit final të krijimit të tyre. As nënvleftësim, as mungesë ekuilibri! Udhëtim me të gjitha këto ndjenja! Dhe me të gjitha, vëzhgim i pasperdes së qenies! Në jetën e tij të nderuar, i Dërguari i Allahut s’e ka nënvleftësuar aspak këtë, gjë që është me shumë rëndësi për një udhëheqës, për një prijës! Sa prijës ka që, ndërsa me njerëzit dhe mundësitë që kanë në duar, presin fitore, përballen me dështim! Më saktë, në brezin e fitores kurrsesi nuk shpëtojnë dot nga stonimet! Ata që e derdhin popullin në rrugë duke përfituar nga psikologjia e masës, ndoshta e shfrytëzojnë ndjenjën e tij, por në punët që kërkojnë vazhdimësi, kjo nuk ka aspak rëndësi. Ndërkaq, i Dërguari i Allahut nuk pati menduar aspak për t’i mbledhur njerëzit pas vetes me anë të ndjenjave dhe entuziazmit. Sepse ata që ndjekin dikë me anë të një ndjenje dhe entuziazmi, mund të tërhiqen pas një ndjenje dhe entuziazmi tjetër, duke u larguar prej tij e duke u shpërndarë, duke e lënë vetëm atë! Kurse njerëzit përreth të Dërguarit të Allahut nuk e patën lënë atë as në kohët më të rënda e më të hidhura! Jo vetëm se patën lënë, por vdekjen për të e patën ditur qëllim të jetës dhe rënien dëshmor e patën quajtur shpërblim të jetës dhe qëllim. Kështu është edhe përdorimi i të gjitha ndjenjave të tjera, më saktë, shpërdorimi i tyre. Por le të kthehemi në temë: po qe se një vend është i rregulluar e i zbukuruar, është i rregulluar dhe zbukuruar me njerëzit e tij. Këtë pati bërë edhe Profeti Muhamed (s.a.s.). Fakti që njerëzit që pati dërguar në vende të ndryshme nuk patën gabuar kurrë në administrimin dhe qeverisjen e shteteve dhe popujve, madje, as në hapjen e shkollave dhe medreseve, tregon se i Dërguari i Allahut i pati përgatitur shumë mirë njerëzit që pati marrë pas dhe i pati dhënë rëndësi njeriut mbi gjithçka!

[1] Kenzu’l-Ummal, 6/89.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top
ilmihali